30 Prill 2024

Beogradi me genjeshtra tenton të ndaloj njohjet e Kosovës

Prishtinë 8 shtator - Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës sqaron opinionin rreth propagandës së fundit të plasuar në medie nga Beogradi, për çështjen e njohjeve të Kosovës nga Guinea- Bisau dhe Sulltanati i Omanit:

-         Republika e Kosovës më datë 30 janar 2011 ka marrë notë verbale nga Sulltanati i Omanit, me nr. të referencës 7102/700710/181/2011 dhe të nënshkruar nga lartmadhëria e Tij Sulltani Qaboos Bin Said dërguar ish-presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ku thuhet se: “Njohim pozitën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë drejt pavarësisë së Kosovës dhe Qeveria e Sulltanatit të Omanit e mirëpret anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Kombe të Bashkuara dhe organizatat e tjera ku Kosova dëshiron të marrë pjesë”.

-         Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka marrë notën verbale më datën 10 Janar 2011 nga Kryetari i Republikës së Guinea-Bisau ku thuhet: “Autoritetet e Republikës së Guinea- Bisau kanë njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës duke dëshiruar të etablohen marrëdhëniet diplomatike sa më shpejt që është e mundur”.

-         Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dhe shtetet partnere në ndërkohë kanë pasur kontakte me këto dy shtete, të cilat kanë konfirmuar qëndrimin e tyre të mëhershëm kundrejt Republikës së Kosovës.

-         MPJ konsideron se të pavërtetat e prezantuara nga qeveria e Beogradit janë tentativë mediale për ta shpërqendruar vëmendjen nga kërkesat reale për njohje të kufijve të Kosovës nga ana e Serbisë, bërë këto ditë nga shtetet kryesore të BE-së dhe konfirmon se pret edhe një seri të njohjeve në javët në vazhdim.