19 Maj 2024

Çitaku: S’do të ketë Republika Serbska në Kosovë

Prishtinë, 19 dhjetor - Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, ka thënë se platforma e Serbisë për Kosovën është një fontanë me dëshira të dështuara.

Madje ajo ka deklaruar se nuk do të ketë Republika Serbska në Kosovë. “Platforma e Serbisë është një fontanë dëshirash të dështuara. Me asnjë kusht dhe me asnjë çmim nuk do të importojmë modele të dështuara, as nuk e kemi ndërmend të krijojmë një monster politik e administrativ.

Serbia e di dhe këtë ia kanë thënë qartë të gjithë, se nuk do të ketë Republika Serbska në Kosovë”, ka thënë Çitaku për “Epokën e re”.

Ndaj platformës së Serbisë për Kosovën kanë reaguar edhe partitë opozitare. Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymeri, ka thënë se Serbia nuk ka ndryshuar fare qëndrimin e saj karshi Kosovës dhe shqiptarëve.

“Ajo vazhdon ta synojë kontrollin mbi Kosovën dhe këtë dëshiron ta ndërtojë nëpërmjet kontrollit faktik mbi një pjesë të territorit të Kosovës, të cilin e do me status autonom nën kontroll të strukturave që i kontrollon, ashtu siç bën me Bosnjën”, ka thënë Ymeri për “Epokën e re”.

Ai ka theksuar se ky apetit i Serbisë lidhet me negociatat që janë duke u zhvilluar ndërmjet Thaçit e Daçiqit.

“Kjo gjë ka qenë dashur të jetë e pritshme për të gjithë ata që i kanë përcjellë me vëmendje zhvillimet politike në dhe rreth Kosovës. Ky apetit lidhet ngushtë me negociatat që Hashim Thaçi po i zhvillon me bashkëpunëtorin e tij Ivica Daçiqin.

Ky synim i Serbisë doli në pah në platformën e koalicionit të saj fashist mes socialistëve dhe radikalëve, që e kanë qeverinë atje, platformë kjo e cila është përpiluar për negociatat”, është shprehur Ymeri, duke shtuar se me ndaljen e negociatave parandalohet krijimi i kësaj autonomie.

“Pra, ndalja e negociatave në njërën anë dhe intervenimi shtetëror e institucional në veri në anën tjetër e parandalojnë krijimin e kësaj autonomie. Mirëpo negociatat nuk ndalen pa u ndal kjo qeveri, meqenëse kjo është qeveri e negociatave të cilat janë në funksion të autonomisë për veriun”, ka theksuar Ymeri.

Kurse sekretari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka thënë për “Epokën e re” se platforma e Serbisë për Kosovën është bërë për konsum të brendshëm politik.

“Platformat e Serbisë për Kosovën vazhdojnë të jenë sipas interesit të tyre. Kjo platformë është bërë për konsum të brendshëm politik sepse po tentohet të tregohet para qytetarëve se kinse po mbahet Kosova nën Kushtetutën e Serbisë.

Prandaj, kjo ka vetëm efekt politik të brendshëm e nuk ka efekt në Kosovë sepse Kosova e ka ofertën jashtëzakonisht të mirë për qytetarët e saj të komunitetit serb në bazë të Kushtetutës së Kosovës”, ka deklaruar Ramadani.

Ai ka thënë se të gjithë duhet ta kenë të qartë se çështja e veriut do të zgjidhet në kuadër të Kushtetutës dhe Planit të Ahtisarit. “Prandaj autonomia territoriale edhe për ndonjë pjesë të Kosovës nuk është e paraparë në Kushtetutën e Kosovës dhe një gjë e tillë dëmton funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Pra, nuk do të realizohet ky projekt i Serbisë sepse si i tillë nuk ka asnjë argument politik dhe as të formave të tjera për të ndodhur”, është shprehur Ramadani.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)