18 Maj 2024

Eqrem Zenelaj, profesori që plotëson Nikolsonin

Prishtinë, 4 korrik - Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, prof. dr. iur. Eqrem Zenelaj, në librin e tij të fundit “Bazat e diplomacisë” ka plotësuar edhe teorinë e autorit të njohur të diplomacisë, Sir Harold Nicolson, mbi periodizimin e historisë së diplomacisë.

Në këtë intervistë për “Epokën e re” Zenelaj ka thënë se ky plotësim është bërë pasi Nicolson në kohën kur jetoi nuk arriti t’i përjetojë dhe të mësojë për zbulimet e reja arkeologjike të cilat janë bërë në vitin 1977 në qytetin Makdith të Sirisë që, sipas tij, janë gjetur traktate interesante mbi ekzistencën e diplomacisë, të dërguarve dhe fjalorit diplomatik.

Me këtë plotësim është pajtuar edhe recensenti i librit të profesor Zenelajt, profesori i njohur austriak dr. Peter Fischer, i cili së bashku me Vedross janë themelues të Shkollës të së Drejtës Ndërkombëtare të Vjenës.

“Nicolsoni e ndan në katër periudha historinë e diplomacisë: diplomacinë antike greko-romake; diplomacinë e qytet-shteteve italiane; diplomacinë e qyteteve franceze dhe diplomacinë e kohës së re. Plotësimi im dhe pikëpamjet e mia mbi periodizimin e historisë së diplomacisë janë pak më ndryshe, gjë që këtë e ka pranuar edhe vetë profesor Fischer. Unë e kam ndarë historinë e diplomacisë në pesë periudha: diplomacia para-antike (që nga viti 2500 para erës së re); diplomacia antike greko-romake; diplomacia e mesjetës; diplomacia e kohës së re dhe diplomacia bashkëkohore (diplomaci preventive, e negociatave dhe e paqes)”, ka thënë Zenelaj.


Risi tjetër e librit të tij, i cili për tri javë është shitur mbi 600 copë, është edhe gjeneza e fjalës diplomaci. Sipas tij, kjo fjalë rrjedh nga fjala diploma, që nuk është fjalë e vjetër greke, siç thonë edhe disa autorë, fjalë e pellazgjishtes së vjetër, paraardhëses së shqipes.


Për më tepër, ai ka folur edhe për shkeljen e së Drejtës Ndërkombëtare nga Këshilli i Sigurimit, në rastin e Kosovës dhe për statusin ilegjitim të Federatës Ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Pos librit të tij të fundit, që për shkak të kërkesave të mëdha e ka çuar në ribotim, profesor Zenelaj ka folur edhe për pasionin e tij, historinë, për të cilën ka shkruar disa libra me vlerë të lartë shkencore. Profesori që ka hulumtuar 17 arkiva evropiane ka thënë se nëse merren e lexohen me kujdes librat e antikëve, të Herodotit, Tukididit, Polibit, Hesiodit, Homerit, Plutarkut, Plinit etj., si dhe burimet arkivore të mesjetës në vendet gjermanofone dhe italofone apo frankofone e burime në gjuhën latine, do të vërtetohet se historia e popullit shqiptar është shtrembëruar, është falsifikuar dhe është vjedhur.

Kisinxheri dhe disa autorë shkruajnë shkarazi

“Epoka e re”: Profesor Zenelaj, në këtë vit, në Ditën e Mësuesit, promovuat librin tuaj më të ri me titull “Bazat e Diplomacisë”. Cila është rëndësia e këtij libri, kur dihet se libra të tilla gjenden shumë rrallë në Kosovë e Shqipëri?

