28 Prill 2024

Bie niveli i kënaqshmërisë me institucionet vendore

Prishtinë, 23 maj - UNDP në një konferencë për shtyp sot lansojë Faktet e Shpejta të Pulsit Publik IV të cilat janë një rezyme e shkurtër e indikatorëve kyç dhe rezultateve të anketës, sipas te cilës niveli i kënaqshmërisë me punën e Qeverisë dhe Kryeministrit ka shënuar rënien më të madhe që nga viti 2007.

Rezultatet e studimit në muajin prill 2012 tregojnë një ulje të përgjithshme në kënaqshmërinë e njerëzve me punën e institucioneve kryesore ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore të Kosovës.

Sipas studimit vetëm 21 për qind e qytetarëve janë të kënaqur me punën e Qeverisë dhe rreth 24 për qind  të tyre janë të kënaqur me punën e Kryeministrit.

Ngjashëm, krahasuar me të dhënat e nëntorit 2011,  qytetarët paraqiten të jenë më pak të kënaqur edhe me punën e Kuvendit, Kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit.

Këto janë vetëm disa nga faktet kryesore të Pulsit Publik Nr. 4 që u shpalosën sot në një konferencë për shtyp nga UNDP. Anketa është zhvilluar gjatë muajit prill me 1,280 respondentë.

Gjithashtu niveli i kënaqshmërisë me gjyqësorin nuk përbën ndonjë përjashtim në trendin e rënies me institucionet tjera kryesore. Ndërkohë që niveli i kënaqshmërisë me punën Zyrës së Prokurorisë ka rënë për 4 pikë përqind.

Pakënaqshmëria publike me orientimin ekonomik të Kosovës është madje edhe më e lartë: 79 për qind e të anketuarve janë të pakënaqur apo shumë të pakënaqur me orientimin aktual ekonomik të Kosovës, ndërsa vetëm 3.7 për qind janë të kënaqur apo shumët të kënaqur.

Papunësia perceptohet të jetë një prej problemeve kryesore me të cilin përballet Kosova. Ngjashëm me nëntorin 2011, rezultatet e anketës tregojnë që 34 për qind e Kosovarëve besojnë që lidhjet familjare janë faktori më i rëndësishëm për t’u punësuar në sektorin publik ndërsa 24 për qind besojnë që ryshfeti është faktori më i rëndësishëm.

Vetëm 16 për qind e të anketuarve besojnë që arsimimi, përvoja profesionale dhe trajnimet janë të rëndësishme kur kërkon punësim në sektorin publik.

Në anën tjetër janë 13.5 për qind që besojnë që përkatësia partiake është faktori më i rëndësishëm për të fituar punësimin.
 
Korrupsioni gjithashtu konsiderohet të jetë një prej problemeve kryesore me të cilat ballafaqohet Kosova.

Kur të anketuarit janë pyetur për përceptimet e tyre për korrupsionin për organizata të ndryshme, Agjencia Kosovare e Privatizimit (49 për qind krahasuar me 52 për qind në nëntor të vitit 2011), KEK (47 për qind krahasuar me 61 për qind në nëntor 2011), gjykatat (44 për qind krahasuar me 55 për qind në nëntor 2011) dhe spitalet (43 për qind) janë raportuar si institucionet kryesore ku mbizotëron shkallë e lartë e korrupsionit.

Derisa institucionet me nivelin më të ultë të perceptuar të korrupsionit janë OJQ-të (14 për qind), Organizatat Ndërkombëtare dhe Policia e Kosovës (PK).

Edhe pse shumica e qytetarëve kanë një mendim për prezencën e korrupsionit, vetëm 8 për qind e tyre raportohet të kenë pasur përvojë personale (u është kërkuar para, dhuratë, etj).

Mendimet e shumicës së kosovarëve, 59 për qind, për korrupsionin janë të bazuara në informacionin e medieve dhe bisedat me të afërmit-miqtë (23 për qind e të anketuarve).

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)