18 Maj 2024

AKR-ja kërcënon

Prishtinë, 5 korrik - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca Kosova e Re (AKR) kanë përsëritur qëndrimin e tyre se marrëveshja politike e arritur në mes të tre liderëve: Thaçit, Mustafës dhe Pacollit - për zgjedhjen e Atifete Jahjagës në postin e presidentes - duhet të respektohet.

Përfaqësuesit e këtyre dy partive politike kanë deklaruar se marrëveshja politike në mes të tre liderëve, që pastaj ka pasuar me miratimin e një rezolute në Kuvendin e Kosovës, duhet të respektohet në tërësi.

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë për “Epokën e re” se, pavarësisht se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ky subjekt politik nuk ndryshon qëndrimin në respektimin e marrëveshjes politike në mes të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së për zgjedhjen e Jahjagës presidente.

Beqiri ka thënë se për LDK-në nuk do të jetë e pranueshme që një pjesë e marrëveshjes të respektohet e një pjesë tjetër të mos respektohet.

“Do ta presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ajo që për LDK-në është e pranueshme mbetet qëndrim i njëjtë se marrëveshja e arritur mes liderëve politikë dhe Rezoluta e Kuvendit të Kosovës duhet të respektohen. Konsiderojmë se çdo tentim të këto dy dokumente, te marrëveshja politike dhe Rezoluta e Kuvendit të Kosovës, të anashkalohet përbën shkelje të marrëveshjes, vendimit të Kuvendit.

Për LDK-në marrëveshja duhet të jetë e tërësishme, të respektohet e tëra, ashtu siç është arritur. Nëse nuk bëhet kjo atëherë nuk ka marrëveshje parciale, nuk mund që për LDK-në të jetë e pranueshme një pjesë e marrëveshjes të respektohet, kurse një pjesë tjetër të mos respektohet. Ky është qëndrimi i LDK-së”, ka thënë Beqiri, duke shtuar se këtë qëndrim para dy ditëve në takimin e Këshillit Kombëtar për Integrime e ka paraqitur edhe Isa Mustafa.


Edhe AKR-ja, e cila ka qenë pjesë e kësaj marrëveshje politike, ka paralajmëruar se nuk do të ndryshojë qëndrim. Sekretari i përgjithshëm i këtij subjekti politik, Ibrahim Makolli, ka thënë për “Epokën e re” se, pavarësisht se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në këtë vend duhet të ketë disa norma të cilat duhet të respektohen.

“Shoqëria kosovare ka nevojë për t’i respektuar ligjet, gjithashtu edhe politika duhet t’i respektojë ligjet. Ka nevojë për t’i respektuar marrëveshjet politike të cilat bëhen në rastin e krijimit të krizave politike.

Marrëveshjet janë instrumenti i vetëm për t’i zgjidhur këto kriza. Nëse nuk zbatohen marrëveshjet politike, në këtë rast një marrëveshje e cila është shndërruar në një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, atëherë shtrohet pyetja se çfarë me të vërtetë janë marrëveshjet politike?”, ka thënë Makolli.


Makolli ka thënë se marrëveshja duhet të respektohet nga të gjithë ata të cilët janë nënshkrues të saj.

 “Duhet të respektohet nga ata që e kanë nënshkruar, duhet të respektohet nga ana e Kuvendit të Kosovës, sepse kjo marrëveshje pastaj është shndërruar në rezolutë. Pra, marrëveshja dhe rezoluta duhet të respektohen nga ana e të gjitha institucioneve, në këtë rast edhe nga ana e presidentes, Kuvendit si dhe nga ana e partive politike që janë nënshkruese të kësaj marrëveshje”, ka thënë Makolli.


Ai ka deklaruar se marrëveshja që është arritur në mes të tre liderëve nuk mund të konsiderohet jokushtetuese. “Kuvendi i Kosovës nuk merr një vendim që është antikushtetues. Vullneti politik nuk është antikushtetues. Asnjë autoritet nuk e ka vlerësuar se është antikushtetuese marrëveshja. Ai që deklaron se është marrëveshje antikushteuese e bën gabimin më të madh”, ka deklaruar Makolli.


Në këtë kontekst, Makolli ka thënë se presidentja Jahjaga ka qenë e vetëdijshme se po vjen në postin e presidentes në bazë të një marrëveshje politike. “Në rrethana të tjera nuk do të mund të zgjidhej presidente e vendit. Edhe pse nuk është nënshkruese e marrëveshjes ajo ka qenë pjesë e marrëveshjes. Presidentes i është komunikuar marrëveshja dhe e ka pranuar një marrëveshje të tillë”, është shprehur Makolli.

I pyetur se a do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese AKR-ja, Makolli ka thënë se vendimet e këtij institucioni janë vendime.

“Ne mund të pajtohemi ose mund të mos pajtohemi, por në raste të tilla, kur nuk zbatohen marrëveshjet e arritura, atëherë ka rrezik që vendi të hyjë në kriza të tjera. Më tepër se një vit po punohet në disa drejtime për shkak të obligimeve që i ka dhënë Rezoluta e Kuvendit të Kosovës.

Nuk besoj se tashmë partitë të cilat kanë vepruar në bazë të asaj rezolute do të mund vazhdojnë më tutje për të përfunduar një çështje e cila ka dalë si rezultat i asaj marrëveshje”, ka thënë Makolli, përndryshe ka treguar se AKR-ja atëherë do ta rishikojë pozicionin e saj.

“Marrëveshja dhe rezoluta ose duhet të zbatohen në tërësi ose nuk do të zbatohen fare. AKR-ja do ta rishikojë pozicionin e saj karshi pjesëmarrjes së vet në trupat të cilat janë krijuar si rezultat i kësaj rezolute”, ka thënë Makolli.

Sipas tij, nëse nuk respektohet kjo marrëveshje politike, Kosova mund të hyjë në kriza të tjera politike, të cilat në beson se do të zgjidhen me më marrëveshje politike. “Asnjë prej partive politike nuk është e gatshme të hyjë në marrëveshje të cilat nuk respektohen”, ka thënë Makolli.

Një ditë më herët një burim i “Epokës së re” brenda Gjykatës Kushtetuese ka thënë se presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka mandat pesëvjeçar. “Kështu ka marrë vendim Gjykata Kushtetuese, i cili pritet të bëhet publik javën e ardhshme, saktësisht të hënën”, ka thënë i njëjti burim.

Atifete Jahjaga është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës më 7 prill të vitit 2011 me shumicën e votave të deputetëve, pas marrëveshjes politike ndërmjet Thaçit, Mustafës e Pacollit.


PDK-ja hesht

Disa nga zyrtarët e PDK-së të enjten nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje. Por, ndërkohë, një burim i gazetës brenda kësaj partie ka thënë se tashmë Thaçi është pajtuar të heqë dorë nga marrëveshja për ta respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)