10 Maj 2024

Vrasësi në petkun e viktimës

Shkruar nga Ibush R. Hetemi
 
- A kanë të ndalur koncesionet në favor të atyre që deri dje nga kallën, na vranë dhe na masakruan. Zbulimi i varrezave masive me trupa të shqiptarëve në brendi të territorit të Serbisë është dëshmia më e mirë se çfarë ka bërë Serbia me popullin shqiptar, e si atij gjakatari t’i bëhen kaq shumë koncesione, madje edhe të favorizohen karshi pakicave tjera në Kosovë.  

- Cila është “fytyra” e vërtetë e gjendjes së sotme në Kosovë;

- Çfarë po ndodhë në Kosovë:

- A është e vërtetë se serbët po formojnë autonomi duke mos e njohur legjislacionin e Kosovës, respektivisht Shtetësinë e Kosovës dhe se ata me “bekimin” e kujt po punojnë për Autonomin e tyre në truallin shqiptar;

- Përse Evropa vazhdon t’i injorojë shqiptarët?

 
Këto dhe shumë pyetje të tjera të ngjashme mund t’i ndigjosh në shumë mjedise e vende të ndryshme ku shqiptarët takohen dhe zhvillojnë biseda nga më të ndryshmet.

Kosovën  tonë heroike vazhdojnë ta rëndojnë ngjarje dhe ndodhi të shumta politike që nuk janë në harmoni me vullnetin shumicë të popullatës së saj. Krahas kësaj politike po e rëndon varfëria e skajshme dhe papunësia shumë e madhe.

Gjendja shumë e rëndë në Arsim( u pa ditëve të fundit se çfarë ndodhi me disa profesor, studentë ... që kishin bërë punë të jashtë ligjshme nëpër disa fakultete), gjendja akoma më e keqe në Shëndetësi,etj.

Gjendja e luftëtarëve të lirisë gjithnjë e më tepër është e vështirë dhe si pasoj e saj me qindra familje të veteranëve të luftës luftojnë për kafshatën e gojës, derisa në anën tjetër shokët e tyre që tashmë janë në pushtet nuk din as ata vetë për pasurinë e tyre.

Natyrisht ka nga ata që e nuk pajtohen me gjendjen e vështirë të shokëve të tyre, por mjerisht nuk kanë mundësi që t’ua ndryshojnë gjendjen.

Për të gjitha këto dhe shumë çështje të tjera politikanët tanë, ku më pak e ku më shumë bëhen sikur të gjitha këto po bëhen në ndonjë shtet tjetër e jo në Kosovë. Jo, jo me kaq nuk përfundojnë të ligat që e kanë kapluar Kosovën tonë të dashur.

Mjerisht shumë të liga janë edhe në fushat e drejtësisë, të liga ka edhe tek prona shtetërore, tek liritë dhe të drejtat e njeriut...! Vallë sikur të vepronim e të punonim në mbështetje të këtyre tri koncepteve të drejtës Romake: 

1. Të jetosh me nderë;  2. Askujt të mos i sjellësh dëme dhe 3. Të japësh secilit atë që e meriton, me siguri se gjendja politike, ekonomike, shëndetësore, arsimore..., dhe e drejtave të njeriut do të ishte për lakmi, aq më përpara kur merren parasysh të mirat(pasuritë) që i ka Kosova me siguri se gjendja jonë do të ishte larg më e mirë si në rrafshin politik po ashtu edhe në rrafshe të tjera.
 
Gjendja mund të ndryshohet vetëm nëse secili e kryen punën e vetë me ndërgjegje dhe me profesionalizëm. Për hir të vërtetës ka edhe rrugë tjera të ndryshimit të gjendjes, e ajo është kur pakënaqësia e popullatës shpërthen dhe ushtron presion në organe përkatëse, atëherë gjendje domosdoshmërish ndryshohet, pra njeriu i pakënaqur, respektivisht populli i pakënaqur sigurisht që ka mekanizma për ndryshime në favor të t’mirës.

