19 Maj 2024

Arrin nota verbale e njohjes së Kosovës nga Pakistani

Prishtinë, 27 dhjetor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pranuar notën verbale të njohjes zyrtare të Republikës së Kosovës nga Republika Islamike e Pakistanit.

Në notën verbale të Ministrisë së Jashtme të Pakistanit dërguar Ministrisë së Jashtme të Kosovës, theksohet se ky shtet ka marrë vendim për njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Islamike të Pakistanit shpreh komplimente për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe ka nderin që të deklarojë se Republika Islamike e Pakistanit ka vendosur që të njoh Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran”, thuhet në notën verbale.

Në notë, Ministria e Punëve të Jashtme e Pakistanit shpreh konsideratat më të larta për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Pakistani shtrihet në Azinë Jugore dhe ka një popullsi prej mbi 180 milionë banorë, duke qenë shteti i gjashtë më i populluar në botë.

Kryeqyteti i Pakistanit është Islamabadi dhe është shtet anëtar i Kombeve të Bashkuar prej vitit 1947.

Në kuadër të lobimit për njohjen e Republikës së Kosovës, ministri Hoxhaj disa herë ka takuar përfaqësues të lartë të Pakistanit.

Së fundi, në Xhibuti, gjatë pjesëmarrjes në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, më 17 nëntor 2012, ministri Hoxhaj, ka zhvilluar edhe një takim të veçantë me ministren e Punëve të Jashtme të Pakistanit, Hina Rabbani Khar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)