04 Maj 2024

Ferizaj, shembull për komunat e tjera

Prishtinë, 30 maj - Shefi i Shtabit Zgjedhor të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Ferizaj, Elmi Reçica, e ka vlerësuar me notë dhjetëshe procesin zgjedhor të së dielës në Komunën e Ferizajt.

 “Me të vërtetë ka qenë një proces i rregullt zgjedhor, ku janë dëshmuar demokracia dhe toleranca.

Qytetarët e Ferizajt treguan edhe një herë pjekuri qytetare dhe politike. Ky proces meriton vlerësim shumë të lartë, prandaj Ferizaj të dielën është shpërblyer me notën dhjetëshe”, ka thënë Reçica për “Epokën e re”.

Ai ka vlerësuar se procesi zgjedhor i Komunës së Ferizajt duhet të jetë shembull edhe për komunat e tjera të Republikës së Kosovës. “Një proces i tillë zgjedhor meriton të jetë shembull dhe model për komunat e tjera të Kosovës. Ferizaj edhe një herë dëshmoi se di të organizojë zgjedhje të mira, demokratike dhe korrekte”, ka deklaruar Reçica, duke shtuar se fakti që vetëm pesë ankesa janë bërë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) tregon se nuk ka pasur parregullsi dhe keqpërdorime.

“Përveçse jemi të kënaqur me fitoren e PDK-së dhe të kandidatit tonë Agim Aliu, i cili do ta shpërblejë besimin e qytetarëve, na gëzon edhe më shumë fakti se në Ferizaj u mbajtën zgjedhje pa asnjë parregullsi dhe manipulime”, ka theksuar ai.

Reçica ka thënë PDK-ja i ka fituar zgjedhjet në Ferizaj falë punës së mirë që ka bërë për përmirësimin e jetës së qytetarëve, të cilët janë shumë të kënaqur me qeverisjen e PDK-së. “E kuptoj mungesën e autoritetit të kandidatit të LDK-së, Adem Salihaj, tek qytetarët e Ferizajt, të cilët edhe një herë dëshmuan se nuk e duan për kryetar. Qytetarët janë irrituar nga koalicionet joparimore të cilat janë bërë nëpër skuta të errëta dhe shtëpi të braktisura, të cilat nuk i kryen punë LDK-së dhe Salihajt.

Prandaj, të gjitha këto i kanë kontribuar fitores së fuqishme të PDK-së në Ferizaj. Gjithashtu, qytetarët e Ferizajt e kanë shpërblyer me votën e tyre punën dhe angazhimin e vazhdueshëm të PDK-së për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Reçica.

Ai ka thënë se pas Ferizajt edhe Komuna e Kaçanikut do të duhej të jetë shembull se si organizohen zgjedhje të lira demokratike dhe korrekte. “Presim që edhe në Komunën e Kaçanikut më 17 qershor të mbahen zgjedhje të lira, demokratike, pa paparregullsi dhe pa manipulime”, është shprehur Reçica.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)