04 Maj 2024

Vullneti i sovranit

Shkruar nga Faik Krasniqi

Neve për shembull na i heqin dritat për një kohë të gjatë dhe nën dritën e qiririt krijojmë një ambient aq romantik, saqë nuk na vjen të shkëputemi ndaj tij dhe nëse dritat na vijnë gjatë kësaj kohe, na duket një padrejtësi e madhe që na shkëpusin nga bota e ëndrrave romantike.

Vite më parë, në periudhën e krizës energjetike shumë biznese falimentuan shumë elektro-shtëpiake u dogjën dhe shumë pleq e plaka vdiqën nga të ftohtit e acartë të dimrit, pavarësisht nga këto humbje, ne fituam diçka që kishim kohë që e kishim humbur, çfarë?

U bashkuam sërish me njëri-tjetrin, vëllezër, motra e komshi, mblidheshim të gjithë nën dritën e qiririt dhe kujtonim kohët e vjetra e të lumtura që kalonim në periudhën e regjimit të egër komunist, pavarësisht nga të këqijat e atij sistemi, në atë kohë ishim vërtet të bashkuar dhe kishte një harmoni perfekt midis njerëzve, ishin shumë të bukura mbrëmjet që organizoheshin nëpër vatrat e kulturës, aksionet me goditje të përqendruar si këto, në atë periudhë të errët, kishte edhe gjëra të bukura, të cilat ia vlen t\'i kujtosh, por në këtë periudhë të errët, nuk ka mbetur asgjë e bukur, të cilën ne mund ta mbajmë në kujtesën tonë, gjithçka që kemi kaluar në këtë periudhë të errët 14-vjeçare duam vetëm ta harrojmë.

Absurditetet e botës shqiptare

Ç\'fatkeqësi! dua të harroj 14 vjet nga koha ime, 14 vjet nga koha e rinisë, nga lulja e moshës, dua të ankohem te i plotfuqishmi se më solli në këtë botë në një kohë të papërshtatshme, me gjithë këto absurditete të botës shqiptare, njeriu vërtet që pushtohet nga një pesimizëm i pashoq, megjithatë, qiriri ka qenë gjithmonë një dritë shprese për botën tonë, të mos i harrojmë rilindësit tanë, të cilët nën dhe me dritën e qiririt, zhdukën errësirën pesëshekullore në të cilën vuante Shqipëria etnike dhe shqiptarët si pasojë e pushtimit nga Perandoria Osmane dhe një shekull nën sundimin serb, të jeni të sigurt se këta rilindës shpejt do të shfaqen dhe do të pagëzohen me emrin \"rilindësit modernë\".

Do të vijë ajo ditë...

Këta rilindës janë shtresa e re intelektuale brenda dhe jashtë trojeve të Shqipërisë etnike, e cila do të shpërthejë fuqishëm dhe do t\'u japë fund një herë e përgjithmonë çmendurive të këtyre \'\'arnautëve\'\' të pa tru e të pa fe, që vazhdojnë ta shtyjnë kombin tonë drejt honit të harresës, skamjes e turpit.

Do të doja të thosha se kjo klasë politike nuk e ka të gjatë, pasi është një shtresë e kalbur dhe sado të që mundohet të qëndrojë, nuk ka për t\'ia arritur qëllimit, mbasi populli ynë është vjelë nga premtimet e tyre. \"VULLNETI I SOVRANIT QËNDRON MBI VULLNETIN E TË GJITHËVE\".

Ja pra, përse kjo klasë politike së shpejti do të ndryshojë.......sepse ky është vullneti i sovranit.....shpejt ajo do të zëvendësohet nga një klasë e re më e integruar dhe ju siguroj se Shqipëria etnike i ka të tilla potenciale drejtuese, vetëm se këto potenciale njerëzore janë përpjekur të mbulohen, në mënyrë të dëshpëruar nga drejtuesit në fuqi, por e përsëris edhe një herë, se ky është vullneti i popullit dhe asnjë politikan, sado i papërgjegjshëm qoftë, nuk mund të dalë kundër vullnetit të tij.

Do të vijë së shpejti dita kur ne do të jetojmë si të gjithë qytetarët e tjerë të Evropës.....do të vijë së shpejti dita kur figura e qytetarit shqiptar nuk do të denigrohet më për shkak të kësaj klase politike....do të vijë së shpejti dita kur kultura politike do të ngrihet në të njëjtin nivel me kulturën qytetare shqiptare...

(Autori është publicist  nga Prishtina dhe anëtar i Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të\'\'ALEANCA KUQ E ZI\'\').

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)