02 Maj 2024

Fitou: Veprimi i Vetëvendosjes është fashizëm

Prishtinë, 24 tetor - Një debat i organizuar nga Kolegji ISPE që kishte për temë liberalizimin e vizave, është kthyer në arenë të përplasjeve ndërmjet aktivistëve të Vetëvendosjes dhe ministrit të Punëve të Brendshëm Bajram Rexhepi.

Pasi janë kryer fjalimet hyrëse, aktivistët kanë shtruar një mori pyetjesh, duke vënë në dilemë trimërinë e ministrit Rexhepi për të shkuar në veri, ndërsa pas kësaj ka reaguar sigurimi i kolegjit dhe policia, me ç’rast janë arrestuar 9 aktivistë.

Si panelist të temës për liberalizimin e vizave ishte ftuar ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe ambasadori i Francës në Kosovë, Jean Francois Fitou.

Pasi këta të dy mbaruan fjalimet hyrëse, në kohën e pyetjeve një aktivistë i Vetëvendosjes iu drejtuar ministrit Rexhepit me fjalët se ai po fliste për liberalizim vizash për në Evropë, përderisa nuk guxon të shkojë as në veri të Kosovës.

“Ne këtu po flasim për liberalizimin e vizave për qarkullim të lirshëm në Evropë përderisa qytetarët e Kosovës nuk po mund të lëvizin lirshëm as brenda territorit të tyre. Ti e din këtë më së miri zoti Ministër për arsye se ti as vet s`ke qenë në lagjen e Boshnjakëve që nga viti 2008 dhe këtë s`po e them unë, por po e thonë banorët e asaj lagjeje, bile kur bëhet fjalë për sigurinë e tyre kur ju pyesin për këtë zakonisht bëni shaka... Po flitet se po ju fryn të shkoni në veri. A është e vërtetë?”, ishin pyetjet e aktivistit që nxitën reagimet në sallë.

Pas këtij momenti aktivistët e tjerë kanë filluar të shpërndajnë disa fletushka me të njëjtën pyetje dhe kanë fishkëlluar, kurse reagoi sigurimi i kolegjit dhe ministrit dhe i nxorën jashtë aktivistët.

Në këtë rast në mbrojtje të ministrit Rexhepi është vënë ambasadori francez, Jean Francois Fitou, i cili i ka cilësuar aktivistët e Vetëvendosjes si gangsterë që aktrojnë fashizmin.

"Kjo është Evropa e veriut 1943, ky është fashizëm. Vendi im Franca dhe Evropa nuk e pranojnë këtë frymë”, tha mes tjerash ambasadori Fitou.

Ndërkaq pasi është qetësuar paksa situata edhe ministri Bajram Rexhepi është kundërpërgjigjur, duke thënë se ai çdo vikend e kalon në shtëpinë e tij në Suhodoll, në veri të Kosovës, ndërsa ka ftuar Vetëvendosjen që të shkojnë së bashku kur të duan në veri.

“Unë bash këta liderët e Vetëvendosjes nëse kanë qejf të binden se deri ku mund të lëvizë vetëm ministri i Punëve të Brendshme, unë mund t`i ftoj personalisht në Suhadoll në Lagjen e Boshnjakëve në atë territor që këta as nuk mund ta imagjinojnë dhe do të shkoj vetëm unë me ata, por ata duhet paraprakisht të përgatiten psiçikisht se mund t’i kapë far frike ose paniku edhe prapë po e them me një lloj sarkazmi dhe pa megalomani që sa për trimërinë e Vetëvendosjes i mbaj në xhep të vogël”, është shprehur ministri Rexhepi, njoftoi Kosovapress.

Ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se gjatë aksionit kanë ndërhyrë truprojat e ministrit Bajram Rexhepi, rojet e Kolegjit dhe policia, të cilët kanë aplikuar dhunë të vrazhdë ndaj aktivistëve, duke i lënduar ata. Aktivisti Xhelal Sfeçla në një deklarim për Kosovapress ka thënë se janë arrestuar 9 aktivistë.

“Po janë arrestuar 9 aktivistë të Vetëvendosjes dhe padrejtësisht është ushtruar dhunë ndaj tyre edhe pse aksioni i ynë ka qenë vetëm simbolik. E gjitha çfarë kanë bërë ata kanë shpërndarë fletushka dhe kanë bërë pyetje drejtuar ministrit, kurse reagimi truprojave të ministri si dhe i policisë ka qenë jashtëzakonisht i ashpër. Ata kanë ndarë një hapësirë të veçantë dhe në atë hapësirë të këtij kolegji i kanë rrahur”, ka theksuar Sfeçla.

Ndryshe aktivist të arrestuar janë Krenare Krasniqi, Gëzon Kastrati, Pajtim Demaj, Etleva Malushaj, Genc Sherifi, Frashër Krasniqi, Adonis Tahiri, Valdrin Ahmeti, Zgjim Hyseni.

Ndërkaq për ngjarjen e sotme ka reaguar edhe Kolegji ISPE me një deklaratë për media, ku thuhet se distancohet nga çdo politizim dhe bënë që politika të qëndrojë larg sistemit të arsimit, dhe të gjitha veprimet e kësaj natyre të cilat mund të manifestohen nga parti politike apo organizata të tjera politike duhet që të bëhen në vende përkatëse aty edhe ku bëhen zhvillime politike e jo nëpër institucione arsimore.

“Lëvizja Vetëvendosje në këtë mënyrë ka dëmtuar dhe ka ndërhyrë në procesin mësimor të Kolegjit ISPE dhe në dhunën e manifestuar ka demoluar objektin e Kolegjit, duke i dëmtuar pajisjet e institucionit të cilat hyjnë në funksion të procesit mësimor”, thuhet mes tjerash në deklaratën e kolegjit ISPE.(INA)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)