28 Prill 2024

Diplomacia publike po i arrin efektet

Prishtinë, 19 prill - Drejtoresha e Këshillit Britanik në Kosovë, Arjeta Emra, e cila ka për detyrë ta drejtojë dhe ta implementojë projektin “Komunikimi me Evropën nëpërmjet diplomacisë”, ka thënë se me plot sukses është duke u implementuar ky projekt.

Ajo ka deklaruar se projekti i përbashkët i Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë Britanike, i cili ka për qëllim avancimin e procesit të njohjes së Kosovës nga pesë vendet e BE-së, ka arritur ta plasojë storien reale të shtetit të Kosovës në këto vende.

Në këtë intervistë për “Epokën e re” Emra ka treguar për intelektualët, gazetarët dhe njerëzit e shoqërisë civile të këtyre vendeve që, pasi kanë vizituar Kosovën dhe e kanë parë realitetin, kanë shkruar në mënyrë pozitive për Kosovën. Sipas saj, pjesa më e madhe e opinionit në këto vende nuk di për realitetin dhe për të drejtat e minoriteteve në Kosovë, pasi 99 për qind e medieve shkruajnë negativisht për shtetin më të ri në Evropë. Madje, ajo ka theksuar se ka pasur raste që as këshilltarët e kryeministrave të këtyre vendeve nuk kanë ditur për standardet që ofron Kosova për minoritetet. Po ashtu, ajo ka treguar se të premten do të prezantohen studimet që janë bërë për këto shtete, ku do të dalin edhe rekomandimet për ndërmarrjen e aktiviteteve specifike nëpër këto shtete.

“Epoka e re”: Znj. Emra, cili ka qenë aktiviteti i projektit “Komunikimi me Evropën nëpërmjet diplomacisë” të cilin e drejtoni ju?
Emra: Faza e parë e projektit ka filluar në korrik, kurse qëllimi i parë i projektit ka qenë që Kosova të kuptojë më në thellësi ku janë arsyet e mosnjohjes nga pesë shtetet e BE-së. Aktiviteti i parë që e kemi ndërmarrë gjatë gushtit dhe shtatorit të vitit të kaluar ka qenë bërja e studimeve për pesë shtetet e BE-së që nuk na kanë njohur, në mënyrë që t’i kuptojmë në thellësi arsyet e mosnjohjes nga këto vende. Këto studime do të prezantohen të premten në një konferencë që do ta organizojmë. Përveç problemeve se pse këto shtete nuk na njohin, këto studime do të na japin edhe rekomandimet se çfarë duhet të bëjë Kosova në këto shtete. Ne e dimë se janë pesë shtete, por secili prej këtyre shteteve i ka specifikat e veta. Asnjëri prej këtyre shteteve nuk e ka problemin e njëjtë në raport me Kosovën. Shembull prej këtyre shteteve e kemi Greqinë që nuk na ka njohur, por në të njëjtën kohë është shumë konstruktiv. Në krejt votimet që bëhen në Bruksel, Greqia gjithmonë voton në favor të Kosovës, po ashtu me këtë shtet kemi edhe bashkëpunim komercial.

Shteti i dytë, ku ne kemi parë se ka mundësi të punohet më shumë, është Sllovakia. Atje para dy ditësh kemi qenë me zëvendësministrin dhe jemi takuar me ekipin e ministrit të Jashtëm të ri, Lainqak. Përpos problemit me opinionin publik, ky shtet e ka një rezolutë të miratuar në parlament, e cila nuk e lejon njohjen e Kosovës. Tash qeveria e re në këtë vend e ka shumicën absolute në parlament dhe mendojmë se tash Kosova mund të bëjë diçka. Përpos studimeve që i kemi bërë në këto shtete, kemi menduar të bëjmë diçka edhe sa i përket komunikimit strategjik të Kosovës si shtet. Në shtator të vitit të kaluar e kemi sjell në Kosovë z. Elistol Cembel, i cili ka qenë këshilltari kyç i ish-kryeministrit Toni Bler. Cembel ka qenë personi kyç në komunikimin strategjik. Ai ka punuar me një grup të ministrave edhe të qeverisë sonë, sepse e kemi parë një mangësi sa i përket narratives se si paraqitet Kosova jashtë. A ka narrativë që përdoret prej të gjithë ministrave e njëjta qasje.

