03 Maj 2024

Takim i (pa) përfunduar

Shkruar nga Zejdush Kastrati

Jeta pa parime është si anija pa timonier.(Gandhi)

Nuk besoj se ndokush ka pritur që Kongresi i VI-të i Partisë Demokratike të Kosovës, i mbajtur më 26 dhe 27 janar, të përfundojë ndryshe pos ashtu edhe si filloi dhe u përmbyll.

Kryemninsitri aktual dhe kryetari i deritashëm i kësaj parte, z. Hashim Thaçi, i cili që nga dita e parë kur u themelua ky subjekt politik e deri më tash, (nëse vazhdohet kështu mund të ndodhë edhe për shumë vite), po udhëheq PDK-në pa ndonjë kundërkandidat dhe kundërshtar tjetër të fuqishëm politik dhe siç u pa edhe në transmetim të drejtpërdrejt u prit nga të pranishmit me aplaudime të fuqishme, ngritje në këmbë e buzëgjeshje, që në disa momente gjasonte edhe në Kongreset e komiteteve të kohës së monizmit, por gjithashtu edhe me disa delegatë prezentë, të cilët për liderin e tyre bëjnë edhe atë që nuk e bëjnë për askë tjetër në botë dhe me të vetmin qëllim – që të jenë dhe të mbesin në pushtet, e këtë dihet se hë për hë ia mundëson vetëm të qenit afër dhe me Thaçin.

Dy ditët e Kongresit, apo Konventa, siç u quajt jo vetëm nga Thaçi, u zhvillua dhe u përmbyll pa probleme dhe refleksione që mund të karakterizohen me çka Pdk-ja edhe dallohet nga disa subjekte tjera politike që veprojnë në Kosovë, pasi që kjo parti sa i përket organizimeve të tilla ka instaluar një traditë, strukturë dhe mendësi, që nuk e kanë subjektet tjera politike, e që edhe e dallon karshi tyre, dhe siç dihet edhe po i funksionon, kur atyre u duhet andaj kjo u vërejt dhe u dëshmua edhe gjatë përgatitjeve nëpër nëndegë e degë, por edhe sa u përket votimeve, pastaj sugurisë e kontrollimeve, gjatë gjithë kohës së hyrje-dajleve të të pranishmëve e që funksiononte mirë dhe krijonte përshtypjen se kjo sallë, përkatësisht hyrja dhe ambienti, herë herë i gjasonte një “Bondstelli” në miniaturë.

Çka mund të ndodhë pas Kongresit?

Edhe pse përmbyllja e këtij Kongresi, jo vetëm nga kryetari Thaçi, por edhe nga shumë të tjerë që u zgjodhën në ekipin e tij e që u tha dhe u vlersua si “edhe një sukses i radhës, i këtij subjekti politik në vazhdën e sukseseve demokratike që po shënon, Partia Demokratike e Kosovës dhe Kosova në përgjithësi, në instalimin i demokracisë…”, bazuar në mentalitetin dhe realitetin ballkanas e në veçanti atij shqiptar, si kolektivitet, por gjithësesi edhe të disa proceseve e ngjarjeve para mbajtjes së këtij Kongresi e që ndërlidhen drejtpërdrejt edhe me Jakup Krasniqin, i cili siç dihet deri në këtë Kongres mbante postin e sekretarit të përgjithshëm të PDK-së, por dhe të Fatmir Limaj, si nënkryetar i Partisë, mungesa apo “eleminimi” i tyre në këtë Kongres, domosdo mund të ndodhë që do të reflektohet në ditët në vijim me ngjarje interesante.

Publikimi i letrës së kryeparlamentarit Krasniqi, vetëm një ditë para mbajtjes së Kongresit, në të cilën kryeparlamentari dhe njëherësh sekretari i përgjithshëm i PDK-së, si asnjëherë deri më tash bazuar në tonin dhe përmbajtjen e kësaj letre ”konvertohet“ nga një personalitet, i cili muajve të fundit ishte identifikuar jo rrallëherë edhe me një fjalor jashtëparlamentar e të ashpër karshi disa ministrave duke i quajtur edhe “rrugaqë” pastaj disa deputetë si “të paditur, hajna e duke i kërcënuar që të dalin jashtë sallës, nëse ata duan…” kurse në seancën e fundit të Parlamentit, Krasniqi “pa dorëza” bombardoi dhe i vuri kapak kur deklaroi se “Qeveria aktuale, horizontalisht dhe vertikalisht, është e zhytur në korrupsion…”

