07 Maj 2024

Akoma vazhdojnë të jenë të pagjetur edhe 1781 persona

Prishtinë, 27 prill - Shefi i EULEX, Xavier de Marnhac, me rastin e Ditës për të Pagjeturit në Kosovë ka thënë se edhe 1781 persona akoma vazhdojnë të jenë të pagjetur nga konflikti në Kosovë.

Prandaj sipas tij kjo është arsyeja pse EULEX-i po e ndihmon Departamentin e Mjekësisë Ligjore (DML) të Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë, në përpjekjet e tij për të zbardhur fatin e të pagjeturve.

Veç kësaj, lidhur me këtë çështje DML/EULEX sipas tij po bashkërendon në mënyrë intensive me shoqatat e familjeve, familjet veç e veç dhe me disa palë të tjera të interesit.

"Trembëdhjetë vite pas këtyre ngjarjeve tragjike që morën shumë jetë njerëzish, EULEX-i dhe DML-ja po vazhdojnë të kërkojnë dhe t’i gjejnë mbetjet mortore të tyre. Deri më sot, familjeve të tyre u janë kthyer mbetjet mortore të rreth 300 personave."

"Ky është rezultat i kërkimeve intensive dhe tri sezoneve të punës në terren, me  gjithsej 310 operacione në terren. Janë analizuar mijëra dokumente dhe më shumë se 1300 mostra eshtrash janë dërguar për analizën e AND-së", ka theksuar Marnhac.

Ai ka shtuar se këtë vit do të bëhen kërkime në më shumë se 30 lokacione potenciale. Përveç kësaj, kolegët tonë vendas do t’i fillojnë hetimet e tyre për rastet e mundshme të identifikimeve të gabuara si dhe operacionet e tyre në terren, të ndihmuara nga ekspertët e EULEX-it për mjekësi ligjore.

Mjekët e EULEX-it vazhdojnë t’i mentorojnë dhe monitorojnë kolegët e tyre vendas në strukturimin e një departamenti modern të mjekësisë ligjore. E tërë kjo punë është duke u bërë me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve vendase të qëndrueshme, në mënyrë që Ministria e Drejtësisë të mund ta vazhdojë këtë punë në të ardhmen me profesionalizëm të lartë.

"Përpara na presin shumë sfida, por EULEX-i do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Departamentin për Mjekësi Ligjore në përpjekjet për të zbardhur fatin e atyre që nuk janë gjetur ende."

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)