Shembull, kur është diskutuar për planin e Ahtisarit dhe provizionet që i ka sjellë ky plan në Kushtetutë Kosovës, shumica e shteteve në Evropë nuk e dinë se çfarë diskriminimi pozitiv u ka dhënë Kosova minoriteteve. Është edhe ana tjetër që do të shihet në këto studime, që do të publikohen dhe do të shihet se mediet kanë luajtur rol shumë të madh në aspektin negativ. Kanë dalë statistika për secilin shtet se çka është shkruar nëpër gazeta në Rumani, Greqi apo Sllovaki sa i përket Kosovës apo shqiptarëve në përgjithësi. 99 për qind e rasteve kanë qenë gjëra negative të cilat kanë të bëjnë me krim ose me diçka tjetër negative. Pra, komplet Kosova është portretizuar në aspekt negativ. Kjo ka qenë arsyeja pse ne kemi filluar të organizojmë konferenca në Kosovë dhe t’i sjellim njerëzit këtu për ta parë realitetin.

“Epoka e re”: Cilat kanë qenë konferencat më të mëdha që i keni organizuar?
Emra: Kemi filluar me konferencën “Kosova bashkëbisedon me bashkësinë evropiane”, e cila është mbajtur në tetor, ku i kemi sjell 25 përfaqësues të pesë shteteve që nuk e kanë njohur. Aty ne i kemi lutur grekët ta bëjnë një prezantim dhe ta tregojnë konstruktivitetin e tyre edhe pse nuk e njohin Kosovën në mënyrë që edhe këto katër shtete të tjera të shohin se, edhe pse nuk e njohin një shtet, ka mënyra të tjera të konstruktivitetit që mund të përdorin. Pastaj, kemi mbajtur konferencën “Germia Hill”, ku kanë marrë pjesë mbi 100 diplomatë e gazetarë. Tash në fund e kemi pasur një konferencë me mbi 50 pjesëmarrës të rrjetit transatlantik. Përderisa në fazën e parë të projektit synimi ynë ka qenë të sjellim njerëz këtu në Kosovë, në fazën e dytë të projektit parashohim vizitat tona atje.

“Epoka e re”: Si u jeni qasur këtyre pesë vendeve, me kënd keni kontaktuar?
Emra: Kontakti ynë i parë kanë qenë zyrat e këshillit britanik për këto shtete dhe ambasadat britanike, sepse Britani është njëra prej shteteve që i ndihmon shumë Kosovës në diplomaci publike. Pastaj, shumë prej organizatave vendore të shoqërisë civile kanë pasur kontakte edhe të mëhershme me shoqëritë civile nëpër këto shtete. Ne e kemi mbledhur shoqërinë civile dhe kemi shikuar se me cilat organizata në këto shtete kanë punuar më herët. Më pas, kemi filluar t`i kontaktojmë ato organizata, kemi vënë kontakte dhe nëpërmjet tyre kemi sjellë njerëz këtu, të cilët nuk kanë qenë vetëm prej shoqërisë civile, sepse ka pasur gazetarë, njerëz të qeverive e njerëz të tjerë me ndikim në ato shoqëri. Aspektin të cilin ndoshta nuk e kemi prekur sa duhet është aspekti ekonomik, për të cilin tash jemi duke biseduar.

“Epoka e re”: Cili prej këtyre shteteve ka qëndrim më të fortë ndaj Kosovës?
Emra: Qiproja është shteti që ka qasje më të fortë ndaj Kosovës. Dihen edhe deklaratat e zyrtarëve të këtij shteti, të cilët kanë thënë se, edhe nëse Serbia e njeh Kosovën, ne nuk e njohim. Tash ne ju kemi qasur në mënyrë pak më strategjike që të punojmë më shumë me katër shtete të tjera dhe nëse mundemi me i marrë njohjet nga katër këto shtete, atëherë Qipro do të mbetet vetëm dhe do ta kemi më lehtë të merremi vetëm me këtë shtet.

