AKR me raporte të mira me partitë Liberal Demokrate evropiane
Prishtinë, 21 qershor - Aleanca Kosova e Re, përshëndet fuqishëm rezultatet e suksesshme të partive liberal demokrate në zgjedhjet e fundit në disa shtete të bashkësisë evropiane që kanë ndikim të madh në politik bërjen evropiane siç janë Anglia, Gjermania dhe së fundi Holanda.
Gëzim Mehmeti Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i AKR-së ka thënë së Ardhja e partive liberal demokrate në pushtet, në shtetet e ndryshme të Evropës si në Holandë, ku Partia Volkspartij voor Vrijheid en Demokratike (VVD), e cila ka dalë partia me rezultatet më të larta në zgjedhjet e fundit në Holandë dhe Kryeministri i ardhshëm i Holandës do të jetë radhët e kësaj Partie, do të shfrytëzohet nga AKR-ja që shteti i Republikës së Kosovës të bëhet sa më shpejt pjesë integrale e unionit evropian dhe që ardhmëria evropiane e qytetarëve të Kosovës të bëhet realitet.
AKR-ja sipas Mehmetit ka ndërtuar raporte të shkëlqyera me partitë Liberal Demokrate Evropiane , duke u profilizuar në vlerat liberal demokrate si anëtare e ELDR-i që ka një ndikim të madh në parlamentin evropian me 74 deputet si dhe 8 (tetë) EU Komisioner, prandaj ne do ti shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet dhe lidhjet për të përshpejtuar integrimet evropiane të shtetit tonë dhe që liberalizimi i vizave për qytetarët të Kosovës të bëhet sa më shpejt realitet.
"Liberalet e shohin demokracinë si mjet për të mbrojtur lirinë e qytetarëve dhe në qendër të filozofisë politike të konceptit liberal, është individi."
Mehmeti ka theksuar se AKR-ja thekson se dukuritë negative që janë të pranishme në Kosovë siç janë Korrupsioni, mosfunksionimi i shtetit ligjor dhe monopolet ekonomike do të jenë barriere për integrimin e Republikës së Kosovës në Unionin Evropian dhe realizimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës për liberalizimin e vizave.
AKR-ja është alternativë e vetme politike që dukuritë e lartpërmendura do ti luftoj pakompromis dhe qytetaret e Kosovës janë të bindur në pastërtinë vepruese, programore dhe shtetformuese të AKR-së.
Ndërkaq, Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i VVD-së, z. Ole Heil, shprehu mbështetjen e Partisë së tij për AKR-në, duke vlerësuar se AKR është një parti që lufton për të mirën e vendit të vet, veçanërisht në aspektin e integrimit të Kosovës në Strukturat Evropiane.
Ai tha se Kosova është një vend me nivel të lartë të korrupsionit dhe mungesa e funksionimit të ligjit është një ndër problemet kryesore për integrimin e Kosovës.
Heil tha se Partia e tij duke qenë tashmë në pushtet dhe duke pasur postin e Kryeministrit nga radhët e saj, do ta ketë shumë më të lehtë të mbështes Kosovën në proceset e integrimit të saj. Ai tha se partitë liberale evropiane dëshirojnë ti ndihmojnë Kosovës dhe bashkëpunimi me AKR-në do të jetë në këtë drejtim dhe në drejtim të avancimit të vlerave liberal demokratike në Kosovë, u shpreh Ole Heil, Sekretar për marrëdhënie me Jashtë i VVD-së.