04 Maj 2024

Rinia Demokristiane në shërbim të vlerave shqiptare e evroperëndimore 

Shkruar nga Dr. Ukë Berisha

Veprimet politike dhe filozofia politike e PSHDK-së nuk u kushtohen interesave parciale e as atyre me njëanshmëri politike, krahinore apo fetare, por vlerave shqiptare dhe atyre evroperëndimore.

Meqenëse rinia e Kosovës, pas luftës, i është nënshtruar një stihie, një zbrasti edukative, me mungesa formimi e orientimi, PSHDK përcjell me kujdes këto zhvillime dhe dërgon mesazhin e saj tek të gjithë faktorët relevantë, që këtë rini të mrekullueshme të Kosovës të mos e lënë të bjerë pre e qarqeve çorientuese antishqiptare, antievropiane dhe çoroditëse. Fenomeni i burimeve me frymëzime negative për rininë tonë, ka marrë hov.

Një pjesë e madhe e rinisë i është nënshtruar shpëlarjes së trurit nga interesi i saj jetik kombëtar, përparimtar, njerëzor dhe liridashës. Ajo po bie pre e kthetrave të regresionit historik: se \"ne nuk qenkemi pjesë e Evropës\"; se \"ne nuk kemi asgjë të përbashkët me Skënderbeun, Nënën Tereze, apo krishterimin në Evropë\"...dhe slogane të ngjashëm helmuese.

Formimi i tillë e izolon edhe më shumë këtë rini nga vlerat progresive, nga ato të zhvillimit të botës së sotme digjitale e teknologjike e nga burimet e shëndosha të dijes, dhe, gjithsesi, edhe nga ato të integrimeve të natyrshme në Evropën perëndimore.

Sigurisht që fenomenet negative që na shfaqen edhe nga kontaktet me botën perëndimore, e kanë koston e tyre, por pikërisht në këso rastesh duhet të jenë të koordinuara e në bashkëpunim të përhershëm familja, shkolla dhe institucionet shtetërore, shoqëria civile dhe komunitetet e të rinjve. Ne konstatojmë me dhembje se këto hallka janë shkëputur dhe nuk funksionojnë në nivelin që kërkohet. Prandaj, ka jo pak të rinj që jepen pas veprimeve joshoqërore, pas kriminalitetit, drogës, e veprimeve tjera të dëmshme për shoqërinë, familjen dhe rrethin.

Nga ana tjetër, edhe kujdesi për t\'iu dhënë krah talenteve të reja, studentëve të talentuar, sikur i është lënë stihisë. Në këso rastesh, ata joshen të jenë pjesë e një subjekti politik dhe jo pjesë e dijes dhe e prirjes së tyre të shëndoshë në fushën e caktuar. Prandaj,, animet histerike partiake, janë një e keqe tjetër që po e mbjellin partitë e mëdha politike tek të rinjtë, duke e shkelur dinjitetin e tyre, në vend që programet e këtyre partive të jenë çliruese.

PSHDK, me programin e saj, do të përpiqet, si deri më tani, t\'i ndihmojë këta të rinj, pa kushte: i vetmi kusht janë dija që kanë dhe formimi i tyre i gjithanshëm. Do të ndihmojmë, ashtu si kemi ndihmuar deri më tani, pa zhurmë e pompozitet, shumë të rinj në Perëndim e në Kosovë... Sepse, në këtë drejtim, në dinamikën e përvetësimit të dijeve për në botën perëndimore, PSHDK-ja paraqitet si subjekti më i sigurt e më garantues.

Do theksuar se rinia e Kosovës, posa e merr një diplomë fakulteti, mbetet duke u sorollatur rrugëve për të gjetur një vend pune. Edhe në këso rastesh, partitë nëpër pushtetet lokale, shantazhojnë me dinjitetin e të rinjve, duke i siguruar vendet e punës, jo sipas kritereve profesionale, aftësive dhe dijeve, por sipas kutit partiak.

Më kot shpallen konkurse, sepse ato janë të rezervuara për anëtarët e partive në pushtet. Në këtë mënyrë, është përhapur defetizmi, pesimizmi e dëshpërimi në masë, përhapet në masë zhgënjimi në perspektivën e Kosovës. Burimet e këtyre fenomeneve vrastare, gjenden tek ata që kanë pozita, pushtet e që i kanë në dorë administratën, doganat, gjyqet, policinë e institucionet tjera qeverisëse qendrore e lokale.

Ne shfaqim shqetësimin tonë të thellë se të rinjtë demokristianë, që kanë diplomuar, pushtetet lokale as që pranojnë t\'i zgjidhin hallet e tyre. Kështu veprohet me pjesën më të madhe të të rinjve të Kosovës, por të rinjtë demokristianë e vuajnë këtë barrë masivisht!

Nga ana tjetër,veprimet e papërgjegjshme të pushteteve lokale, në nivele qendrore e deri te ato lokale, kanë futur diversitetin krahinor, partiak e politik tek të rinjtë, me pasoja të rënda. Kjo barrë e diversitetit, e fyerjeve dhe e përplasjeve, bie barrë edhe mbi rininë demokristiane. Dhe për këto fenomene e shkelje të rënda të dinjitetit njerëzor e kombëtar që bien mbi rininë tonë, ne do ta grisim zërin tonë vazhdimisht.


(Autori është Kryetar i PSHDK-së)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)