30 Prill 2024

Bashkëpunimi rajonal është rruga e vetme drejt BE-së

Prishtinë, 15 shtator - Ministrja e Integrimit Europian të Kosovës, Vlora Çitaku priti në një takim Teuta Arifin, Zëvendës Kryeministre për Integrim Europian në Republikën e Maqedonisë.

Takimi u përqendrua në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në thellimin e bashkëpunimit rreth procesit të Integrimit Europian. Ministrja Çitaku tha se e ardhmja e Ballkanit perëndimorë është në BE dhe se bashkëpunimi rajonal është rruga e vetme drejt BE-së.

Kosova është e gatshme të bashkëpunoj me të gjitha shtetet fqinje duke përfshire edhe Serbinë, por Serbia duhet ta këtë të qarte se nuk mundet me njërën këmbë në BE dhe tjetrën në Mitrovicë.

Ministrja Çitaku tha se “Liberalizimi është prioritet i qeverisë së Kosovës dhe se ne jemi të bindur që shumë shpejt Kosova do të marrë udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave.”
 
Nga ana e saj Zv. Kryeministrja Arifi tha se është “shumë e inkurajuar me progresin e madh që ka bërë Kosova në rrugën e saj drejt BE-së, dhe shprehu gatishmërinë që shteti i Maqedonisë të ofroj mbështetje në fusha të ndryshme, sidomos me eksperiencën e saj në procesin e integrimi Europian pasi që  Maqedonia është ndër vendet e para të rajonit që ka pranuar statusin e vendit kandidat.

Gjithashtu, zgjidhja e emrit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë do ti hapte rrugë avancimit në procesin e Integrimit Europian të Maqedonisë, tha zv. Kryeministrja Arifi.


Ministrja Çitaku shprehu kënaqësinë për zhvillimet e deritashme ne raport mes dy vendeve të cilat janë në proces të thellimit dhe forcimit të mëtejmë, si dhe në nevojën për identifikimin e hapësirës për intensifikimin e mëtejmë të marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërmjet nesh.

Meqenëse Europa është pikësynim i përbashkët i dy shteteve tona, bashkëpunimi i ndihmon avancimit drejt procesit të integrimit sa më të shpejtë në familjen Europiane.