Zenelaj: Duke e vërejtur nevojën e madhe për botim dhe temë të tillë në Kosovë dhe Shqipëri, para tre vjetësh iu rreka studimit të diplomacisë nga një spektër i gjerë, pra mendova dhe ia arrita ta bëj një libër me vlerë të veçantë jo vetëm për studentë, por edhe diplomatë dhe dashamirë e lexues të diplomacisë dhe artit të diplomacisë. Kisha dëshirë që ky libër të përkojë me ndonjë datë që shënon një ngjarje të rëndësishme për popullin tonë. Kështu që, arrita ta botoj në mars të vitit 2012 dhe ta promovoj në këtë muaj me një datë të shënuar, që ishte 7 marsi (Dita e Mësuesit). Interesimi i miqve të mi, studentëve dhe intelektualëve e akademikëve të të gjitha niveleve ishte shumë i madh. Salla në të cilën u mbajt promovimi në hotel “Grand” për tërë atë auditor ishte shumë e vogël. Ky ishte një respekt dhe nder i madh që iu bë jo vetëm librit, por edhe emrit tim si autor, që mund të them se nuk kishte strukturë shoqërore nga elita akademike e deri te studentët e qytetarët që nuk ishin aty dhe e shtuan madhështinë e promovimit të këtij libri.

“Epoka e re”: Si është pritur ky libër nga kritikët?
Zenelaj: Të them të drejtën është pritur mjaft mirë, sepse vetë fakti që nga blerësit (lexuesit) ka pasur studentë, akademikë, diplomatë dhe intelektualë të të gjitha sferave. Pastaj nuk kam pasur ekzemplarë sa kërkesa kisha, sepse për tri javë janë shitur 600 copë, por edhe vetë salla plot e promovimit si dhe dy-tri recensionet tregojnë se libri ka një vlerë të veçantë. Pastaj në çdo libër është me rëndësi se kush është recensent, çfarë literaturë është përdorur dhe sa fusnota apo referenca ka.
Në këtë libër për recensent kisha prof. dr. hc. Peter Fischer, i cili e ka mbikëqyrur dhe e ka vlerësuar shumë lart përmbajtjen e librit, pikëpamjet dhe punën time 3-vjeçare për atë libër si dhe literaturën dhe thellësinë shkencore.

“Epoka e re”: Cila është brendia e librit dhe sa pjesë i ka libri, si dhe çka ka të veçantë në këtë libër?
Zenelaj: Libri “Bazat e Diplomacisë” ka rreth 500 faqe dhe përbëhet nga këto pjesë: Teoritë mbi diplomacinë dhe diplomatët; Historia e Diplomacisë, Klasikët e së Drejtës Ndërkombëtare dhe Diplomatët më të njohur të Kohës së Re; E Drejta Diplomatike dhe Konsullore si dhe Korrespondenca Diplomatike, pra një material mjaft interesant aktual dhe i domosdoshëm. Duhet shtuar se recensenti i këtij libri, dr. Peter Fischer, bashkë me Vedross janë edhe themelues të Shkollës të së Drejtës Ndërkombëtare të Vjenës dhe mësohen teoritë e tyre në të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket asaj se çka e veçon këtë libër, ka disa gjëra të cilat nuk janë punuar dhe trajtuar më herët, mu për këtë edhe profesor Fischer ka qenë mjaft i entuziazmuar dhe e ka shkruar si recensent një parathënie brilante. Një çështje më shumë rëndësi është se e kam plotësuar teorinë e Sir Harod Nicolsonit mbi periodizimin e Historisë së Diplomacisë, pasi Nicolson në kohën kur jetoi nuk arriti t`i përjetojë dhe të mësojë për zbulimet e reja arkeologjike të cilat janë bërë në vitin 1977 në qytetin Makdith të Sirisë që janë gjetur traktate interesante mbi ekzistencën e diplomacisë, të dërguarve dhe fjalorit diplomatik. Pra, Sir Nicolson e ndan në katër periudha Historinë e Diplomacisë; Diplomacinë antike greko-romake; Diplomacinë e qytet shteteve italiane; Diplomacinë e qyteteve franceze dhe Diplomacinë e kohës se re.

