11 Maj 2024

Besim Ilazi i bindur në fitore

Prishtinë, 11 qershor - Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, në këtë intervistë për “Epokën e re” është shprehur i bindur në fitoren e tij në zgjedhjet e së dielës.

Madje, Ilazi është i sigurt se do ta fitojë ‘betejën’ për ta qeverisur komunën e Kaçanikut qysh në raundin e parë të zgjedhjeve. “Besoj, madje fuqishëm, në fitoren time dhe të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Jam i bindur se mandatin për të qeverisur edhe më tutje komunën e Kaçanikut do ta fitojmë qysh në raundin e parë të zgjedhjeve, më 17 qershor. Kemi punuar shumë për të mirën e qytetarëve dhe do të vazhdojmë edhe më tutje të jemi në shërbim të tyre”, ka thënë Ilazi.

Ai ka premtuar se me ardhjen në pushtet do ta vazhdojë realizimin e projekteve të ndryshme, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e Komunës së Kaçanikut në përgjithësi. “Nëse qytetarët votojnë PDK-në dhe Besim Ilazin më 17 qershor, ata do të votojnë për bashkëpunim, bashkëqeverisje, transparencë, llogaridhënie, si dhe për qeverisje të mirë”, është shprehur Ilazi.

“Epoka e re”: Zoti Ilazi, zyrtarisht sot (e hënë) do të fillojë fushata parazgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Kaçanikut, çfarë modeli të fushatës do të aplikoni?
Ilazi: PDK-ja tashmë ka një traditë shumë të mirë të fushatave parazgjedhore. Të njëjtën seri që ka përdorur në të gjitha fushatat e kaluara do ta përdorim edhe në Kaçanik. Gjatë këtyre ditëve do të zhvillojmë një fushatë të qetë, demokratike, pa fyerje e pa sharje, por në bashkëpunim dhe bashkëbisedim me qytetarët e komunës së Kaçanikut. Gjithashtu, do të kemi edhe tubime të mëdha, në të cilat do të jetë i pranishëm edhe lidershipi i PDK-së. Sot (e hënë) do ta mbajmë tubimin e madh publik, në të cilin do ta fillojmë fushatën, po ashtu të premten do ta kemi tubimin përmbyllës të fushatës. Këto ditë para qytetarëve do ta shpalosim programin tonë, prandaj shpresojmë dhe besojmë fuqishëm se programi ynë do të votohet nga kaçanikasit.

“Epoka e re”: Cila është platforma juaj qeverisëse?
Ilazi: Edhe më tutje do ta forcojmë administratën komunale dhe do ta bëjmë atë edhe më të suksesshme. Pastaj do të vazhdojmë me realizimin e projekteve të ndryshme, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e komunës së Kaçanikut.

“Epoka e re”: Përveç këtyre, për çfarë arsye tjetër duhet t’ju votojnë kaçanikasit?
Ilazi: Qytetarët e komunës së Kaçanikut kanë arsye për të votuar PDK-në, sepse PDK-ja është partia që ka qenë në pushtet vite me radhë, e cila ka ndryshuar Kaçanikun dhe qytetarët janë të kënaqur me ndryshimet pozitive që janë bërë. Kaçanikasit për më shumë se një dekade janë duke bashkëjetuar me të mirat që i ka bërë PDK-ja në këtë komunë. Nëse qytetarët votojnë PDK-në dhe Besim Ilazin më 17 qershor ata do të votojnë për bashkëpunim, bashkëqeverisje, transparencë, llogaridhënie, si dhe për qeverisje të mirë.
 
“Epoka e re”: Si e vlerësoni garën për kryetar të komunës së Kaçanikut?
Ilazi: Mendoj se do të jetë një garë fer, e ndershme dhe demokratike. Kemi punuar në atë drejtim dhe shpresojmë shumë që të gjithë kandidatët të sillen konformë rregullave në mënyrë që të kemi një proces të lirë dhe demokratik. Kurse sa i përket rezultatit, ai do të varet nga vota e qytetarëve, i cili duhet të pranohet nga të gjithë ne që jemi pretendentët për kryetar të komunës së Kaçanikut.

“Epoka e re”: Nuk i frikësoheni konkurrencës në këtë “betejë”?
Ilazi: Jo, absolutisht, pasi mendoj se gara do të jetë fer. Çdoherë konkurrenca është e mirë, por në mesin e të mirëve besoj se do të votohet më i miri. Pra, besoj fuqishëm se edhe më 17 qershor kaçanikasit do të votojnë për PDK-në, e cila do të dalë fituese e kësaj gare zgjedhore.

“Epoka e re”: Besoni në fitore?
Ilazi: Besoj, madje fuqishëm në fitoren time dhe të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Jam i bindur se mandatin për ta qeverisur edhe më tutje komunën e Kaçanikut do ta fitojmë qysh në raundin e parë të zgjedhjeve, më 17 qershor. Kemi punuar shumë për të mirën e qytetarëve dhe do të vazhdojmë edhe më tutje të jemi në shërbim të tyre.

“Epoka e re”: Si do ta shpërbleni besimin e qytetarëve?
Ilazi: Me tërë qenien time fizike, intelektuale dhe politike do të jem në shërbim të qytetarëve të Komunës së Kaçanikut. Do të jem në shërbim të të gjitha shtresave të qytetarëve, pa bindje partiake. Në çastin që unë do të jem kryetar i komunës së Kaçanikut të gjithë qytetarët do të jenë të njëjtë dhe s’do të ketë dallime sipas bindjeve partiake. 

“Epoka e re”: Me cilin projekt mendoni se do të mbeteni në mendjen e qytetarëve të komunës suaj?
Ilazi: Asnjëherë nuk do t’i zhgënjej qytetarët e Komunës së Kaçanikut, sepse do të punoj për ta dhe për të mirën e tyre. Besoj shumë se angazhimi dhe puna ime do të mbesin shumë gjatë në mendjen e qytetarëve kaçanikas, sikurse do të mbetet i përhershëm besimi i tyre për Partinë Demokratike të Kosovës. Falë punës dhe përkushtimit tim dhe të partisë time qytetarët nuk do të pendohen që kanë votuar PDK-në dhe Besim Ilazin për kryetar të komunës së Kaçanikut.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)