06 Maj 2025

Xhafer Istrefi, një jetë e tërë në shërbim të atdheut

Shkruan: Skender Lutfiu

Se populli shqiptar ka një histori tragjike dhe njëkohësisht krenare kjo tani më është mirë  e ditur. Po ashtu, nuk ka vend, fshat, qytet apo krahinë e Shqipërisë Natyrale,  nga e cila nuk dolën trima, atdhetarë dhe personalitete që kontribuuan në zgjidhjen e çështjes shqiptare në të gjitha epokat historike.

I tillë ishte Xhafer Istrefi dhe vendlindja e tij Vushtrria, e cila përveç që mbanë epitetin e qytetit më të lashtë në Kosovë,  është prijatare në dhënien e kontributit në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Vendlindja dhe familja e tij e brumosën me idenë e lirisë, andaj Xhafer Istrefi tërë jetën ia kushtoi atdheut.

Ai rrjedh nga një familje atdhetarësh. Kështu, babai i tij, Murseli, ishte bashkëluftëtar i shquar i Ahmet Selacit dhe i Ukshin Kovaçicës. Duke u frymëzuar nga i ati ai që nga viti 1981 i përkushtohet në mënyrë aktive çështjes kombëtare.
Në kujtimet e tij, ndër të tjera thoshte: “Unë edhe me herët nuk pajtohesha me administratën okupatore serbe. Gjersa punoja në Trepçë shpeshherë isha i përcjellë nga UDB-ja, e cila, disa herë, më mori në biseda informative”. Nga kujtimet kuptojmë që për shkak veprimtarisë së tij, pushteti serb,  nuk e la të qetë në asnjë moment atë dhe gjithë familjen Istrefi.

Më vonë Xhaferi bashkë me një grup shokësh filluan të punojnë lidhur me sabotimin e prodhimit në minierën e Trepçës. Këtij akti heroik, për rrethanat e kohës, i parapriu shkrimi dhe shpërndarja e pamfleteve rreth të cilave Xhaferi ishte shumë i angazhuar. Vlen të theksohet periudha e  viteve 1988/89, e cila ishte tejet e rëndë në tërë Kosovën, për shkak të suprimimit të autonomisë së Kosovës, grevës së Minatorëve dhe një varg ngjarjesh, në të cilat Xhaferi nuk mund të qëndronte indiferent. Kështu,  me rastin e vizitës së pushtetarëve të Kosovës, konkretisht Rrahman Morinës dhe stafit të tij në Trepçë, Xhaferi, ishte i pari që diskutoi duke shpërfaqur mendimet e punëtorëve. Si njëri prej organizatorëve të grevës më 1990 Xhaferi u paraburgos me akuzën për veprimtari armiqësore kundër Jugosllavisë.

Por, veprimtarinë e tij në të mirë të atdheut dhe popullit të tij nuk e ndaloi edhe pse me probleme të rënda shëndetësore (më 1990 përjetoi infarkt). Për këtë arsye e larguan nga puna dhe pothuajse çdo të katërtën ditë sigurimi serb i shkonte në shtëpi për t’i bërë trysni familjes së tij. Por as trysnia e vazhdueshme nuk e ndali, nuk e theu  dhe nuk e trembi. Për më tepër, ai jo vetëm që nuk ndalej së vepruari, por tani falë guximit dhe zgjuarsisë së tij, u bë motiv dhe shembull që duhej ndjekur. Po kush mund të trasonte rrugën e tij më mirë se i biri i tij Shemsiu, i cili u bë shembulli më i mirë. Ai iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me uniformën e së cilës ra heroikisht në luftën kundër okupatorit serb, në betejën e Majdanit në Melenicë të Shalës së Bajgores. Sot ai kujtohet jo vetëm nga familja por nga të gjithë me krenari dhe krenaria për të, u shndërrua në forcë dhe motiv për familjen dhe më gjerë, e në veçanti për Xhaferin babanë e tij. Xhaferi si çdo prind ndjeu shumë dhimbje për rënien e të birit në fushën e nderit, por krenaria se i biri e kishte kryer detyrën ndaj atdheut ishte ngushëllim i madh për të.