“Epoka e re”: Kurse ju çka plotësuat?
Zenelaj: Plotësimi im dhe pikëpamjet e mia mbi periodizimin e Historisë së Diplomacisë janë pak më ndryshe, gjë që këtë e ka pranuar edhe vetë prof. dr. Peter Fischer. Disa nga këto risi dhe plotësime edhe kanë bërë që profesor Fischer të shkruajë edhe në parathënien e librit. Unë e kam ndarë Historinë e Diplomacisë në pesë periudha si vijon: Diplomacia para-antike (që nga viti 2500 para erës se re); Diplomacia antike greko-romake; Diplomacia e Mesjetës; Diplomacia e Kohës së Re dhe Diplomacia Bashkëkohore (diplomaci preventive, e negociatave dhe e paqes).
Pra, diplomacia, gjurmët e saj, fjalori dhe fjalori diplomatik që haset në traktate janë të kohës paraantike, ndërsa në antikë ka pasur diplomaci dhe misione ad-hoc jo vetëm nga grekët e romakët, por edhe nga persët, egjiptasit, kinezët etj. Por, edhe në Mesjetë nuk ka pasur vetëm diplomaci të qytet-shteteve italiane dhe atyre franceze, por edhe të vendeve të tjera evropiane dhe jashtë kontinentit të Evropës. Pra, të kufizohet kjo periudhë jo si mesjetare, por e qytet-shteteve italiane e franceze më duket se është tepër e ngushtë. Edhe diplomacia bashkëkohore ka një rol të veçantë, është aktualitet dhe është një diplomaci preventive, diplomacia fluturuese, diplomacia publike etj.

“Epoka e re”: Pra, prej vdekjes së Nikolsonit nuk është marrë askush me këtë çështje dhe ju jeni i pari që e plotësoni këtë autor të madh të teorisë diplomatike...
Zenelaj: Në fakt, autorët e kohës moderne dhe post-moderne që i kemi aktualë janë gjallë disa syresh dhe kanë qenë diplomatë të njohur si, p.sh.: Kisinxheri etj. Ata shkruajnë shkarazi dhe jo në mënyrë të thellë për diplomacinë. Ata më tepër shkruajnë për diplomacinë e periudhës bashkëkohore, pra diplomacinë publike, diplomacinë fluturuese etj. E rëndësishme ka qenë të shpjegohen themelet e diplomacisë, bazat e këtij arti si dhe praktikat dhe zhvillimi i saj.

“Epoka e re”: Profesor, po ashtu, ju shkruani për herë të parë se gjeneza dhe domethënia e fjalës diplomaci rrjedh nga diploma, që nuk është fjalë e vjetër e greqishtes, por fjalë e pellazgjishtes së vjetër, gjegjësisht paraardhëses së shqipes.
Zenelaj: Po, është e saktë. Në shkencë njeriu (shkencëtari) nuk duhet të kënaqet vetëm me përshkrimin apo numërimin e fakteve, por edhe interpretimin e tyre. Në histori nuk ka shkencë nëse ajo nuk bazohet në të vërteta dhe metodë. Historia e kohës së vjetër nuk mund të dihet e njihet pa gjurmime, pa arkeologji. Edhe historia e mesjetës nuk mund të njihet pa arkiva dhe burime arkivore. Pra, nëse i marrim dhe i lexojmë me kujdes librat e Herodotit, Tukididit, Polibit, Hesiodit, Homerit, Plutarkut, Plinit etj. si dhe burimet arkivore të mesjetës në vendet gjermanofone dhe italofone apo frankofone e burime në gjuhën latine, ne do të shohim se historia e popullit shqiptar është shtrembëruar, është falsifikuar dhe është vjedhur. Të dhënat e bollshme janë aty dhe dihet se gjermanofonët kanë bërë shumë hulumtime dhe publikime lidhur me prejardhjen e popullit shqiptar nga Ilirët, të cilët ishin asgjë tjetër pos populli pellazg, populli i parë i Greqisë. Emrin Greqi dhe Grekoi i hasim vetëm në shek. II. para erës së re. Në dokumente të vjetra emri i parë i Greqisë ka qenë Pelasgia (që rrjedh nga fjala Pelak-Pelask), emri i dytë ishte Mati (Emathiae), emri i tretë ishte Maqedonia (Macedoniae), emri i katërt ishte Hellada (Hell, Hyll, Yll) dhe emri i pestë ishte Greqia. Autorët grekë, Hesiodi e Tukididi, nuk na lënë të lajthitemi, sepse thonë se ne kur erdhëm këtu e gjetëm një popull barbar, popull të vjetër që ishte i vjetër baras me tokën e Greqisë dhe ne morëm gjuhën e tyre, një pjesë i asimiluam dhe një pjesë i dëbuam. Vetë Oraklin e Zotave e krijoi Hesiodi, që ishte një pellazg dhe Dodona ishte në Jug të Shqipërisë. Pra, shikojeni dhe lexojeni burimet gjermanofone dhe kuptimin e fjalëve të vjetra pellazge edhe të vetë fjalës diplomaci dhe do të bindeni për saktësinë e origjinës së popullit shqiptar, për origjinën e gjuhës shqipe dhe falsifikimet e historisë që janë bërë pas shekujve 17 dhe 18.