“Epoka e re”: Po në Spanjë dhe Rumani, sa keni pasur aktivitet?
Emra: Në këto konferenca që i kemi organizuar kemi pasur përfaqësues nga të gjitha këto shtete. Fondacioni Soros ka punuar shumë me Rumaninë. Këtë fondacion tash e kemi edhe partner në këtë konferencën e ardhshme, sepse dihet se ky fondacion kah nëntori i vitit të kaluar ka sjellë në Kosovë një delegacion prej 40 rumunëve, ku ka pasur edhe deputetë të parlamentit. Në këtë shtet është pak më ndryshe situata, sepse Rumania është shtet presidencial dhe është një president i cili kategorikisht është kundër. Ne do të vazhdojnë të punojmë në këtë shtet, por përderisa nuk ka ndërrime politike është vështirë të depërtohet. Përfaqësuesit nga ky shtet do të jenë në këtë konferencën që do të organizohet të premten dhe do të shohim se ku janë problemet e këtij shteti. Ne prej fillimit kemi qenë të vetëdijshëm se do ta kemi problem ta sjellim njohjen, por krejt çka kemi dashur të bëjmë është ta paraqesim Kosovën ashtu si është, më sjell këtu sa më shumë njerëz dhe më dërguar sa më shumë njerëz në këto vende, në mënyrë që ky komunikim njerëzor të fillojë.

“Epoka e re”: Sa ia keni arritur ju, me punën e juaj, ta ktheni përmbys opinionin që ka ekzistuar në këto vende për Kosovën?
Emra: Krejt këta njerëz që kanë qenë këtu: gazetarët, njerëzit e shoqërisë civile, njerëz të tjerë kur janë kthyer në vendet e tyre kanë shkruar për Kosovën dhe shumica e tyre mi kanë dërguar artikujt që kanë shkruar në mediet e tyre. Kemi parë se në ato që kanë shkruar ata e kanë paraqitur një realitet tjetër çfarë ka ekzistuar në ato vende. Ata njerëz që kanë qenë këtu ne i kemi takuar edhe me përfaqësuesit tanë shtetërorë: me ministra, deputetë, komisionin për politikë të jashtme, në mënyrë që edhe mesazhi politik i Kosovës të përçohet tek ata njerëz.
Një ide që e kemi momentalisht, të cilën duhet ta eksplorojmë ende më shumë me përfaqësuesit e medieve, është se a do të mund ta bëjmë ndonjë marrëveshje me gazetat kyçe që janë në këto shtete. Shembull, disa gazetarëve të Kosovës t’u lejohet të shkruajnë nëpër gazetat e këtyre vendeve, sikurse edhe ata që do të mund të shkruanin në gazetat tona. Ne do të mund të shkruanim një herë në muaj rreth Kushtetutës së Kosovës, të drejtave të minoriteteve apo hapjes ekonomike të Kosovës.

“Epoka e re”: Besoni se ende, në këto vende, ka nevojë të prezantohet realiteti i Kosovës?
Emra: Shumë ka nevojë. Ne jemi dëshmitarë që edhe shtetet që na rrethojnë neve, Maqedonia e vende të tjera, kanë paragjykime për ne. Tash mund ta merrni me mend sa na njeh një spanjoll apo një rumun, e të mos flasim për shtetet që janë jashtë Evropës. Prej pesë këtyre vendeve që nuk na kanë njohur, Greqia ndoshta është prej atyre shteteve që na njeh më shumë, por ajo tash i ka edhe problemet e veta. Kurse këto katër shtete të tjera shumë pak dinë për Kosovën. 99 për qind e pjesëmarrësve që marrin pjesë në këto konferenca që po i organizojmë ne, vijnë për herë të parë në Kosovë dhe ata tregojnë se kur janë nisur për Kosovë kanë pasur shumë paragjykime, bile-ble ka pasur raste kur dikush prej kolegëve të tyre u ka thënë se ‘qysh po shkoni në Kosovë’.

