18 Maj 2024

GAP: Kompetencat e ICO-së të barten të Kuvendi e jo të qeveria

Prishtinë, 4 korrik - Përfundimi i pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën ka sjellë nevojën për ndryshimin e ligjeve themelore që referonin provizione tek Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar.

Instituti për Studime të Avancuara GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike kanë shikuar afërsisht ndryshimet ligjore që po iu bëhen ligjeve themelore nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Të dy organizatat shprehin shqetësimin e tyre që shumica e kompetencave që deri më sot i takonin Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar janë duke iu bartur Qeverisë së Kosovës (dhe jo Kuvendit) me anë të ndryshimeve të fundit ligjore.

Rasti më eklatant sipas GAP janë amendamentet që po i bëhen Ligjit mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, ligj që përcakton ndër të tjera edhe procedurën e bërjes, miratimit dhe zbatimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Agron Demi nga GAP ka thënë se amendamenti nr. 4 i Ligjit mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, i miratuar në lexim të parë nga ana e Kuvendit të Kosovës me datën 14 Qershor 2012, përbën një shkelje kushtetuese dhe vënie në rrezik të demokracisë parlamentare në Kosovë.

"Amendamenti në fjalë i jep të drejtën Qeverisë së Kosovës që në rast të “tronditjeve makroekonomike” të bëjë reduktimin e fondeve të alokuara me ligjin përkatës mbi buxhetin për një organizatë buxhetore pa aprovimin paraprak të Kuvendit të Kosovës."

Ky amendament, sipas Demit i jep mundësi Qeverisë së Kosovës që të bëj zvogëlimin e fondeve të miratuara në Kuvend për cilëndo organizatë buxhetore, përfshirë edhe agjencitë e pavarura, pa marr lejen e Kuvendit.

Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike, prandaj, argumentojnë që amendamenti në fjalë mbi Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike është i rrezikshëm për këto arsye:

a) Çështja e miratimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës është kompetencë ekskluzive kushtetuese e Kuvendit të Kosovës, dhe ndryshimi apo reduktimi i fondeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës në ligjin për buxhetin të vitit përkatës është i ndaluar, përveç nëse bëhet në procedurë të rishikimit të ligjit mbi buxhetin në Kuvendin e Kosovës. Prandaj, amendamenti në fjalë i jep Qeverisë së Kosovës në mënyrë kundërkushtetuese një kompetencë që i takon Kuvendit të Republikës së Kosovës;

b) Amendamenti në fjalë, prandaj, lejon që mbi bazën e çfarëdo “tronditje makroekonomike”, që përbën një hapësirë manovrimi shumë të gjerë, Qeveria e Kosovës të bëj shkurtime fondesh çoftë edhe për institucionet e pavarura. Duhet thënë që amendamenti në fjalë i jep përparësi Ligjit mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë mbi çdo ligj tjetër, përfshirë edhe ato ligje që garantojnë pavarësinë buxhetore të agjencive të pavarura. Në këtë mënyrë, amendamenti në fjalë përbën rrezik për pavarësinë buxhetore të vet agjencive të pavarura të Kosovës, meqë i lejon Qeverisë që t’iu reduktoj buxhetin pa marr lejen paraprake të Kuvendit të Kosovës;

c) Amendamenti në fjalë, në anën tjetër, lejon që ridizajnimi i buxhetit, përmes reduktimit të fondeve sipas “diskrecionit” të Qeverisë, të mundësoj politizimin e procesit të pavarësisë së Thesarit dhe përgjegjësisë së institucioneve të pavarura vetëm përballë Kuvendit të Kosovës;

d) Arsyetimi i përdorur nga Ministria e Financave që ky amendament është “mjet” për tu përballur me krizat e mundshme financiare është i pabazë, meqë termi “tronditje makroekonomike” i shfrytëzuar në amendamentin në fjalë është bërë qëllimisht që t’i lejoj Qeverisë që të përcaktoj sipas diskrecionit të gjerë të saj se kur mund të bëj reduktime buxhetore pa lejen e Kuvendit, dhe nuk paraqet kufizim të shfrytëzimit të kësaj të drejte vetëm në rastet e krizave financiare;

e) Ky amendament, në fund, bën që modeli parlamentar i miratimit dhe i përcaktimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës të rrezikohet seriozisht, duke vënë në diskutim edhe funksionin e parlamentit si kontrollues i shpenzimeve publike, që është karakteristika themelore e një demokracie parlamentare siç është Kosova.

Bazuar në këto argumente, Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike kërkojnë nga ana e Kuvendit të Kosovës, përkatësisht Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, që të procedojnë ndryshimin, përkatësisht heqjen, e amendamentit të Ligjit mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë që i jep të drejtë Qeverisë së Kosovës të bëj reduktimin e buxhetit, përkatësisht ndryshimin e linjave financiare në rast të tronditjeve makroekonomike, pa pasur lejen apo miratimin e Kuvendit të Kosovës.

Duhet pasur parasysh që heqja e këtij neni nuk përbën vetëm një hap për ruajtjen e karakterit kushtetues të Kuvendit të Kosovës si një “miratues” i Buxhetit të Republikës, por gjithashtu nuk do të lejonte që të vihej në rrezik modeli parlamentar i demokracisë në Kosovë dhe të fuqizohej Qeveria me një kompetencë tipike parlamentare.

Përveç ndryshimit të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, Kuvendi i Kosovës ka në procedurë edhe ndryshimin e një mori ligjesh tjera, kryesisht që kanë të bëjnë me emërimin e anëtarëve të bordeve të institucioneve të pavarura.

Edhe në këtë rast, Projektligjet të cilat kanë kaluar leximin e parë në Kuvend parashohin transferimin e kompetencave nga ICO tek Qeveria e Kosovës dhe jo Kuvendi. Një shembull i tillë është emërimi i tre anëtarëve ndërkombëtar të Agjencionit Kosovar të Privatizimit, ku sipas Projektligjit aktual, emërimi i tyre do të bëhet nga Qeveria dhe jo nga Kuvendi si institucion themelues dhe mbikëqyrës i AKP.

Amendamentimi i Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe ligjeve tjera të ndërlidhura me përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrës duhet të bëhet në proces të rregullt legjislativ, duke respektuar parimin e transparencës dhe përfshirjes së të gjitha grupeve të interesuara. Instituti

GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike e shohin si të domosdoshme plotësimin e vakumit ligjor pas mbylljes së Zyrës Civile Ndërkombëtare, mirëpo kjo nuk duhet të shërbej si arsyetim për aprovimin e ligjeve në procedurë të mbyllur, pa debat, kundër parimeve të qeverisjes së mirë dhe kushtetutshmërisë.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)