Skënderbeu ka pasur një diplomaci intensive...

“Epoka e re: Ndër pjesë të tjera të librit është edhe diplomacia e shtetit shqiptar në kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Mund të na thoni se sa është e njohur kjo diplomaci?
Zenelaj: Në librin tim “Bazat e Diplomacisë” një vend të veçantë zë edhe diplomacia në shtetin shqiptar të kohës së Skënderbeut. Këtë e kam bërë pas një pune të gjatë të hulumtimeve arkivore në 17 arkiva të vjetra të Evropës për një kohë të gjatë. Vetëm në “British Library” kam hasur në 49 libra mbi Skënderbeun, pastaj në tërë këta arkiva kam hasur rreth 5 mijë tituj mbi historinë dhe të bëmat e Skënderbeut, jo vetëm duke filluar nga Barleti apo autorë të tjerë, por edhe nga kronistë arabë të kohës që ne aspak nuk kemi njohuri. Bazuar në këto zbulime, kam hasur se Skënderbeu ka pasur një diplomaci intensive, jo vetëm një diplomaci “ad hoc” që pranonte dhe dërgonte të dërguar (si Palë Engjëllin etj.), por ka pasur edhe përfaqësi të përhershme diplomatike.
Unë kam bërë një hulumtim shkencor mbi Familjen Albani – Papën shqiptar Klemensi i XI-të dhe në dokumente sekrete të tij kam hasur në gjëra interesante lidhur me gjeologjinë e familjes Albani. Dy djemtë e Mikel Lazit (të parët e Papa Albanit), Gjergji dhe Filipi, kanë qenë ushtarakë (kapitenë) të ushtrisë së Skënderbeut dhe njerëz të besuar të tij. Në vitin 1464 ata janë dërguar në Itali (Urbino) te Duka Federico Montefeltro me detyra të caktuara diplomatike dhe ushtarake, pra jo për një mision “ad hoc”, por për përfaqësim të përhershëm. Ata ngelen atje, u priten dhe u sistemuan shumë mirë dhe nuk u kthyen më kurrë në Shqipëri. Nëse ata kanë pasur detyra të tilla diplomatike e ushtarake dhe kanë qenë të instaluar në mënyrë të përhershme në Urbino, katër vjet para se të vdiste Skënderbeu, a nuk flet kjo për përfaqësi të përhershme diplomatike?! Pra, kam konstatuar se jo vetëm Institucioni i Nicodemusit ka qenë përfaqësia e parë e përhershme diplomatike, por ka qenë edhe përfaqësia e përhershme diplomatike e Skënderbeut në Urbino (Gjergji dhe Filipi). Kjo duhet të dihet dhe të mbetet si akt shkence jo vetëm për ne shqiptarët, por edhe për historinë e përfaqësive diplomatike, të cilat përfaqësi Rishelie i ka shndërruar në misione të përhershme diplomatike.

