28 Prill 2024

Gashi: Regjimi i vizave s’i pengon njohjet

Prishtinë, 22 maj - Zëvendësministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Ibrahim Gashi, ka thënë se regjimi i vizave nuk do të ndikojë në procesin e njohjes së Kosovës nga shtetet të cilat i nënshtrohen këtij regjimi.

Në një intervistë për “Epokën e Re”, zëvendësministri ka deklaruar se Kosova do të jetë e gatshme ta zbatojë regjimin e vizave nga 1 janari i 2013-së.

“Regjimi i vizave nuk do të pengojë dhe nuk do të ndikojë në procesin e lobimit dhe të njohjeve për shtetin e Kosovës”, ka thënë Gashi.

Ai ka treguar se Qendra e Vizave do të jetë në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ), për krijimin e së cilës qeveria norvegjeze ka premtuar një donacion në vlerë prej një milion e gjysmë eurosh.

“Në ato vende ku Republika e Kosovës nuk ka as ambasadë e as konsullatë do t’i autorizojmë shtetet mike, siç janë: Shqipëria, Maqedonia, Kroacia, Sllovenia dhe shtetet e tjera që të ofrojnë shërbime konsullore për dhënien e vizave të Kosovës për qytetarët që kërkojnë viza”, bërë me dije Gashi.

Ai ka thënë se për implementimin e regjimit të vizave do të ketë vështirësi për shkak se në misionet konsullore të Republikës së Kosovës s’ka staf të mjaftueshëm.

Po ashtu, zëvendësministri Gashi ka thënë se me vendosjen e regjimit të vizave Kosova përmbush një obligim karshi procesit të integrimit evropian, sidomos procesit të liberalizimit të vizave. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)