29 Prill 2024

Besnik Krasniqi jep dorëheqje nga AGPK

Prishtinë, 5 prill – Gazetari i Kohës Ditore, Besnik Krasniqi, përmes një kumtese me shkrim ka njoftuar mediet se jep dorëheqje  nga të qenit anëtar i Asociacionit të Gazetarëve të Pavarur të Kosovës, për aq kohë sa do të zgjasë mandati i anëtarëve aktualë të Bordit. Shkak i kësaj dorëheqje është mungesa e një reagimi publik i AGPK-së për verdiktin e Universitetit të Prishtinës që të më mbyllë rrugët e komunikimit, në cilësinë e gazetarit.

Në këtë njoftim, ndër të tjera, Krasniqi ka theksuar: “ Përcaktimi juaj më jep sinjal se qëndrimet e Bordit ndikohen nga interesat specifike të anëtarëve të tij.

Mungesën e një reagimi e kuptoj edhe si standard të dyfishtë që ju aplikoni. Pak kohë më parë kemi pasur dy reagime publike të Bordit, me të cilat dënohen vendimet e dy ministrave që ishin deklaruar për të mos iu përgjigjur kërkesave të gazetës “Zëri”, sa herë që kjo gazetë të kërkojë nga ta qëndrime zyrtare. Në rastin tim, një institucion i tërë aplikon masën e ndalesës së komunikimit dhe për këtë ka lëshuar vendim zyrtar, i cili është bërë publik për të gjithë.

Vlerësoj se sjellja e UP-së në raport me mua përbën rast të paprecedent të shantazhit e kërcënimit në Kosovë. UP-ja po e bën këtë në mungesë faktesh për të demantuar raportet e publikuara në “Koha Ditore”, që flasin për abuzimin me detyrën nga rektori. Nuk ka dyshim se UP-ja ka shpifur, madje, në rastin më të keq, ka fabrikuar diçka në dosjen time, të cilën ata e posedojnë.

Nuk kam pritur nga kurrkush, dhe as nga ju, që të bëni avokatin tim sa i takon “dyshimeve” të ngritura nga UP-ja. Për më shumë, ju lus që të përmbaheni nga vlerësimet dhe cilësimet gjatë debateve të mundshme publike në lidhje me këtë proces, meqë mosnjohja e proceduarve administrative dhe gjyqësore mund të çojë në keqinterpretime dhe keqinformim të panevojshëm. Përfaqësuesi ligjor, të cilin tashmë e kam angazhuar, është personi kompetent që mund të flasë për këtë rast.

Sa për dijeninë tuaj, as Universiteti dhe as një institucion tjetër, pos Prokurorisë dhe Policisë, nuk mund të bëjë kualifikime të veprave penale. E, arsyetimi verbal që më keni dhënë për mos reagim, më ka lënë të kuptoj që edhe ju po luani rolin e gjykatësit, duke i përligjur pretendimet e rektorit. Konsideroj që nuk është e udhës që ende të thirreni në reagimin e vitit të kaluar ndaj deklaratave të rektorit, ngaqë vendimi i tashëm i UP-së ka krijuar një realitet krejt të ri.

Ky përcaktim juaji, që për mua ka qenë befasues, ma ka krijuar bindjen ta ndiej të tepërt dhe fare të padobishme anëtarësinë në AGPK. Prandaj, vendosa të heqë dorë nga kjo anëtarësi për aq kohë sa Bordi ka këtë përbërje’, përfundon Krasniqi.

AGPK ende nuk është prononcuar rreth kësaj dorëheqjeje.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)