“Epoka e re”: Pra, mendoni se pjesa dërrmuese e opinionit të këtyre pesë vendeve nuk e di se çfarë të drejtash u garanton minoriteteve Kushtetuta e Kosovës?
Emra: Jo, nuk e di, përveç atyre rasteve të rralla që janë interesuar njerëzit dhe kanë lexuar për këtë punë. Ne kemi pasur edhe raste të nivelit të këshilltareve të ministrave apo kryeministrave të këtyre vendeve që nuk e kanë ditur për standardet që ofron Kosova për minoritetet. Ndoshta këtu ka qenë edhe faji ynë, që nuk kemi punuar në këtë aspekt. Por, tash ideja jonë është t`i informojmë për realitetin tonë. Në secilën konferencë tonë kemi pasur pjesëmarrës ministrat që vijnë nga komuniteti serb, të cilët e kanë paraqitur realitetin se si është një serb me qenë ministër në Qeverinë e Kosovës.

“Epoka e re”: Sa keni arritur që brenda këtyre tetë muajve ta arrini synimin tuaj?
Emra: Mendoj se e kemi arritur mjaftueshëm në aspektin e informimit. Tash dihet se vetëm kjo nuk mjafton. Duhet t’i ndërrojmë aktivitetet shumë më specifike në secilin shtet. Konferenca që do të organizohet të premten do të na drejtojë në aktivitete specifike për secilin shtet, sepse secili hulumtim do të na japë edhe rekomandimet se çfarë duhet të bëjmë në këto shtete.

“Epoka e re”: Cilat do të jenë aktivitetet e tjera që do t`i ndërmerrni brenda këtij viti?
Emra: Aktiviteti tjetër për të cilin jemi duke punuar me Ministrinë e Jashtme është Java e Evropës, e cila do të mbahet me rastin e Ditës së Evropës. Ministria e Integrimeve e ka bërë një plan, jo vetëm për aktivitetet tona në Kosovë, por edhe për aktivitetet që Kosova do t’i bëjë në Bruksel. Pastaj, janë dy rajone të tjera në të cilat po mundohemi t’iu qasemi, pra Amerika Latine dhe Azia.
Tash jemi në fazën e hulumtimit të njerëzve të cilët mund të na shkruajnë studimet për ato shtete. Prapë në shtator të këtij viti do ta organizojmë konferencën rajonale “Gërmi Hill”, e cila do të jete tradicionale. Por, gjithsesi se pas konferencës që do të mbahet të premten do t`i kemi më të qarta aktivitetet tona për këtë vit.

“Epoka e re”: A besoni se me këtë aktivitet do t’ia arrini ta bindni një qeveri që ta marrë vendimin për njohje?
Emra: Unë jam shumë optimist në kuptimin e asaj se më në fund kemi arritur storien tonë, që ta plasojmë në këto shtete që nuk ka qenë rasti deri tash. Tash i kemi arritur t`i mobilizojmë të gjithë ata njerëz që kanë qenë në Kosovë dhe i kemi në anën tonë. Ne vazhdimisht kemi thënë se e kuptojmë sovranitetin e secilit shtet, por në të njëjtën kohë jemi munduar ta paraqesim perspektivën tonë evropiane, duke thënë se mosnjohja nga këto shtete po e pengon rrugën tonë evropiane.

“Epoka e re”: Në fazën e dytë të projektit ju pohuat se do të pretendoni të dërgoni njerëz nga Kosova në këto vende. Cilat shtresa të njerëzve do të përshihen?
Emra: I kemi tre sektorë kyçë. Mediet i kemi numër një, sepse dihet se çfarë ndikimi kanë, ndërsa më herët nuk kemi mundur ta bëjmë një gjë të tillë. Pastaj, shoqëria civile, e cila është e targetuar tek organizatat që merren me këtë sektor. Sektorin tjetër që e kemi prioritet është ai ekonomik. Në javën tjetër do të takohemi me ministrat e kësaj fushe dhe me Odën Ekonomike, ku do t`i marrim sugjerimet prej tyre se si t’i qasemi secilit shtet në këtë aspekt. Duhet të mendojmë se cila prej gazetave, kush prej shoqërisë civile e kush prej bizneseve është i gatshëm të përfshihet në këtë projekt.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)