18 Maj 2024

Fuqizimi i shtetësisë përmes demokratizimit të partive politike

Prishtinë, 3 korrik - Një ditë pas vendimit për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, vëmendja duhet të kthehet kah forcimi i shtetit dhe institucioneve shtetërore.

Demokratizimi i partive politike është qenësor për fuqizimin e shtetësisë prandaj duhet të kërkohet nga partitë që të zhvillojnë praktika të brendshme demokratike si dhe duhet të zhvillohet korniza ligjore gjegjëse që të reflektojë nevojat dhe dinamikën e shoqërisë kosovare.

Ndonëse ana formale e rregullimit të brendshëm të partive politike në Kosovë është për lakmi, megjithatë partitë ende përdorin metoda joformale të vendimmarrjes nganjëherë në kundërshtim me kërkesat e rregulloreve interne dhe eksterne të funksionimit të tyre.

Këto janë gjetjet e analizës politike të prezantuar nga Instituti KIPRED të martën, më 3 korrik 2012, në selinë e vet në Prishtinë.

Partitë politike në Kosovë i plotësojnë kushtet e definicionit themelor sociologjik të asaj se çfarë është një parti politike – një grup i organizuar që kërkon të marrë pushtetin me mjete politike. Por jo edhe kritere tjera.

Nuk është gjë e re të përsëritet se partitë politike në Kosovë nuk kanë ideologji politike të tyre, nuk kanë programe të mirëfillta, madje nuk kanë as anëtarësi të qartë. Tregues më i mirë i mungesës së ideologjisë dhe përkatësisë dhe identifikimit të anëtarëve me ideologjinë e partisë është kalimi i shpeshtë i anëtarëve të një partie politike te tjetra.

Pothuajse nuk ka parti politike në Kosovë që nuk ka humbur anëtarë  e madje edhe zyrtarë të lartë të cilët kanë kaluar në një parti tjetër, sikur që gati se nuk ka parti që nuk ka marrë anëtarë dhe zyrtarë të një partie tjetër.

Format joformale të vendimmarrjes janë të shpeshta dhe të fuqishme. Lideri dhe njerëzit e afërt me të ushtrojnë më tepër fuqi se sa u përcaktohet me statut. Vendime të rëndësishme për partinë merren në takime joformale, në dreka apo ndeja.

Këto forma joformale të vendimmarrjes shpesh paraqiten si mënyra kryesore e marrjes së vendimeve më të rëndësishme për partinë, duke i vënë në hije të gjitha organet e partisë dhe kërkesat e dala nga dokumentet themelore të partisë.

Ajo që është më shqetësuese është se të gjitha këto vendime të marra në mënyrë joformale organet e partisë më pas i formalizojnë ashtu që “të kënaqet ligji”.

Korniza ligjore për funksionimin e partive politike në Kosovë është krijuar pas luftës së vitit 1999 dhe duke marrë parasysh praktikat më të mira të kohës. Megjithatë, korniza aktuale nuk është zhvilluar me të njëjtën dinamikë sikur shoqëria dhe nevojat e saj. Regjistrimi dhe certifikimi i partive politike ende bëhet në bazë të një rregulloreje e jo ligji.

Mekanizmat që garantojnë respektimin e legjislacionit për funksionimin e partive politike nuk janë fuqizuar asnjëherë aq sa të jenë në gjendje të monitorojë me efikasitet veprimtarinë e partive politike dhe të sanksionojnë partitë kur shkelin legjislacionin në fuqi.

Rrjedhimisht, kjo ka inkurajuar praktikat jodemokratike brenda partive politike. Zyra për Regjistrimin e Partive Politike që vepron në kuadër të KQZ-së ka dështuar të luajë rolin që duhet të ketë. Kjo ka ndikuar negativisht edhe te partitë politike pasi ato nuk janë ndier të obliguara që t’u përmbahen kërkesave ligjore.