 1. Të jetosh me nderë!

Ky mendim filozofik i nxjerrë nga e Drejta Romake e lashtë vlen për të gjithë klasën politike qoftë ajo pozitë apo opozitë, vlen për të gjitha komunitetet pa dalim gjuhe, race, religjioni. Njeriu që përpiqet për të jetuar me nderë, njeriu që përpiqet dhe angazhohet për zhvillim ekonomik, angazhohet për arsim kualitativ, angazhohet për mirëqenien e popullit, ..., të gjitha këto janë postulate dhe themel i shtetit ligjor, ku shteti vepron me forcën e së drejtës, pra të gjitha këto mund të thuhet se janë vlera kombëtare.

 2. Askujt të mos i sjellësh dëm

Sipas kësaj sintagme njeriu duhet të veprojë dhe të punojë duke mos i sjellë askujt asnjë lloj dëmi. Mjerisht ka veprimeve dhe sulme nga më të ndryshmet të kameleonëve politik dhe kombëtar që shumë mirë din me gjuajt gurin dhe me e fshehë dorën. Të mjerët ata, ata mendojnë se fshihen por  nuk do të arrijnë që punët e tyre të mos diktohen.

E vërteta shumë kujt nuk i pëlqen, sidomos sajuesve të miteve të rrejshëm që në këtë mënyrë duan të mbijetojnë politikisht dhe materialisht. Pra ka edhe asilloj që duke fshehur veprimet e tyre të dëmshme për kombin dhe popullin në përgjithësi, në publik paraqiten si “burra të mirë”.

E vërteta godet posaçërisht mbi të gjithë trilluesit, mbi falsifikatorët dhe mbi shpërdoruesit e ndryshëm, të cilët në mënyrë të vazhdueshme bëjnë përpjekje që antivlerat t’i shndërrojnë në vlera, frikacakët dhe dezertorët t’i shndërrojnë në hero, dmth atë që nuk ka “qejiz- pajë”  kombëtar,  të shpallen fytyrë pozitive kombëtare. Ka raste e raste kur antikombëtarët paraqiten si figura të fuqishme kombëtare.

3. Ti japësh secilit atë që e meriton

Është shumë e qartë se askush nuk mund “shitet në vend të tjetrit”, nuk duhet të ndjehet i fyer askush nëse nesër..., i këndohet CV-ja, por në anën tjetër askujt nuk duhet t’i shkelet privatësia, fillimisht duhet të vërtetohen gjërat tek atëherë të flitet për N.N.-in se është kësi apo asi, pra jemi për vërtetimin e plotë dhe të sigurt, me argumente të flitet për secilin, dhe tek atëherë duhet gjykuar, për njeri të mirë apo të keq.

Politikani dhe ideologu i Platformës për Shqipëri Natyrale, Koço Danaj përveç tjerash ka shkruar: Politika mbarë shqiptare në marrëdhëniet me Brukselin është “Lypsare”. Por shpërblimi i “Lypsarit” është lëmosha dhe Brukseli ju dha shqiptarëve “Lëmoshë”.

Përgjigja JO për shqiptarët do të jetë edhe më tutje, gjersa lëshimet e shqiptarëve nuk kanë kufi, gjersa kërkesat e shqiptarëve nuk kanë vendosmëri.

Si mund të shpjegohet injorimi i gjenocidit që Serbi ka kryer ndaj Shqiptarëve, këtë gjë askush nga BE-ja nuk e foli, gjersa Shqiptarët refuzohen dhe anatemohen në çdo hap, askush nga pala shqiptare e të gjitha institucioneve të Kosovës nuk duhet t’i lejojë vetes që të vazhdojë me bisedime me palën serbe për çështje të brendshme të Kosovës, kjo është vulosur në Kumanovë, atëherë kur kanë kapitulluar forcat e shkieve. Për këtë që po e themi e kam parasysh varrezat masive që u gjendën në lokalitetin e Rashkës.

Çfarë padrejtësie bëri Bashkësia e gjerë Ndërkombëtare, në vend se ta gjykojë tashti Serbinë për aktet makabre që i ka bërë ndaj shqiptarëve, Bashkësia e gjerë Ndërkombëtare, Serbinë e shpërbleu, asaj i caktoi afat për një hapë më përpara drejt bashkimit të saj me BE-në, komenti është i tepërt.

