10 Maj 2024

Përvjetori i një partie - Mauzolium

Shkruar nga Gani Qarri

Megjithëse dashamirët e LDK-s, tanimë festojnë përvjetorin e 24-tërë, të themelimit të saj,me pretendimet për të nisë një vit të ri pune e angazhimi, kjo parti mjerisht ka kohë që është kthyer në një lloj Mauzoliumi, sipas modelit të perandorive komuniste, ku shefat e partisë edhe pse në moshë pensionimi, nuk mund të largohen për gjallje por vetëm pas vdekjes dhe balsamosjes së tyre, kur shkojnë të përgatitur për tu ruajtur në muze.

Sado që kanë kaluar kaq vite me batica dhe zbatica më të ndryshmet, nga ish partia e 24 viteve, dhe koha nismëtare e formimit t LDK-s, pak ka mbetur, anipse me pompozitet flitet edhe tani për të arritura dhe merita, të cilat përkundër disa sukseseve të kufizuara, ajo që shumë kohë, nuk e ka më famën as Ehon e dikurshme.

Thirrjet saj që atëbotë mobilizonin të gjithë shqiptarët e trojeve tona etnike nën ish Jugosllavi, si një dhe pa dallim, tani më nuk e kanë fuqinë as frymëzimin që vinte në veprim një masë të tërë njerëzish, si ndonjë vijë e përsosur prodhimi.

Ajo,qëmoti është ngulfatur keq, nga kupola e përbetimit të \"kryepleqve\" të rrënjosur \"pashkulshëm\" nga maja e saj,sot e kësaj dite-assesi të lirojnë vendet për angazhim me hapa të rinj e më aktiv, dhe veprime më ndryshe, që do të përkonin me kohën dhe ndryshimet.

Partisë më të madhe opozitare në vend, tani e disa vite po i zihet fryma në grykë, nga një grup konzervativ, të cilët siç duket LDK-n, nuk e konsiderojnë më si parti, por si firmë punësimi personal e grupor dhe klub invalidësh, ku ata ende mund të realizojnë fitime, e që më në fund duan ta kthejnë edhe në Mauzolium për balsamosje, por jo edhe të lejojnë që për të gjallë të tyre,ajo të freskohet me kuadro të rinj e eminent dhe ide të reja veprimi.

Sot,në Lidhjen Demokratike jo vetëm se nuk gjenden asnjë nga ish themeluesit e saj, por ajo ndodhet edhe në një krizë të madhe identiteti dhe riorganizimi, krizë që kërkon zëvendësime të shpejta kuadrosh të lodhur nga pleqëria dhe mosafirmimi me njerëz të ri, program të qartë dhe zgjidhje adekuate, jo vetëm për mbarëvajtjen e saj si parti, por edhe për interesat e Kosovës në përgjithësi, e cila ka nevojë më shumë se kurdo herë më parë për një opozitë të vërtetë dhe konkurruese, që di të ofroj vlera e  perspektivë, për popullin dhe ardhmërinë e këtij vendi.

Ndaj, LDK, si partia më e madhe opozitare,nuk guxon të lejoj për asnjë ditë më tepër, mbetjen e saj peng i një grupi të plakur nepotistësh dhe udhëheqësish të përfolur e të korruptuar të cilët që sa kohë kanë pushtuar kreun e saj, por nuk kanë për zemër ligjin as shtet-ndërtimin që do ti rrezikonte interesat  personale dhe pasurimin grupor e familjar. Ndaj, do të ishte mirë që më në fund,njerëzit e tillë para se të balsamosen në partinë të cilën duan ta kthejnë në Mauzolium,të largohen natyrshëm në shtëpitë e veta ngase partia në fjalë nuk është pronë private e askujt dhe nuk u takon vetëm atyre.

Edhe sipas njërit nga ish themeluesit e saj, Isuf Buxhovi, situata e krijuar në LDK,mund dhe duhet të tejkalohet me organizimin sa më parë të një Kuvendi të jashtëzakonshëm për ristrukturimin e saj rrënjësor dhe largimin përfundimtar të ish kuadrove të dështuara, spekulantëve e karrieristëve dhe uzurpatorëve të sëmur, të cilët tash e sa kohë i japin një imazh të keq e të pariparueshëm kësaj ish lëvizje të dikurshme gjithëpopullore e cila me këtë rast, pati mundësi të favorshme ta festonte më mirë dhe më ndryshe ditëlindjen dhe njëzet e katër-vjetorin e themelimit të saj.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)