“Epoka e re”: Për librin tuaj duket se ka pasur interesim të madh, pasi në librari është vështirë të gjendet?
Zenelaj: Është shumë interesant që libri ka dalë nga botimi (shitje) në fillim të marsit të këtij viti, ndërsa në fund të po këtij muaji është shitur i tëri (600 copë). Librin “Bazat e Diplomacisë” e kanë marrë institucionet, diplomatët, studentët dhe dashamirët e artit të diplomacisë. Tani për tani kam edhe 400 kërkesa të tjera dhe më duhet ta ribotoj librin në një tirazh më të madh. Te libraria “Toena” mund ta gjeni librin “Bazat e Diplomacisë”, pasi aty kanë mbetur vetëm disa sosh.

“Epoka e re”: Pse mendoni se ka një interesim kaq të madh për këtë libër?
Zenelaj: Mendoj se një libër i tillë ka qenë i domosdoshëm dhe shumë i nevojshëm. Jo vetëm studentët, por më besoni se sa e sa konsuj e diplomatë të Kosovës, por edhe qytetarë të tjerë që e kanë blerë këtë libër. Gjithashtu, librin “Bazat e Diplomacisë” e kanë blerë edhe institucionet e Kosovës, sidomos ato universitare.

“Epoka e re”: Keni pasur ndihmë financiare nga dikush për botimin e këtij libri i cili është kaq voluminoz?
Zenelaj: Të them të drejtën, askush nuk më ka ndihmuar materialisht për botimin e librit “Bazat e Diplomacisë”. Kam bërë një kërkesë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës për ta botuar ose për të më mbështetur në botimin e këtij libri, por as nuk jam financuar (ndihmuar) dhe bile as përgjigje nuk kam marr deri më tash. Pra, këtë libër e kam botuar me mjete të mia. Libri “Bazat e Diplomacisë” e ka nxjerr vetveten. Zëvendësministri i MPJ-së, Ibrahim Gashi, ka dashur të më ndihmojë, duke kërkuar nga një drejtor i përgjithshëm i MPJ t’i blejë 15 libra, por më erdhi keq që nuk pata asnjë. Gashin e konsideroj mik e bashkëpunëtor. Për këtë libër ai pati shkruar edhe një recension shumë të mirë, të cilin e kishte botuar në “Epokën e re”.
Pasi të dalë në ribotim libri “Bazat e Diplomacisë” do t’ia dhurojë MPJ-së disa ekzemplarë, pasi nuk ka pasuar mundësi të më ndihmojë financiarisht në botimin e këtij libri.

 “Epoka e re”: Cilët do të jenë librat tuaj të ardhshëm që lexuesit do të kenë mundësi t’i lexojnë?
Zenelaj: Para tre-katër vjetësh kam pasur një projekt shkencor me titull “Gjenealogjia e familjes Vlora nga Sinan Pasha e deri tek Ismail Bej Vlora”, të cilin do ta botoj për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, pra më 28 nëntor. Bashkautor i këtij libri është edhe stërnipi i Ismail Qemajlit, Darling Vlora, i cili është një publicist dhe atdhetar i madh në Itali. Kam edhe projekte të tjera që jam duke përgatitur që sa kohë për studentë, por pasi i kam kryer provimet e doktoratës së dytë në Vjenë jam duke e përgatitur edhe temën e doktoratës.

