10 Maj 2024

Porosia e Ipeshkvit Dodë Gjergjit për Krishtlindje

E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne
(Gjn 1.14)
 
Fort të dashur vëllezër e motra,

Vitin që shkoi të gjithë festonin Jubileun njëshekullor të lindjes së Shqipërisë, ndërsa ne të krishterët vazhduam me atmosferën e festës edhe këtë vit, me kremtimin e Vitit të Fesë.

Brenda këtij viti kemi kremtuar disa ngjarje të mëdha, të cilat na kanë rritur gëzimin dhe na kanë mundësuar ta shijojmë bukurinë e të qenit të krishterë: celebrimin e 1700-vjetorit të Ediktit të Millanos dhe 10-vjetorin e lumturimit të Nënë Terezës, festa këto që na bashkuam në Katedrale në Prishtinë.

Tani po përgatitemi për të kremtuar në fe lindjen e Zotit tonë Jezu Krishtit, në Betlehemin e Judesë, festë kjo e cila na rimbush me gëzim, na dhuron paqe të brendshme, liri të shpirtit, ndez flakë shpresën dhe rimbush jetët tona me dashuri.

Fjala që u bë njeri (krh. Gj 1.14), Zoti, për dashurinë që ka ndaj nesh dhe për shpëtimin tonë zbriti prej qiellit, në Të ka pushuar “shpirti i Zotit, shpirti i urtisë e i dijes, shpirti i këshillave dhe i forcës, shpirti i kuptimit”. (Iz 11 2-3) Me fuqinë e këtij Shpirti, ai e përballoi jetën njerëzore pa mëkat, edhe pse e tërë e keqja përpiqej ta sprovonte.

Ne, njerëzit, mëkatuam, sepse e dënuam dhe e vramë, e Ai na shpërbleu dhe me dashuri na fali mëkatet, na bëri t’bijë në shpirt, na shpalli Ungjillin që të lartësojmë veten tonë në vlerat hyjnore, na mësoi ta jetojmë lirinë e shpirtit që s’mund ta robërojë askush dhe në Të, ne të pikëlluarve na mbushi me gëzimin e tij të shenjtë.
 
Përveçse na zbuloi dashurinë e Zotit, Ai u bë ndër ne shembull shenjtërie, besnikërie, qëndrese, dhembshurie, butësie, përvujtërie, durese njerëzore me zell të shenjtë.

E, megjithatë, jo të gjithë e duan, jo të gjithë e kërkojnë, jo të gjithë e pranojnë këtë dhuratë. Madje as nuk i besojnë të gjithë, por kjo s’ka rëndësi. E rëndësishme është që Ai ka lindur për të gjithë, ka vdekur për të gjithë, na mëson t’i duam të gjithë njerëzit pa dallim dhe me ngjalljen e Tij, të gjithëve na i ofron shpëtimin, fenë, shpresën dhe dashurinë.

Me pak fjalë, Krishti është i pranishëm ne jetën e secilit njeri, sepse ai rri te dera e zemrave të mbyllura, duke trokitur që ta pranojnë brenda, ose duke kërkuar të dalë nga aty në zemrën e tjetrit.

Sot kemi shumë njerëz zemërbyllur, si tek ata që kanë frikë nga përgjegjësitë e dashurisë së Zotit, si tek ata që e keqpërdorin Zotin për t’i arsyetuar egoizmin, zemërngushtësinë dhe urrejtjen.

Ne që i besojmë Krishtit duhet të jemi zemërçelur si ndaj Zotit ashtu edhe ndaj të afërmit, sepse vetëm kështu mund të festojmë me gëzim dhe të këndojmë hareshëm këngën e engjëjve: Lavdi Hyjit në më të lartin qiell e paqe njerëzve mbi tokë! Ky entuziazëm festiv do të jetë më i madh pas përvojës së Vitit të Fesë.

Në këto kohë, që kur po gëzojmë “liri e demokraci”, pothuaj dhe jemi përmalluar për dashurinë, për kujdesin njerëzor, për miqësitë, për ngrohtësinë familjare dhe për idealet sublime - pasuri këto, që na mundësonin të ngriheshim mbi kufijtë e “lirisë së burgosur” dhe të zbritnim nën “të drejtat e shtypura”, për të mbërritur te zemrat e njëri-tjetrit.

 Sot na ka kapluar dëshpërimi, pranë të mirave të shumta e mundësive të vogla për t’i pasur ato, pranë një shteti të së drejtës ku ka “gjygj e lig”, por vështirë vihet te drejtësia, pranë një shoqërie ku të fortit kanë mundësi, punësim, pasuri, të drejta dhe liri, kurse të tjerët janë të detyruar ta jetojnë fatin e varfërisë së tyre. E varfëria shumëdimensionale po e përbuz dinjitetin njerëzor të shumë vëllezërve dhe motrave tona.

Si është e mundur që kur ka kaq shumë liri dhe të drejta, te jemi të mbërthyer brenda mureve të egoizmit dhe të urrejtjes, e të kemi zbritur nën dinjitetin njerëzor për të ikë nga përgjegjësia e dashurisë për njëri-tjetrin?

Kjo gjë na ndodh për shkak se Zotin e duam, por nuk e lejojmë të na ndryshojë zemrat; lirinë e duam, por s’kemi mësuar akoma se liria dhe të drejtat arrihen me dashuri dhe respekt ndaj-tjetrit; jetojmë në paqe, por na mungojnë hiret dhe virtytet.

E kur mungojnë këto: paqja dhe liria s’kanë kuptim. Dashuria dhe jeta e virtytshme i mirëpërdor skamjen dhe padrejtësinë më mirë se egoizmi dhe jeta e shfrenuar lirinë dhe paqen.

Megjithatë, nuk duhet të dëshpërohemi, sepse jeta jonë është n’dorë t’Zotit, por duhet t’i bashkëndajmë këto gjëra që ta vetëdijesojmë sa më shumë njëri-tjetrin për përgjegjësitë e përbashkëta që kemi për mirëpërdorimin e pasurive, në shërbim të një të ardhme më të mirë për të gjithë ne.

Motra dhe vëllezër fort të dashur,Si gjithmonë, ju siguroj se jeni pjesë e lutjeve të mia dhe ju ftoj të më bëni pjesë të lutjeve tuaja, që së bashku t’i lutemi Foshnjës së Betlehemit, që ta ushqejë “botën e uritur për Zotin” (N. Tëreza), ta pasurojë njeriun e varfër në shpirt, ta bëjë të lumtur zemrën e të pikëlluarve dhe ta mbushë me shpresë njeriun e dëshpëruar.

“Në këtë mënyrë, Kisha mund të hapë zemrën e vet për gjithë njerëzit dhe mund të vazhdojë të jetë kontribuuese e vyer në shërimin e plagëve të reja të shkaktuara nga mungesa e dashurisë dhe jeta e pavirtytshme” (Krh. Por.2012).

Duke u dëshiruar gjithë njerëzve vullnetmirë paqe, dashuri, gëzim familjar, mirëqenie, shëndet dhe jetë të gjatë, jua uroj festën e Krishtlindjes dhe ju përcjellë bekimet e mia për një vit të begatshëm!

Ipeshkëvi Juaj
Dodë Gjergji
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)