Por, për habi e për respekt në letrën e fundit po ky kryeparlamentar, duke arsyetuar publikisht mospjesëmarrjen në këtë Kongres, për opinionin e gjerë na paraqitet dhe prezentohet krejt si një personalitet tjetër, sa i përket gjuhës dhe komunikimit, me të cilën i adresohet dhe njofton hollësisht opinionin e gjerë publik, për këtë vendim të marrë.

Për opinion, përmbajtja e letrës është shumë parimore dhe me siguri shton simpati te shumica dhe bazuar në brumin e kësaj letre të paraqitur është shumë vështirë të besohet se mund të prezentohet nga ndonjë lider tjetër shqiptar, në gjitha trojet shqiptare, në veçanti gjuha se si duhet të komunikohet me opinionin, pastaj mesazhi dhe argumentimi që bën Krasniqi duke shtjelluar dhe zbërthyer në detaje gjendjen në të cilën gjendet dhe po kalon e duhet të shkojë Partia Demokratike e Kosovës, pa fyer e kërcënuar, pa njollosur e etiketuar rëndë ndokë, me një fjalor diplomatik e shumë pragmatik dhe kjo letër me këtë përmbajtje shumë akademike dhe me nivel të lartë komunikimi me siguri do të jetë edhe një lloj udhërrëfyesi dhe promotori për lidershipin e ri në vazhdimësi të PDK-së, përkatësisht, edhe Hashim Thaçin, si më i votuari dhe i pari i kësaj partie, që do udhëheq partinë, por me siguri, pa autorin e kësaj letre, i poentuar gjithsesi, me plus nga elektorati.

Megjithatë ”pas përmbytjeve mbetet llumi” thotë një fjalë e urtë popullore, andaj nuk është larg mendësh që pas këtyre zgjedhjeve, por edhe përmbylljes së proceseve problematike zgjedhore në Gjilan, Prizren, Viti, ku ka mosmarrëveshje dhe kundërshti, që nuk duhet minimizuar dhe nënçmuar e që vështirë dihet se si do të përfundojnë dhe që shumë lehtë mund të ndërlidhen edhe me një pjesëlojë tjetër të të pakënaqurish tjerë, të cilët do të mbesin pa u “kooptu” apo jashtë “loje”, pas përfundimit final, të këtij kongresi.

Pjesëloja tjetër shtesë, jashtë rregullave të përcaktuara nga Hashim Thaçi dhe ata që janë afër tij, edhe pas kësaj konvente, në këtë parti mund të vazhdojë dhe mund të bëhet shumë interesante dhe atraktive për skenën politike kosovare, por edhe për këtë strukturë njerëzish afër dhe me Thaçin dhe një pjesëlojë tjetër mund të sjellë edhe rezultate krejt tjera nga kalkulimet që janë bërë pas kongresit e që mund të rezultojë pos me Jakup Krasniqin, Fatmir Limaj, Hydajet Hysenin edhe me shumë të pakënaqur tjerë, që nuk deshën, apo nuk mundën të futen në lokomotivën me kryetimonier Thaçin, andaj kërkojnë shpëtim dhe alternativa për t’iu bashkuar ndonjë lokomotive rezervë me Krasniqin në krye të kësaj lokomotive.

Se kjo mund të ndodhë lehtë nuk është për të mos besuar. Kemi fakte e fakte se edhe kjo parti si edhe shumë të tjera, ka instaluar dhe ka kultivuar mentalitet vazali, dhe kjo u pa edhe gjatë këtij kongresi e që u dëshmua edhe me fjalimet e shumicës së liderëve të subjekteve politike jo vetëm nga Kosova, por edhe nga rajoni, dhe që ishin mysafirë të këtij kongresi dhe që thurrën vetëm lëvdata për liderin dhe PDK-në. Të tillë ka me bollëk.

Bile mund të mburret edhe kjo parti, qoftë nga krahu i Thaçit, ashtu edhe ata që mbesin e i bashkohen eventualisht Jakupit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)