27 Prill 2024

Republika e Kosovës duhet ti dekorojë muxhahidinët!

Shkruar nga Olsi Jazexhi

1.

Lajmi që autoritetet kosovare kanë arrestuar gjashtë “ekstremistë islamikë” të cilët kanë luftuar në Siri ka bërë bujë në mediat shqiptare në Ballkan por edhe ato ndërkombëtare. Agjencitë perëndimore të lajmeve tregojnë që autoritetet kosovare kanë kryer arrestime kundër xhihadistëve kosovarë që janë radikalizuar në Siri.

Lajmi është dhënë edhe nga portalet amerikane që mbulojnë Ballkanin si Radio Evropa e Lirë dhe Southeast European Times. Portalet tregojnë që në Kosovë janë arrestuar Valon Sh., Musli H., Ardian M., Nuredin S. dhe Genc S..

Ky i fundit specifikohet që ka luftuar në Siri dhe mban si nofkë lufte emrin “Ebu Hafs Al Albani.” Mes gjashtë të arrestuarëve tregohet që të jetë edhe njëfarë Bekim M. i cili akuzohet se ka rrahur dy misionarë amerikanë që mundoheshin të konvertonin kosovarët në kristjanë.

Ndërsa rasti i Bekim M-së duket si një akt i cili nuk ka të bëj me terrorizmin, por më shumë me vetëmbrojtjen e një qytetari kosovar kundër dhunës indoktrinuese të misionarëve amerikanë, të cilët, me hir a me pahir mundohen ti trushpëlajnë kosovarët që të braktisin Islamin dhe t’i konvertojnë në kaurë, rasti i Genc S. apo “Ebu Hafs Al Albanit” është ai që duke se ka tërhequr vëmendjen e mediave botërore.

Genci S. apo Ebu Hafs Al Albani duket se është një nga ata dhjetra muxhahidinë shqiptarë, të cilët në këto dy vitet e fundit i janë bashkangjitur armatës së xhihadistëve, spiunëve, mercenarëve, ushtarakëve, rrufjanëve, hajdutëve e psikopatëve të shumtë që Perëndimi, sëbashku me Turqinë, Saudinë dhe Katarin lëshuan kundër dy vendeve të vetme arabe që nuk kishin nënshkruar ende paqe me Izraelin, Libisë dhe Sirisë.

2.

Pranvera arabe e cila ishte një valë revoltash e konfliktesh arabe të cilat u sponsorizuan nga Perëndimi dhe regjimet filo-amerikane të Lindjes së Mesme, kulmin e destruktivitetit të saj e arriti në Libi dhe Siri.

Në Libi, aleanca e NATO-s me xhihadistët e Al Kaedës arriti të shkatërrojë pushtetin popullor të Xhamahirijes Arabe dhe vrasë në mënyrë mizore kolonel Muamar al-Gaddafin, ndërsa në Siri ajo nxiti një luftë të përgjakshme civile si pasojë e së cilës është rrënuar pothuajse i gjithë vendi dhe janë vrarë mbi 100.000 banorë.

Pjesë e aleancës Perëndimore në shkatërrimin e Libisë dhe Sirisë kanë qenë edhe dy shtetet shqiptare që janë në Ballkan, Kosova dhe Shqipëria.

Shqipëria psh. i ka shitur armë xhihadistëve libianë, duke shkelur embargon ndërkombëtare që ndalonte shitjen e armëve ndaj Libisë, ndërsa Kosova me ne krye ministrin e saj të jashtëm Enver Hoxhaj, u rreshtuan në krye të lobit luftënxitës në Perëndim që kërkonte bombardimin dhe pushtimin e Sirisë nga NATO.

Prishtina zyrtare ka shërbyer si vend mikpritës për muxhahidinët sirianë, dhe në prill 2012 vendin e vizitoi zyrtarisht një nga krerët e xhihadistëve sirianë, Ammar Abdulhamidi, i cili i kërkoi qeverisë kosovare baza për trajnimin e xhihadistëve sirianë për të rrëzuar qeverinë e Bashar al-Assadit.

3.

Mbështetja e Shqipërisë dhe Kosovës ndaj luftërave xhihadiste në Lindjen e Mesme nuk ka ardhur vetëm nga qeveritë shqiptare.

Paralel me to, nëpër xhamitë e Shqipërisë dhe Kosovës, disa dhjetra hoxhallarë shqiptarë, shumica anëtarë të tarikatit vehabi – fesë zyrtare të Arabisë Saudite, i kthyen xhamitë në qendra indoktrinimi urrejtje kundër regjimit sirian, alevitëve, shiitëve etj.

Nëpër xhami bëheshin lutje në masë për muxhahidinët e Sirisë, mallkoheshin shiitët dhe alevitët, ndërsa disa hoxhallarë rekrutonin besimtarë, të cilëve u thonin që në Damask kanë zbritur melaqetë e u kërkonin që të shkojnë e kundër diktatorit Assad për të çliruar synitët.

