11 Maj 2024

Berisha në Prizren: Fqinjët të lënë paragjykimet

Prizren, 10 qershor - Në Prizren është mbajtur manifestimi qendror për shënimin e 134 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku të pranishëm ishin dy kryeministrat shqiptarë, Hashim Thaçi dhe Sali Berisha, kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, kryetari i BDI-së, Ali Aahmeti, ministra e deputetë të Shqipërisë dhe Kosovës dhe shumë qytetarë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi tha se sot është një festë e madhe dhe se janë mbledhur në qytetin historik të Prizrenit, të shënojnë 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, për ta nderuar ngjarjen më madhore të kombit shqiptar në shekullin XIX dhe 134 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Ai tha se Lidhja e Prizrenit, është organizata më e rëndësishme ushtarake dhe politike e popullit shqiptar.

Thaçi po ashtu pohoi se më 10 qershor 1978 përfaqësues të viseve shqiptare u mblodhën në Prizren dhe e themeluan organizatën me karakter politik-ushtarak, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, që iu kundërvu copëtimit të tokave shqiptare me të gjitha mjetet.

Ai tha se rilindasit shqiptarë ishin personalitete që me dualizëm shqiptar vunë themelet e ndërgjegjes kombëtare, duke tejkaluar ndarjet krahinore, politike dhe fetare. Rilindja Kombëtare, sipas tij krijoi vetëdije për identitetin kombëtar shqiptar. Për këtë kontribut iluminist dhe intelektual ai tha se shqiptarët i janë mirënjohës asaj plejade mendjendritur që punoi me aq përkushtim patriotik, si Naim dhe Sami Frashëri, Gjergj Fishta dhe Faik Konicës, personalitete këto që me mençuri dhe vizion, reaguan përballë rreziqeve që cenonin ekzistencën fizike të popullit tonë.

“Në zhvillimet dramatike që kaluan shqiptarët gjatë luftës së parë ballkanike, ndodhi paradoksi historik. Territori shqiptar që kishte kontribuar më së shumti për bërjen e Shqipërisë, Kosova por dhe viset tjera shqiptare mbeten jashtë Shqipërisë. Kosova me gjithë fatin tragjik, e ruajti esencën dhe bërthamën e saj kombëtare. Gratë dhe burrat që u angazhuan në procesin e pavarësisë së Shqipërisë, vazhduan me të njëjtin idealizëm për çlirimin e Kosovës, duke dhënë jetën për ëndrrat dhe idealin e lirisë së Hasan Prishtinës, Shotë Galicës, Azem Bejtës dhe shumë patriotë të tjerë. Pavarësia e Kosovës në shekullin 21, e korrigjoi padrejtësinë historike ndaj shqiptarëve në fillim të shekullit XX. Pavarësia e Kosovës, i dha kuptim edhe Lidhjes së Prizrenit. Pavarësia e Kosovës i dha kuptim dhe Pavarësisë së Shqipërisë dhe forcoi kombin shqiptar”, tha ai.

Kryeministri Thaçi me rastin e shënimit të 134 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, në emër të institucioneve të Kosovës shprehu falënderim për NATON, SHBA-të dhe të gjithë mbështetësit e Kosovës.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha tha se Lidhja e Prizrenit përbën mrekullinë më të madhe shqiptare të të gjitha kohërave. Lidhja e Prizrenit sipas tij shënon ngjarjen më kulmore pas luftërave të Skënderbeut në Historinë e kombit tonë, ngjarje në të cilën shqiptarët që shtriheshin në territorit e Ballkanit kishin qenë subjekt sulmesh, pushtimesh barbarish dhe ndarjesh të shumta.

Lidhja e Prizrenit, siç tha ai, ia doli të përballet me pushtetin dhe vullnetet e liga të superfuqive. Lidhja e Prizrenit sipas tij shpalli integritetin e territoreve shqiptareve dhe i tha botës së për shqiptarët dhe trojet e tyre do të vendosim ne vet shqiptarët. Andaj edhe sot çdo shqiptar kudo që është përulet me nderimin me të thellë, para këtij tempulli ku lindi populli shqiptar si opsion politik, ku lindi ideali i bashkimit të trojeve shqiptare.

“Nga Prizreni edhe njëherë dua t’i ftoi fqinjët tanë, të lirohen nga paragjykimet ndaj shqiptarëve dhe t’i lënë në një anë tentimet që edhe të tjetër kanë bërë mjaftë të tilla dhe u kanë shkuar huq. Të përpiqemi që së bashku të ndërtojmë atë të ardhme që kërkojnë popujt tonë. të përpiqemi të ndërtojmë të ardhmen evropiane si e ardhmja më e shkëlqyer e shqiptarëve”, tha ai.

Ai nga Prizreni i ftoi shqiptarët që së bashku të përpiqen të ndërtojnë të ardhmen evropiane, si e ardhmja më e shkëlqyer, për të gjithë banorët e këtij gadishulli.

