07 Maj 2024

Fushata zgjedhore ka kaluar e qetë dhe pa ndonjë incident

Prishtinë, 27 prill - Koalicioni i OJQ-ve, Demokracia në Veprim ka monitoruar fushatën pesëditëshe zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Ferizajt, me ç’rast është publikuar edhe raporti preliminar me të gjeturat nga ky proces.

Demokracia në veprim do të vazhdojë të jetë prezente për të vëzhguar procesin e votimit dhe numërimit gjatë ditës së zgjedhjeve

Ismet Kryeziu, udhëheqës i Demokracisë në Veprim, ka vlerësuar se fushata zgjedhore në përgjithësi ka kaluar e qetë dhe pa ndonjë incident, ku përveç  tubimeve të hapura publike, partitë politike kanë zhvilluar edhe takime derë me derë.

Në një konferencë për media, Kryeziu ka deklaruar se Demokracia në Veprim vlerëson se zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Ferizajt, e kanë zhvendos vëmendjen e mediave, politikës, shoqërisë civile tek liderët partiakë të cilët po e shfrytëzojnë fushatën parazgjedhore që t’i masin forcat mes vete dhe ta testojnë publikun lidhur me disponimin për zgjedhjet nacionale, duke anashkaluar qytetarin ferizajas dhe preokupimet e tij.

“Sa i përket kohëzgjatjes prej pesë ditë të fushatës, Demokracia në Veprim vlerëson se nuk ka qenë e mjaftueshme për qytetarët që të njoftohen me programet e partive politike, si dhe për kandidatët që t’i takojnë qytetarët”, ka thënë ai.
 
Ndërkohë, Kryeziu ka shtuar se një ndër format më të shpeshta të parregullsive gjatë kësaj fushate zgjedhore, ka qenë injorimi, apo mos paraqitja e aktiviteteve apo kalendarëve të subjekteve politike tek Komisioni Komunal Zgjedhor.

“Po ashtu, nga monitoruesit e Demokracisë në Veprim është raportuar se veturat zyrtare janë hasur kryesisht të përdorura gjatë aktiviteteve parazgjedhore nga subjektet politike në pushtet”.

Një parregullsi tjetër e paraqitur gjatë kësaj fushate, sipas tij është edhe përdorimi i fëmijëve në aktivitetet dhe tubimet elektorale. Gjatë fushatës elektorale janë evidentuar shumë raste të pjesëmarrjes së  nxënësve në takime publike dhe aktivitete për shpërndarjen e materialeve propagandistike të subjekteve politike.  

“Po ashtu, subjektet politike nuk kanë kursyer objektet publike, duke i shfrytëzuar kështu për vendosjen e materialeve propaganduese”.

“Nga ana tjetër, militantët e subjekteve politike kanë vazhduar traditën e  dëmtimit të materialit propagandues të partive kundërshtare. Posterë të shumtë të dëmtuar nëpër rrugë, si dhe raportime të vazhdueshme të partive nëpër konferenca për media, kanë pasqyruar këtë problem”, ka thënë Kryeziu.

Sa i përket raportimit të medieve, ato kanë ofruar hapësirë të barabartë, si në raporte, po ashtu edhe në debate të ndryshme televizive mes qytetarëve dhe kandidatëve për kryetar komune në Ferizaj.

“Ndërkohë, subjektet politike garuese në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Ferizajt kanë parashtruar disa ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Para fillimit të fushatës, janë bërë gjithsej 14 ankesa. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë nëntë ankesa (9), ndërsa Lëvizja Vetëvendosje 5 sosh. PZAP-ja, me arsyetimin se me ligj nuk parashihet periudha para fushatës, nuk i ka shqyrtuar asnjërën nga këto ankesa”, ka deklaruar Kryeziu.
 
Kryeziu ka folur edhe për procesin e animimeve të subjekteve politike në PZAP. “Gjatë fushatës zgjedhore nga 23 deri më 27 prill, subjektet politike kanë bërë gjithsej njëmbëdhjetë (11) ankesa. Nga gjithsej 11 ankesa, dy janë hedhur poshtë nga PZAP si të pabazuara, për tre sosh është marrë vendim dhe janë shqiptuar gjoba, ndërsa gjashtë të tjera janë në shqyrtim dhe vendimi pritet të merret deri më 28 prill”, ka thënë ai.

DnV në ditën e zgjedhjeve do të vëzhgojë procesin e votimit, numërimit dhe administrimit me 34 vëzhgues statik në 25 qendra të votimit dhe me ekipe mobile të vëzhguesve.

DnV gjatë ditës së zgjedhjeve do të ketë qendrën e komunikimit me publikun në Ferizaj në Restaurantin “Bolero” dhe nga aty do t’i drejtohet publikut përmes konferencave për media në orën 10:00 h në orën 14:00 dhe në konferencën e fundit në orën 19:00.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)