Duke i parë këto dhe shumë çështje të tjera që po bëhen në dëm të shqiptarëve, Fronti Bashkimit Kombëtar Shqiptar ripërsëritë qëndrimin e saj:

Duhet të ndërpriten bisedimet me palën Serbe menjëherë, duke ia bërë të ditur Bashkësisë Ndërkombëtare se për çfarë arsyeje Kosova po i ndërpret bisedimet me Serbinë.

            1. Të gjithë kryetarët e Komunave serbe kanë deklaruar se nuk do të punojnë me ligje të Kosovës dhe se nuk e njohin Kosovën si Shtet të Pavarur, sjellja e tyre është e përkrahur nga Serbia, pra,Serbia vazhdon të mos e njoh Kosovën dhe pavarësinë e saj, ajo madje edhe më tutje në Kushtetutën e saj, Kosovën e sheh si pjesë përbërëse të saj(shih Kushtetutën e Serbisë) 

            2. Bashkësia Evropiane, bllokon çdo mirënjohje për shqiptarët

            3. Në organet e policisë hynë njerëzit që deri dje kanë prerë fëmijët dhe jo vetëm fëmijët shqiptar, po ata që deri dje, besa akoma edhe sot i mbajnë barrikadat mbi urën e Ibrit dhe gjetiu.

            4. Rregullimi dhe funksionimi i Prokurorisë dhe gjykatave në Veri po përgatiten të jenë të ndara.

            5. Serbia në veri dhe jo vetëm në veri, serbët e Kosovës i shfrytëzon për hesape të veta. Është e dhembshme kjo çka po thuhet, por kjo është e vërtetë. Sa herë që diçka nuk i shkon për qejfi Serbisë, rruga për në veri ka qenë e mbyllur dhe e pa kalueshme për shqiptarët besa edhe për ndërkombëtarët. Ende nuk i është tharë trupi i pajetë zyrtarit ndërkombëtar që u vra kohë më parë, dhe askush nuk u mor në përgjegjësi!!!

            6. Si është e mundur që të hyrat edhe pse derdhen në arkën shtetërore të Kosovës, ato duhet të kthehen strukturave serbe në veri të Kosovës dhe jo vetëm në veri. Paratë e Kosovës shkojnë nëpër xhepa të atyre që deri dje besa edhe sot u nxjerrin shqiptarëve të zitë e ullirit e në anën tjetër me qindra e qindra luftëtarë të lirisë vuajnë për kafshatën e gojës, a është e drejtë kjo oj Evropë?

Po me arsimin, shëndetësinë..., me ata pak shqiptar dhe pakica të tjera në veri të Kosovës, çfarë do të ndodhë, çfarë do të ndodhë me gjithë atë pasuri të popullit shqiptar dhe jo vetëm shqiptar përtej Ibrit?

Të gjitha këto që u përmendën ia “thajnë krahun Kosovës”, e çka është edhe më keq po bëhen përgatitjet që edhe më tutje t’i falen serbëve me dhjetëra vende në parlamentin e Kosovës si dhuratë, a thua a ka ndonjë vend tjetër në botë që bëhet kështu siç bëhet në Kosovë?

Faktorizimi i komunitetit serb në Kosovë ka qenë dhe është kryekëput politika e dobët, politika jo unike e Shqiptarëve.

Nëse gjerë sot për ne Shqiptarët kanë vendosur të tjerët, është koha e fundit që të vetëdijesohemi e të mendojmë kombëtarisht në mënyrë që ta shpëtojmë atë që e kemi amanet nga gjaku i shumë e shumë dëshmorëve, martirëve të kombit. Ne nuk jemi pajtuar me atë gjendje të mjerueshme prandaj e kemi kapë pushkën në dorë, po sot ç’po ndodhë me neve?

” Mos bëni pazare pa hongjin sepse ai Pazar nuk del me dobi gjithëkombëtare”

Në fund të gjithë bashkëkombësve të mi, veçanërisht atyre që me pushkë në dorë na e sollën këtë liri që ne sot po e gëzojmë. Me fat u qofshin festat e fundvitit.

/Autori është kryetar i përgjithshëm i FBKSH-së/
   
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)