Ky studim zbulon se shkak kryesor që kjo Zyre nuk arin të përmbushë detyrën ashtu siç duhet është mungesa e kapaciteteve pasi Zyra nuk ka personel të mjaftueshëm. Gjithashtu, dyshohet se ka edhe mungesë të integritetit profesional të stafit të zyrës që di të lakohet para presioneve të politikës.

Ky punim, ofron edhe një analizë të detajuar rreth praktikave në partitë politike në Kosovë. Është parë funksionimi i brendshëm i parive politike, duke analizuar statutin dhe institucionet partiake, rolin e liderit, format joformale të vendimmarrjes si dhe forcën kohezive brenda partive. Partitë e përfshira në këtë studim janë:  PDK, LDK, “Lëvizja VETËVENDOSJE!”, AAK, AKR, SLS, Koalicioni VAKAT si dhe KDTP.

Shumica e partive politike të intervistuara për këtë punim shprehen të vetëdijshme për nevojën për reformim të brendshëm dhe kanë ndërmarrë hapat inicialë për të filluar reformat. Për më tepër, partitë kanë kuptuar se duhet vërtetë të angazhohen për të fituar votën e elektoratit, të vetëdijshme se aspiratat e deklaruara edhe të partive politike, që Kosovën ta shpijnë në Bashkimin Evropian, nuk do të tolerojnë zgjedhje të manipuluara dhe vjedhje të votës “në shkallë industriale” çfarë është parë deri tani.

Rekomandime

•        Të përmirësohet korniza ligjore e funksionimit të partive politike. Duhet të ketë ligj të veçantë për regjistrim dhe funksionim të partive politike. Rregullorja e tanishme nuk mjafton që të garantohet një funksionim i përgjegjshëm i partive politike në Kosovë.

•        Të fuqizohen ligjet që kanë të bëjnë me financimin e partive politike. Partitë politike në Kosovë nuk janë të sinqerta në raportimin e të hyrave dhe shpenzimeve të tyre. Kjo lë hapësirë për dyshime se partitë politike financohen nga burime të dyshimta. Kjo dëmton imazhin e partive si dhe dekurajon votuesit që të marrin pjesë në votime.

•        Të rregullohet çështja e auditimit të partive politike që të sigurohet mbikëqyrje dhe transparencë e shpenzimeve të partive. Auditimi duhet të bëhet nga kompani të pavarura. Kjo do të shtojë besimin e elektoratit në partitë politike e rrjedhimisht edhe në sistemin elektoral dhe demokracinë politike në Kosovë.

•        Fondi për Demokratizim të Partive Politike që ndahet nga buxheti i Kosovës të kthehet nën menaxhimin e Kuvendit të Kosovës. Të vihen kushte rigoroze të shpenzimit të këtij fondi ashtu që këto shuma të shfrytëzohet për ngritje të kapaciteteve demokratike të partive e jo për pagesë gjobash apo praktika të ngjashme.

•        Të fuqizohet Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim. Mungesa e kapaciteteve për të kryer punën e vet e Zyrës krijon hapësirë për shkelje dhe mos-respektim të statutit e rregullave gjë që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në ngecjen e reformave demokratike brenda partive politike. Duhet të shtohet personeli i Zyrës ashtu që të jetë në gjendje të përcjellë hollësisht veprimtarinë e të gjitha subjekteve politike. Zyra gjithashtu duhet të lirohet nga presionet e politikës dhe të jetë në gjendje të marrë vendime në mënyrë të pavarur.

•        Statutet e partive politike duhet të azhurnohen dhe të korrigjohen. Duhet të futen provizionet që garantojnë votim të fshehtë dhe kandidim të më shumë kandidatëve. Statuti duhet të garantojë që partia do të funksionojë edhe në rastet kur ajo e merr pushtetin.

•        Partitë politike duhet të garantojnë respektimin e Statutit dhe procedurave për vendimmarrje. Praktikat e marrjes së vendimeve me rrugë joformale duhet të eliminohen nga jeta e partive politike. Anëtarësia e partive politike të kërkojë nga partia që të respektojë dokumentet e veta.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)