Xhafer Istrefi, edhe pas përfundimit të luftës, ishte shumë i angazhuar aty ku mendonte se kontributi i tij ishte ende i nevojshëm. Në vitin 2000 u formua Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së. Për shkak të kontributit të tij, ai u zgjodh kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në komunën e Vushtrrisë. Madje, edhe pse nuk ishte mirë me shëndet, për çka kishte deklaruar disa herë se gjendja e tij ndoshta nuk do t’ia mundësonte ta kryente punën me përkushtimin e nevojshëm, të gjithë familjarët e dëshmorëve kishin këmbëngulur që Xhaferi ta merrte këtë detyrë.

Se sa e kishte ndjerë peshën e përgjegjësisë për të qenë kryetar i SHFD-së në Vushtrri, Xhaferi tregon në shkrimet e tij, që herë kanë formë ditari e herë janë kujtime. Këtu do të ofrojmë një përmbledhje të gjendjes së rëndë në të cilën ishim si popull, menjëherë pas përfundimit të luftës. Për këtë gjendje ndër të tjera ka shkruar: “Ishin ato ditët e vitit të pasluftës kur ishte shkatërruar e tërë Kosova. Familjet e dëshmorëve ishin në një gjendje shumë të rëndë, si në aspektin material ashtu edhe në atë emocional. Jam munduar me dhanë kontributin tim të fundit vetëm që t’ i ndihmoj familjet e dëshmoreve dhe kam arrit me ja dal me faqe të bardhë. Këto familje ishin në një gjendje shumë të rëndë në çdo aspekt, nuk kishin strehim  mbi kokë, nuk kishin ushqime, nuk kishin veshmbathje, kishin fëmijë të vegjël. Unë u organizova me TMK-në  me dal në terren dhe bëmë vizita në të gjitha familjet e dëshmorëve. Pamë se gjendja ishte shumë e rëndë. TMK-ja nuk kishte mundësi me ju ndihmu të gjitha familjeve të dëshmorëve […]”.

Janë të njohura fjalët që ka lënë të shkruara në kujtimet e tij: “Dëshmorët ditën ta mbrojnë idealin e shenjtë të lirisë, ditën t’i mbledhin rreth këtij ideali djemtë më të përkushtuar në rrugën e lirisë”, apo “Si është e mundur të arrihet e pamundura, dëshmuan djemtë e  emblemës shekullore të UÇK-së”.

Xhafer Istrefi dha kontributin e tij deri në momentet e fundit të jetës, pra deri më 26 mars 2015, kur ndërroi jetë. Në varrim morën fjalën bashkëveprimtarët e tij, ndër të cilët po veçojmë kryetarin e Vushtrrisë, i cili ndër të tjera tha: “Të gjithë të afërmit duhet të jenë krenar me veprën e Xhafer Istrefit, sikurse edhe ne që jemi po ashtu krenar”. Ndërsa Gëzim Zuqaku në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së u shprehë: “Ne do ta kujtojmë përherë bacën  Xhafer, sepse ai e themeloj edhe degën e Shoqatës së Dëshmorëve të UÇK-së në Vushtrri. Të gjitha të arriturat e kësaj dege i kalojnë atij”.
Për kontributin dhe sakrificën e dhënë për çështjen kombëtare, pas vdekjes së tij, institucione të ndryshme kanë ndarë mirënjohje. Do të veçojmë këtu, “Mirënjohje” për familjen e Xhafer Istrefit ndarë nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, pastaj çmimin “Nderi i Qytetit”,  dhe “Plaketë Medalion”, dhënë nga Komuna e Vushtrrisë etj.

(Autori është hulumtues i pavarur shkencor në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë dhe kandidat për doktorant në Universitetin e Prishtinës, në degën e Historisë Bashkëkohore.)

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)