Rusia është anëtar ilegjitim në KS të OKB-së

“Epoka e re”: Profesor Zenelaj, mund të na thoni ndonjë shtet që ka bërë shkelje të drejtës ndërkombëtare?
Zenelaj: E Drejta Ndërkombëtare është shkelur dhe keqpërdorur shumë herë nga shtete të ndryshme, sidomos kohët e fundit nga Federata Ruse, që është një aktualitet dhe nuk e ka hetuar askush deri më sot. Federata Ruse sot është anëtare ilegjitime e përhershme e KS të OKB-së. Dihet se në Jalta, më 1945 nga “Big Three” (Rusvellti-Qerqilli-Stalini), është vendosur “Yalta Voting Formula”, pra e drejta e vetos. Po ashtu, që atëherë fuqitë e mëdha vendosen të jenë pesë shtete anëtare të përhershme të KS të OKB-së, ndër to edhe BRSS-ja. Pra, BRSS-ja ka qenë anëtare e përhershme e KS-së, e jo Federata e sotme Ruse. Për këtë mund ta shikoni dhe lexoni edhe Kartën e OKB-së. Putini në presidencën e parë kërcënoi GUS-in dhe kërkoi që me shkrim të deklarojnë se heqin dorë vullnetarisht nga të qenit trashëgimtare (sukcedues) e përhershme e KS-së të OKB-së. Këto deklarata të shteteve të pavarura të bëra me presion nga Federata Ruse e Putin u dërguan te sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan dhe u regjistruan në Gazetën Zyrtare të OKB-së. Nëse ka ndodhur kështu dhe jo me vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe nëse Karta e OKB-së nuk është ndryshuar e në këtë kartë figuron si anëtare e përhershme e KS, BRSS-ja në fakt është tani Federata Ruse. Kjo donë të thotë se është shkelur e drejta ndërkombëtare dhe kjo federatë sot është anëtare ilegjitime e përhershme e OKB-së.

“Epoka e re”: Meqenëse është heshtur deri më tani kjo gjë, do të thotë se nuk ka ndonjë rëndësi të madhe dhe a e pranojnë juristët e tjerë këtë fakt?
Zenelaj: Unë studimet e mia i mbështes në fakte. Vazhdimisht konsultohem edhe me profesorë të Vjenës dhe Gjermanisë, si prof. dr. Peter Fischer, prof. Haribert Ckoeck, prof. dr. Raschauer, prof. dr. Potz etj., të gjithë më mirëpresin, më pranojnë dhe më përgëzojnë për këso analiza dhe studime. Të gjithë librat e mi deri më tani kanë recensentë vetëm profesorë me renome ndërkombëtare, andaj edhe një fejton ose një analizë që e bëj nga lëmi i së Drejtës Ndërkombëtare gjithmonë i konsultoj edhe profesorët e sipërpërmendur.

Rezolutat kundërthënëse

“Epoka e re”: Po në rastin e Kosovës, është shkelur ndonjëherë e drejta ndërkombëtare?
Zenelaj: E kam thënë disa herë se edhe me rastin e Rezolutës 1244 është shkelur e drejta ndërkombëtare. Në vitin 1992 vetë KS i OKB-së ka aprovuar një Rezolutë me numër 777, në të cilën shkruan se Jugosllavia Federative nuk ekziston më. Jugosllavia është shuar me anë të një procesi që në të drejtën ndërkombëtare quhet “Dismembratio”. Dhe Millosheviqi për t’i ikur pranimit-kërkesës dhe njohjes nga OKB-ja u vetëshpall Jugosllavi Federative. Ministri i Jashtëm Jovanoviq nuk ishte lejuar të flasë para Asamblesë së OKB-së me motivacion nga kryesuesi se nuk mund të flasë në emër të Jugosllavisë, sepse përfaqëson një krijesë të shuar. Po Këshilli i Sigurimit i OKB-së që e aprovoi Rezolutën 777 me Rezolutën 1244 në një pasues shkruan se Kosova është pjesë e Jugosllavisë. A thua e cilës Jugosllavi?! E asaj Jugosllavie që vetë KS i OKB-së me Rezolutën 777 të vitit 1992 e shpall të vdekur?! Pra, kjo ka qenë një shkelje e rendë e së Drejtës Ndërkombëtare nga ana e KS të OKB-së. Mirëpo këtu ka pasur edhe diçka politike dhe të parashikuar nga SHBA dhe miqtë tanë. Ishte menduar që së pari Kosova duhej të futet nën ombrellën e OKB-së (UNMIK) dhe një rezolutë e tillë qe nuk do ta përmendte se Kosova është pjesë e Jugosllavisë nuk do të aprovohej nga Rusia. Në atë çast ka qenë e nevojshme që Kosova të futet patjetër nën OKB (UNMIK). Është vërejtur me lëvizjet e ngjarjeve të mëvonshme, sidomos me procesin e GJND-së ku është shqyrtuar Rezoluta e Serbisë lidhur me pavarësinë e Kosovës. Në këtë kohë Mali i Zi ishte i pavarur dhe më 2002 ishte shpall nga OKB si trashëgimtar i Jugosllavisë, Unioni Serbi Mali i Zi, e më vonë me shpalljen e pavarësisë nga Mali i Zi është njohur si Republika e Serbisë.
Pra, kjo është ajo që me Rezolutën e KS 1244 është shkelur e drejta ndërkombëtare, por që duhet theksuar se pa një rezolutë tjetër plotësuese nga ana e KS të OKB-së askush nuk është kompetent ta abrogojë ndonjë rezolutë të KS të OKB-së përveç këtij institucioni.

