01 Maj 2024

Ambasadori Mirdita e mbyll mandatin e tij si ambasador në Gjermani

Berlin, 31 maj - Pas dekretit të presidentes së Republikës së Kosovës për tërheqjen e parakohshme nga posti i Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Republikën Federale Gjermane, ambasadori Vilson Mirdita ka zhvilluar takime lamtumirëse me autoritetet më të larta shtetërore dhe publike në vendin ku veproi si ambasadori i parë i vendit tonë.

Ambasadori Mirdita u prit me nderime të larta nga presidenti i porsazgjedhur i RF të Gjermanisë, Joachim Gauck, me të cilin ai zhvilloi një bisedë shumë përmbajtjesore.

Mirdita në emër të presidentes dhe të Qeverisë së Kosovës e falënderoi presidentin gjerman për përkrahjen e shtetit dhe popullit gjerman, të cilët i qëndruan pranë popullit të Kosovës në ditët më të vështira të tij.

Ambasadori Mirdita gjithashtu e informoi presidentin Gauck për arritjet në fusha të ndryshme si dhe për dinamikën e procesit të shtetndërtimit të Kosovës.

Ne takim u bisedua edhe rreth kulturës shqiptare në përgjithësi, me ç'rast u vlerësua figura madhështore e Nënë Terezës si dhe vepra monumentale letrare e shkrimtarit Ismail Kadare, për të cilin presidenti Gauck kishte respekt të madh.

Në vazhdën e takimeve lamtumirëse që duhet veçuar ishte edhe takimi me këshilltarin për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Kancelares Angela Merkel, Christoph Heusgen.

Edhe në këtë takim ambasadori Mirdita falënderoi Qeverinë Gjermane, duke e vënë theksin me këtë rast sidomos te qëndrimi i qartë i kancelares Merkel për sa i përket domosdoshmërisë së ndryshimit të qasjes së deritanishme të Serbisë ndaj vendit tonë.

Nga ana e tij, Heusgen e ka vlerësuar kontributin e madh të ambasadorit Mirdita në ngritjen e misionit të parë diplomatik të Republikës së Kosovës në RF Gjermane, mision ky i cili gjatë këtyre viteve punoi me përkushtim në forcimin dhe thellimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore kosovare-gjermane.

Ambasadori Mirdita ka zhvilluar edhe një mori takimesh me deputetë të partive të ndryshme politike nga të cilët ka marrë përgëzime për punën e tij të deritanishme. Gjithashtu, Mirdita ka zhvilluar takime edhe me shumë diplomatë të vendeve të ndryshme të akredituar në Berlin, në mesin e të cilëve edhe me ambasadorë të shteteve që ende nuk e kanë njohur shtetin Kosovën.

Me rastin e tërheqjes nga detyra, nga doajeni i korit diplomatik nunci apostolik Arqipeshkvi, Jean-Claude Perissét, ambasadorit Mirdita i është ndare edhe çmimi "Pjata e Argjendtë", me të cilën faktikisht nderohen vetëm ambasadorët që kanë përfunduar katër vjet të mandatit si ambasador fuqiplotë.

Me ftesë të sekretares së Shtetit, ambasadores Emily Haber, me rastin e përfundimit të mandatit, për nder të ambasadorit Mirdita është organizuar një drekë lamtumirëse ku ishin të ftuar ambasadorë dhe disa personalitete nga politika dhe kultura gjermane.

Në mesin e të ftuarve ishte edhe sportisti i mirënjohur shqiptar, ish-boksieri profesionist, Luan Krasniqi, i cili në Gjermani gëzon respekt të madh.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)