“Vullnetarët” xhihadistë shqiptarë që shkuan në Siri u përshëndetën jo-zyrtarisht nga mediat e Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe nga shërbimet sekrete shqiptare dhe perëndimore të cilat edhe pse shikonin se çfarë ndodhte (nën bekimin e spiunazhit saudit) nuk bëzanin aspak pasi aleancës perëndimore i duheshin sa më shumë mercenarë për të rrëzuar regjimin e Bashar al-Assadit.

Gazetari Vedat Xhymshiti në intervistat që dha në këto kohë në televizionet e Prishtinës për muxhahidinët shqiptarë, të fundit i tregonte si luftëtarë të lirisë që bënin xhihad për vellëzerit e tyre muslimanë.

4.

Dërgimi i armëve, trajnimi i muxhahidinëve dhe shkruarja e rekrutëve shqiptarë për të bërë xhihad në Siri kundër “alevitëve e shiitëve” të Bashar al-Assadit ishte pjesë e luftës së madhe globale që u bë në vitin 2011 - 2013 në Mesdhe, ndërmjet boshtit ruso-kinezo-iranian dhe aleancës arabo-izraelito-perëndimore.

Ndërsa Perëndimi kërkonte të shkatërronte pushtetin e Assadit pasi ai përfaqësonte aleatin e fundit besnik të Kremlinit dhe armikun më të rrezikshëm të Izraelit në Mesdhe, turqit dhe diktaturat arabe të kësaj aleance shpresonin që me rrëzimin e Assadit të sillnin në Siri një regjim që do i shërbente interesave të tyre dhe do bënte paqe sikur ata me Izraelin.

Ky bosht konfrontohej nga boshti ruso-kinezo-iranian i cili mundohej të shpëtojë me çdo kusht Sirinë, pasi ajo ishte vendi i fundit arab që nuk i ishte nënshtruar Amerikës dhe i jepte akses Rusisë dhe Iranit në Mesdhe.

Përplasja mes Uashingtonit dhe Moskës mbi Sirinë, kulmin e saj e arriti në gusht-shtator të vitit 1913 kur pesë luftanije shkatërruese amerikane të armatosura me raketa Tomahauk ishin gati të godasin Damaskun dhe vijnë në ndihmë reparteve të Ushtrisë së Lirë Siriane, Al-Kaedës dhe ushtrisë izraelite të cilat përbënin këmbësorinë e NATO-s në Siri.

Përballë tyre qëndronte flota e luftanijeve ruse e udhëhequr nga Raketëlëshuesja Moskva dhe një numër luftanijesh kineze, ndërsa në tokë ushtria arabe siriane, iraniane dhe Hizbullahi rrinin në pritje të sulmit të madh amerikan.

Në gusht 2013, amerikanët me aleatët e tyre turko-arabo-izraelitë ishin më të vendosur se kurrë për t’i ardhur në ndihmë muxhahidinëve në Siri, të cilët prej më shumë se dy vitesh nuk kishin mundur të rrëzojnë dot qeverinë siriane.

Pas dështimeve për të marrë leje nga OKB-ja për të kryer agresionin kundër Sirisë, në 3 shtator amerikanët nisën një sulm ilegal raketor nga një bazë e NATO-s në Spanjë për të goditur Damaskun.

Por raketat amerikane, siç disa media libaneze e ruse deklaruan, u inteceptuan dhe rrëzuan nga luftanijet ruse në Mesdhe. Sulmi i dështuar amerikan u ndoq me një kërcënim publik që presidenti rus Vladimir Putin i bëri Amerikës në 4 shtator dhe një letër publike që i drejtoi opinionit publik amerikan pak ditë më vonë ku i kujtonte amerikanëve që të mos e anashkalojnë OKB-në dhe ligjin ndërkombëtar në lidhje me Sirinë, siç bëri Hitleri me Lidhjen e Kombeve, pasi një sjellje e këtillë mund të çonte botën në një luftë botërore.

5.

Rrëzimi i raketave amerikane në Mesdhe ishte zhvillimi më i rëndësishëm në historinë e marrdhënieve ndërkombëtare të botës ku ne jetojmë që nga vitet 90 kur u rrëzua Blloku Sovjetik. Pesë vite pas pushtimit rus të Osetisë së Jugut dhe Gjeorgjisë, amerikanët u përballën sërisht më fuqinë ruse në mesdhe dhe si në 2008 edhe kësaj here u detyruan të tërhiqen.

Në shkëmbim për tërheqjen nga Siria, rusët i ofruan amerikanëve armët kimike të qeverisë siriane, duke siguruar në këtë mënyrë lobin e fuqishëm izraelit në Uashington dhe që shtynte administratën Obama për luftë, se Siria nuk do të ishte më kërcënim serioz për sigurinë e Izraelit atomik.