Sipas tij Lidhja e Prizrenit përbën mrekullinë ndoshta më të madhe shqiptare të të gjitha kohërave. Lidhja e Prizrenit shënon ngjarjen më kulmore, pas luftërave të Skënderbeut në historinë e kombit tonë. Ngjarje, në të cilën shqiptarët që jetonin dhe shtriheshin në territoret më të gjëra të Ballkanit, që kishin qenë objekt dhe subjekt sulmesh, pushtimesh, barbarish, ndarjesh të shumta, do të mblidheshin këtu, do të mblidheshin në këtë tempull me kushtrimin, “Një Komb një Qëndrim”, do të mblidheshin këtu, do të zgjoheshin si anteu me idealin e bashkimit kombëtar, me idealin e lirisë, dinjitetit të shqiptarëve. Kohërat, në të cilën udhëheqësit e të gjitha trevave shqiptare u mblodhën në këtë tempull, ishin orët më të vështira të kombit shqiptar. Europa gjendej në orën e padrejtësive të saj më të mëdha. Superfuqitë e asaj kohe po vendosnin eliminimin e shqiptarëve si nocion politik, po vendosnin copëtimin e kombit që i kishte dhënë Europës  Perandorë dhe Papë që kishin themeluar krishtërimin dhe qytetërimin e tyre, po vendosnin që trojet e shqiptarëve të shndërroheshin në plaçkë tregu për armiqtë dhe barbarët që kishin ushtruar ndaj tyre genocide dhe programet më të egra. Këto ishin rrethanat në të cilat u mblodhën këtu, Iliaz Pashë Dibra, Omer Prizreni, Abdyl Frashëri, Zija Prishtina, Abedin Dila dhe burra të tjerë, nga të gjitha trevat shqiptare. Ata do të mblidheshin këtu të bindur se, bashkimi i kombit ishte rruga e vetme për tu përballuar me mynxyrat që gatuheshin  në Shën Stefan, në Berlin dhe kancelaritë e tjera të Europës të asaj kohe.

"Lidhja e Prizrenit ia doli të përballet me pushtetin dhe vullnetet e liga të Superfuqive të kohës, të krijojë ushtrinë shqiptare pas katër shekujsh të ushtrisë së Skënderbeut, të krijojë diplomacinë shqiptare, katër shekuj pas diplomacisë së Skënderbeut. Lidhja, shpalli integritetin e territoreve shqiptare dhe i tha botës se për shqiptarët për trojet e tyre do të vendosim ne, do të vendosim vetë ne shqiptarët", ka pohuar ai.

Ndaj dhe sot, çdo shqiptar kudo që është, përulet me nderimin më të thellë, para këtij tempulli. Tempulli ku lindi kombi shqiptar si nocion politik, tempulli ku lindi ideali i bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, tempulli ku lindi ideali kombëtar , “Një Komb një Qëndrim”, tempulli që do tu ndriçojë rrugën shqiptarëve në të gjitha kohërat për të sakrifikuar për lirinë dhe dinjitetin e tyre.

"Sot është një ditë nderimi të madh për Kosovën, për Prizrenin. Çdo shqiptar ka vetëm një fjalë, faleminderit Kosovë, faleminderit Prizren, se lidhja e Prizrenit ishte kryengjarja që do tu printe përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet në 134 vjet me radhë.
Faleminderit Kosovë, se në Kosovë, pas saj u organizua Lidhja e Pejës. Faleminderit Kosovë, se këtu lindi ushtria e shqiptarëve, e cila u përball me superfuqitë, dogji ushtri të tëra për tu dalë zot trojeve të veta.
Faleminderit Kosovë se këtu u organizuan kryengritjet e mëdha, të cilat sollën pavarësinë e Shqipërisë.
Faleminderit Kosovë, se nuk u përkule kurrë edhe pse mbete në robëri, qëndrove me një rezistencë, e cila solli në fund të fundit çlirimin e Kosovës, pavarësinë e saj.

