01 Maj 2024

AAK: Qeveri, shkelëse e të drejtave të fëmijëve

Prishtinë, 1 qershor - Muaji qershor, saktësisht 1 Qershori, shënon një datë të rëndësishme ndërkombëtare - Ditën e Fëmijëve. Raportet e organizatave të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare, bazuar në të dhënat nga terreni, konfirmojnë shkeljen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë.

Përveç shkallës së lartë të varfërisë, vendi ynë ballafaqohet edhe me mohimin e së drejtës më elementare të fëmijëve, të drejtën për edukim.

Qeveritarët flasin me mburrje për shumë dokumente, strategji, ligje në fushën e arsimimit, që sigurojnë të drejtat e fëmijëve sipas standardeve më të larta. Sikur të mjaftonte vetëm hartimi dhe aprovimi dokumenteve të tilla, ne sigurisht nuk do të kishim probleme në këtë fushë, por dokumentet duhet zbatuar në praktikë.

Në të vërtetë, si paraqitet gjendja faktike në terren: Edhe pse ekziston Ligji për Arsim Parashkollor nga viti 2006, me të cilin garantohet ky nivel i edukimit, Republika e Kosovës ka shkallën më të ulët në rajon, të përfshirjes së fëmijëve në çerdhe dhe kopshte.

Në këtë nivel të edukimit, momentalisht gjenden 5167 fëmijë. Nga viti shkollor 2009/2010 përfshirja është rritur vetëm për 101 nxënës, gjë që është krejtësisht simbolike.

Madje, në 10 komuna të Kosovës, në këtë nivel nuk kemi asnjë institucion arsimor publik (Deçan, Junik, Malishevë, Dragash, Shtime, Hani i Elezit, Shtërpcë, Novobërdë, Zubin Potok, Albanik dhe Zveçan).  Me shkallën e përfshirjes vetëm 14,15%, ne  kemi përqindjen më të ultë në Evropë në këtë nivel të edukimit.

Kur dihet se 80% e personalitetit të fëmijës formohet deri në moshën 6-vjeçare, efektet e mospërfshirjes së fëmijëve në këtë nivel arsimor do të shoqërohen me pasoja afatgjata. Sipas Ligjit për Arsimin Parauniversitar, arsimi parafillor nga viti 2015 do të jetë i detyrueshëm.

Momentalisht,  shkalla e përfshirjes së fëmijëve të moshë 5-vjeçare në institucionet arsimore është, po ashtu, e ultë. Numri prej 20284 fëmijëve në të gjitha komunat e Kosovës do të duhej të dyfishohej deri në vitin 2015, në mënyrë që të përfshihen të gjithë fëmijët ashtu siç e garanton ligji.

Kur dihet se përfshirja në këtë nivel është përgjegjësi e komunave, kurse buxheti i tyre është tepër modest, mbetet e vetmja alternativë që të rritet buxheti qeveritar për arsim, në mënyrë që të realizohet legjislacioni në fuqi. 

Problemi i përfshirjes është evident edhe në nivelin 1 dhe 2, pra në arsimin e obliguar, sepse shkalla e braktisjes së shkollës vazhdon sidomos në viset rurale. Momentalisht,  mbi 14.000 fëmijë  nuk janë përfshirë në këtë nivel. Ky problem bëhet edhe më i mprehtë në nivelin 3, në arsimin e mesëm të lartë.

Përveç problemeve evidente në përfshirjen e fëmijëve në katër nivelet e arsimit, në shkollat tona kemi dhunë fizike dhe psikologjike, të gjitha format e huliganizmit, siguria vazhdon të mbetet e ultë, cilësia e  mësimdhënies larg nga standardet e regjionit, rrjeti i institucioneve arsimor shumë i fragmentuar, shkalla e realizimit të plan-programeve shkollore në shumë shkolla nuk arrin 50% e tjerë. Vlerësimi i jashtëm, testi i pritshmërisë dhe testi i maturës, për çdo vit po konfirmojnë cilësinë e ultë të shkollës kosovare.

Janë këto vetëm disa nga pikat e dobëta të sistemit tonë arsimor, i cili po të vazhdojë të reformohet me këtë tempo, nuk do të mund krijojë vlerën shtesë, që të jetë i krahasueshëm me sistemet e avancuara arsimore.

Arritja e standardeve në arsim dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve,  nuk mund të bëhet pa trajtimin e tij si prioritet, në të gjitha aspektet, e sidomos në aspektin financiar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)