Në 14 shtator 2013 sekretari i shtetit amerikan Xhon Kerri dhe ministri i jashtëm rus Sergei Ivanov arritën marrëveshjen më me rëndësi në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare ndërmjet dy superfuqive të botës, që pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Marrëveshja “Framework for Elimination of Syrian Chemical Weapons” që u nënshkrua nga rusët dhe amerikanët, i dha fund luftës muxhahidine që Amerika dhe aleatët e saj kishin shtyrë kundër Sirisë për dy vite me radhë.

Kthimi 180 gradë në politikën amerikane, u ndoq edhe nga regjimet arabe dhe Turqia. Muftiu Shejh Abdulaziz al-Sheikh i Arabisë Saudite, sponsores dhe ideologes kryesore të xhihadit në Lindjen e Mesme, i dha fetva vehabijve të të gjithë botës që të tërhiqen nga Xhihadi në Siri. Fetvanë e tij e ndoqën edhe organizma të tjera të botës arabe, të cilat vetëm pak muaj më parë bënin thirrje globale për të bërë xhihad në Siri.

6.

Shtetasit kosovarë sikur Ebu Hafs Al Albani që tashmë janë kthyer nga Siria në Kosovë dhe Shqipëri, janë pjesë e aleancës së madhe që Amerika, Izraeli, Turqia dhe diktaturat arabe ndërtuan kundër Sirisë që prej vitit 2011 për të rrëzuar pushtetin e qeverisë së Bashar al-Assadit.

Edhe pse unë në një seri shkrimesh që kam bërë që prej vitit 2011 e kam denoncuar “xhihadin” në Siri dhe Libi, e u kam apeluar muslimanëve shqiptarë që të mos gënjehen nga hoxhallarët e paditur e të bëhen muxhahidinë të NATO-s në Lindjen e Mesme, sërisht jam i mendimit që arrestimi i gjashtë shtetasve kosovarë nga organet e sigurisë të Kosovës është i padrejtë.

Edhe pse Ebu Hafs Al Albani dhe shokët e tij mund të kenë qenë pjesë e xhihadistëve të Sirisë, dhe edhe mund të kenë bërë krime kundër popullit sirian, si ato që kemi parë në internet me muaj të tërë, sërisht arrestimi i tyre nga autoritetet kosovare është i padrejtë.

Ebu Hafs Al Albani dhe muxhahidinët e tjerë kosovarë nuk janë më pak fajtorë dhe xhihadistë sesa qeveria e Sali Berishës në Tiranë e cila armatosi al-Kaedën gjatë konfliktit libian, apo qeveria e Hashim Thaçit e cila priti krerët e xhihadit sirian në Prishtinë dhe u ka dhënë ndihma të cilat nuk njihen nga opinioni publik, apo sesa qeveritë perëndimore që nisën xhihadet në Siri dhe bombaruan Libinë.

Xhihadistët shqiptarë të al-Kaedës që tani po kthehen nga lufta në Siri, deri përpara dy muajsh ishin aleatë të NATO-s dhe Amerikës, ashtu siç ishte edhe Bin Ladeni patriot i madh amerikan në kohën kur Amerika luftonte sovjetët në Afganistan. Xhihadistët shqiptarë në Siri luftuan për hesap të Perëndimit dhe diktaturave arabe.

Tani që Amerika ka arritur marrëveshje me Rusinë dhe armët kimike të Sirisë do të bëhen kurban në Shqipëri, unë jam i mendimit që qeveritë shqiptare dhe kosovare, ish-muxhahidinët shqiptarë nuk duhet t’i burgosin si terroristë siç bëri Amerika me shokët e Bin Ladenit. Unë propozoj që muxhahidinët e NATO-s në Tiranë dhe Prishtinë duhet të nderohen si veteranë lufte.

Ashtu siç Tirana prêt mercenarët që çon të luftojnë për NATO-n në Irak dhe Afganistan, edhe muxhahidinët duhet të marrin të njëjtin trajtim. Për mendimin tim, muxhahidinët duhet të dekorohen nga qeveritë shqiptare për misionin e tyre vullnetar si pararojë e NATO-s në Lindjen e Mesme.

Edhe pse ishin mercenarë pa pagesë e pa liçensë, dhe luftuan për Xhehbet al-Nusrën dhe jo për Ushtrinë e Lirë Siriane, sërisht ata ishin luftëtarë të një llogoreje. Llogore që kryeministri Edi Rama tregon që vijon nga Iraku dhe Afganistani e deri në Siri.

Në mënyrë që të integrohen sa më mirë në jetën publike shqiptare unë propozoj që qeveria kosovare t’i dërgoj që të punojnë në Tiranë për qeverinë e Edi Ramës, tani që qeveria shqiptare ka marrë përsipër që të shkatërrojë armët kimike të Sirisë.

Muxhahidinët kanë eksperiencë të gjatë në përdorimin e armëve kimike në Siri, e për këtë ata do t’i kursejnë mëmës Shqipëri miliona dollarë gjatë proçesit të demontimit të armëve të Bashar al-Assadit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)