04 Maj 2024

Vllaznia, lavirja e radhës në duart e politikës

Shkruar nga Redan Bushati

Më ndjeni për termin “lavire” të përdorur në titull, por situata dukshëm është e tillë, saqë një fjalë tjetër në vend të saj nuk do të mund ta përfaqësonte dot siç duhet realitetin për çështjen që do të trajtoj.

Në krye të herës theksoj: dashuria për Vllazninë, por edhe për futbollin në tërësi më ngacmon t’i shkruaj këto radhë.

Ajo frymë, ajo ulërimë, ajo brohoritje apo çjerrje zëri për ngjyrat kuqeblu morën guximin dhe vendosën çka kishin në majën e një pene, për të thënë troç e pastër atë që pakkush po guxon prej kohësh ta shpreh publikisht.

Jo se nuk e duan Vllazninë, përkundrazi mund ta duan shumë herë më tepër se artikullshkruesi, porse interesat e ditës, frika e të shprehurit lirshëm, pa ndrojtje, step shumëkënd nën pretendimin se “Kur s’po flasin të tjerët, pse të flas unë i pari?” dhe kësisoj Vllaznia mbetet jetimja e gjorë, nafakkëputura lozonjare.

Fillimisht në gazetën “Dita”, por më pas edhe në medie të tjera kam shprehur mirënjohjen time për marrjen në duar të Vllaznisë nga privati dhe i qëndroj stoik idesë se klubet shqiptare duhet të privatizohen sa më parë. Po ashtu, edhe pse Agron Çela kish qenë më herët president i Vllaznisë, me vete thashë “më mirë ky se sa bashkia”.

Parátë e derdhura nga aksioneri janë përherë më kërkuese ndaj futbollistëve dhe stafit teknik të klubit përkundrejt paráve që dalin nga taksapaguesit e shkretë, të hedhur në ajër si pa të keq, duke bërë, në rastin konkret, Vllazninë një pronë pazot.

Po çfarë premtoi Çela para se të merrte Vllazninë? Renditjen e Vllaznisë në katër skuadrat më të mira të vendit, rrjedhimisht kapjen e një vendi që të çon në Europa League.

Shikoni ku dergjet sot Vllaznia! Nuk prita përfundimin e kampionatit, pasi syri realist kritik e di mirëfilli se Vllaznia pas humbjes me Shkumbinin në Peqin s’do të mund të kapë më zonën “Euro”, kur skuadra si Flamurtari, Teuta, Kukësi dhe Tirana renditen më mirë se kuqeblutë, e për më tepër kalendari nuk i favorizon aspak shkodranët për arritjen e këtij objektivi.

Qysh para se drejtimi i klubit të merrej nga z.Çela qarkulluan zëra se biznesmeni po e merrte për interesa personale, që më pas dolën se ishin elektorale.

Nëse interesi elektoral i tij do të përputhej me ngritjen e Vllaznisë, futbolldashësit shkodranë as do t’ia dinin se ç’përfitonte ai, mjaft që Vllaznia e tyre e zemrës të arrinte objektivin e shumëpërfolur. Por tashmë jemi përpara faktit se Vllaznia nuk ka arritur as minimumin e peshës së fanellës që përfaqëson. Po tani si i bëhet?

Rasti në fjalë nuk është i vetmi. As i pari dhe as i fundit. Politika shqiptare ka futur duart kudo, duke u shtrirë në çdo qelizë të shoqërisë.

Kjo e fundit po përjeton dëmet e ligësisë që burojnë nga politika. Sporti është futur nën çadrën e vendimmarrjeve personale për qëllime elektorale. Futbolli sidomos është fusha më e dashur për të fituar kapital politik. Sa fiton futbolli nga gjithë kjo mjegullnajë?

Asgjë. Madje, ai dëmtohet gjithnjë e më tepër. Vllaznia është femra e përdalë e radhës, ku politika po e përdor deri sa t’ia ketë ënda. Se kush mund t’i thotë stop kësaj maskarade, një Zot i madh e di.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)