“Epoka e re”: Por, sipas jush, është e tejkaluar Rezoluta 1244, e cila përmendet në fusnotë?
Zenelaj: Ne mund të themi çka të dëshirojmë, se kjo rezolutë ka vdekur, se është tejkaluar, por kjo rezolutë akoma është në fuqi dhe mu për këtë është i pranishëm edhe UNMIK-u në krye me administratorin nga Maroku. Pra, a është një pjesëtar i UNMIK-ut, a dhjetë apo njëqind nuk ka rëndësi. Ata janë në Kosovë, sepse Rezoluta 1244 është akoma në fuqi. Një gjë duhet ditur, se rezolutat e KS-së të OKB-së janë kompetencë vetëm e KS-së që t’i abrogojë, jo ndonjë institucion tjetër.

“Epoka e re”: Është diskutuar shumë rreth kësaj marrëveshje për përfaqësim rajonal të Kosovës, si njohës i së Drejtës Ndërkombëtare, me pranimin e fusnotës, Kosova ka humbur apo ka fituar?

Zenelaj: Kosova është në rrugëtimin e vet. Ne kemi mbështetje të fortë nga miqtë tanë, sidomos nga SHBA-ja. Në fakt, Rezoluta 1244 ekziston, por ekziston edhe verdikti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili thotë se nuk është shkelur e drejta ndërkombëtare me aktin e shpalljes së pavarësisë. Mirëpo, një gjë duhet theksuar, se asnjë marrëveshje mes shtetesh apo marrëveshje ndërkombëtare nuk bën të bëhet dhe nuk ka fuqi ligjore nëse atë marrëveshje nuk e aprovon apo nuk kalon nëpër organin më të lartë legjislativ të shtetit, në këtë rast pa miratim të Kuvendit të Kosovës. Disa gabime e lëshime i kemi bërë, disa na falen, por disa nuk na falen, duhet vazhdimisht që njerëzit e duhur të jenë në vendet e duhura si në institucione shtetërore, në bisedime, në diplomaci apo në përfaqësime të ndryshme ndërkombëtare. Uroj të shkojmë më tej përpara dhe të kemi mësuar nga gabimet eventuale. Koha do të tregoj se ku dhe sa kemi gabuar. E ardhmja është e Kosovës dhe presin punë të mëdha, sfida të mëdha për integrim në Unionin Evropian, në NATO dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë. Po ashtu, duhet që shpirtërisht të integrohemi edhe si komb, sepse emancipimi kombëtar është kusht për emancipim dhe liri e paqe ndërkombëtare.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)