Adem Jashari Legjendë e trimërisë njerëzore


Faleminderit Kosovë se nxore burra të mëdhenj si Sulejman Vokshi, Mic Sokoli, nxore luftëtar të mëdhenj të lirisë, si Azem dhe Shote Galica, Shaban Polluzha, legjendë të trimërisë njerëzore si Adem Jashari, Agim Lladani, Shefqet Berisha, Remzi Ademi, vëllezërit Hajredinaj dhe qindra e mijëra të tjerë.
Faleminderit Kosovë, se nxore burra mendje ndritur si Ibrahim Rugova, i cili organizoi rezistencën paqësore më të shkëlqyer që Europa ka njohur në tërë historinë e saj dhe çështjen tënde të drejtë, çështjen e drejtë të shqiptarëve nga një barakë në qendër të Prishtinës, e dërgoi deri në dhomën ovale të Shtëpisë së Bardhë.
Faleminderit Kosovë, se djemtë dhe vajzat e tua, vaditën me jetën, me rininë, me gjakun e tyre lirinë mbi të cilën qëndrojmë ne sot të lirë, bënë luftën çlirimtare të fundit në Europë, çliruan Kosovën njëherë e përgjithmonë. Bënë të mundur që të mblidhemi sot, si gra dhe burra të lirë, të shohim në sy njeri-tjetrin si njerëz të lirë, të këndojmë këngën e lirisë, të ndërtojmë të ardhmen që meritojmë", ka pohuar ai.
Dua të përcjell mirënjohjen më të thellë, nderimin më të madh për të gjithë veprën e madhe të qytetarëve të Kosovës, në historinë tonë kombëtare, por ne kremtojmë këtë ngjarje në një ditë të shënuar, ditë në të cilën, kohë në të cilën, trupat e bekuara të Aleancës më të fuqishme të lirisë hynë në Kosovë, në emër të lirisë të të drejtave të qytetarëve të tyre. Ata ishin dishendent të atyre që kishin firmosur Shën Stefanin, që kishin firmosur kongresin e Berlinit.
Zoti i bekoftë ata, popujt, ushtritë, forcën e tyre. Mirënjohjen më të thellë kanë nga të gjithë shqiptarët dhe një mirënjohje të përjetshme mikut më të madh të kombit shqiptar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kombit, qeverisë, Kongresit Amerikan, presidentit  Obama, për përkrahjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë çështjes së drejtë të lirisë së shqiptarëve.
Nga Prizreni dhe Berisha ka ftuar ftuar fqinjët tanë të çlirohen nga paragjykimet ndaj shqiptarëve, të lënë mënjane betimet mbi ne, se dhe të tjerë kanë bërë mjaft të tilla dhe ju kanë shkuar huq.  "Të përpiqemi sëbashku të ndërtojmë atë të ardhme të cilën kërkojnë popujt tanë. Të përpiqemi sëbashku të ndërtojmë të ardhmen Europiane, si e ardhmja më e shkëlqyer e shqiptarëve, maqedonasve, malazezëve, serbëve të gjithë banorëve të këtij Gadishulli", ka pohuar ai.

"Dhe njëherë lavdi atyre që organizuan, që mblodhën këtu Kuvendin e shpëtimit shqiptar, lavdi luftëtarëve të lirisë së Kosovës në të gjitha kohërat, që bëtë të mundur me sakrificën e tyre sublime, të mblidhemi sot në këtë shesh, të nderojmë sot këtë tempull, si burra dhe gra të lirë të vendeve tona", ka përfunduar Berisha.

Edhe Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik Shqiptar (BDI), tha se Lidhja e Prizrenit ishte ajo që mbajti gjallë shqiptarët.

“Ne jemi nga palca e gurit dhe e këtyre burrave që 134 vjet më parë i bashkuan shqiptarët. Andaj ne nuk na mbetet gjë tjetër si elitë shqiptare të vazhdojmë që shqiptarët të jemi të bashkuar në Bruksel. Që jo shumë larg të mbeten pa kufi të shndërrohet në relikte, siç i ka shndërruar Evropa”, tha ai.

Ramadan Muja, kryetar i Komunës së Prizrenit, tha se janë mbledhur sot në përvjetorin e 134-të të Lidhjes së Prizrenit, për të festuar së bashku këtë ditë të madhe të kombit tonë, këtë vit kur ky përvjetor bëhet edhe më i rëndësishëm, sepse mbahet në 100 vjetorin e republikës së pavarësisë Shqipërisë.

Muja po ashtu pohoi se pas 100 vjet përpjekje dhe sakrifica, lufta çlirimtare e Kosovës, është shembull më i mirë i historisë më të re të Ballkanit dhe Evropës së për liri demokraci dhe vizion evropian.

Sot në këtë përvjetor të lidhjes shqiptare të Prizrenit dhe 100 vjetorin e shtetit shqiptar, ai tha se Kosova e pavarur demokratike e sovrane, i qëndron besnike dhe bashkërrugëton me Shqipërinë dhe kombin shqiptar, drejtë Evropës për të ofruar vlerat e veta në familjen e madhe të kombeve të lira.

“Themelet e konceptit liridashës e patriotik të kombit tonë, u vunë në këtë vend para 134 vjetësh. Të bashkuar në mendje një trup dhe njëzëri, burrat e mëdhenjtë të trojeve shqiptare, nderuan përpjekjet, vuajtjet dashurinë për liri, ëndrrën për shtet dhe shtruan rrugën për kombin tonë, me vullnet qytetar e atdhedashës. Misioni i organizatës politiko ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që 134 vjet, është udhërrëfyesi më i mirë i përpjekjeve tona për shtet dhe të ardhme të ndritur”, tha Muja.

Ndryshe, me aktivitete të shumta në Prizren, sot shënohet 134 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku manifestimi qendror ishte në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit.

Po ashtu gjatë ditës, do të ketë edhe organizime tjera, si organizimi i panairit të produkteve vendore, e organizuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe Komuna e Prizrenit, pastaj fillon Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Roli i mërgatës në shetformim” dhe për ta bërë sa më madhështore këtë ditë, do të mbahet edhe një koncert, me pjesëmarrjen e artistëve të ansambleve folklorike nga Shqipëria dhe Kosova.

Shënimi 134 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, organizohet në kuadër të aktiviteteve të shënimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)