27 Prill 2024

Për fajin dhe njollat

Shkruar nga Xhavit Beqiri

Më shumë sesa Vetëvendosja, fajtore është Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila nuk arriti t’i krijojë siguri as ambasadores së ShBA-ve, as ambasdorëve të tjerë. Sa për deputetët, më mirë të mos flasim hiç!

I.
Të enjtën, më 27. VI. 2012, aktivistët e Vetëvendosjes, derisa po protestonin kundër ratifikimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, penguan deputetët të hyjnë në Kuvend.

Aktivistët e kësaj partie, me ose pa vetëdije, duke e marrë “ligjin në dorë” pësuan metamorfozë. Të paktën, pamjet që pamë atë ditë, na e krijuan këtë imazh për ta!

Shpërndërrimit të “aktivistëve” dhe  “stop”-it të tyre “paqësor” nuk i shpëtuan as ambasadorët e akredituar në Kosovë, të cilët, po ashtu, patën mjaft peripeci për të hyrë në Kuvend.

Në çaste të tilla, rëndom gishti i fajit drejtohet drejt atyre që shkaktojnë rrëmujë. Këtë herë drejt Vetëvendosjes. Dhe, ka disa arsye!

Së pari, ishin pikërisht “aktivistët” e kësaj lëvizjeje/partie ata që i penguan (edhe fizikisht) deputetët të hynin në Kuvend, ndonëse deputetët janë zgjedhur për t’i përfaqësuar qytetarët e Kosovën në këtë institucion (muhabet më vete është pastaj se shumë sish në Kuvend janë katapultuar falë vjedhjes industriale të votës).

Së dyti, ishin pikërisht “aktivistët” e kësaj lëvizjeje ata që e penguan ambasadoren e ShBA-ve në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, të hynte lirshëm në Kuvend, ashtu siç duhet të hyjë jo vetëm ajo, por secili ambasador i akredituar në Kosovë, në fund të fundit, secili i ftuar nga ky institucion.

Në rrëfimin për ambasadoren ka edhe një detaj që do vëmendje: përpjekja e Vetëvendosjes për t’u justifikuar se aktivistët e saj nuk e kanë penguar ambasadoren amerikane të hynte në Kuvend, u demantua nga kjo e fundit edhe me foto në rrjetet sociale të informimit, nëpërmjet të cilave ajo dëshmon qartësisht se jo vetëm që është penguar, por, madje, ka marrë edhe lëndime fizike si pasojë e tollovisë së krijuar nga “aktivistët” e  Vetëvendosjes. 

Së treti, Vetëvendosja, duke dashur me çdo kusht ta pengonte ratifikimin e Marrëveshjes së Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e Serbisë, i huqi metodat e veprimit demokratik, sepse, thjesht, e uzurpoi Kuvendin, duke ia pamundësuar Kryetarit të këtij institucioni të udhëheqë seancën, siç ishte paraparë.

Depuetët e Vetëvendosjes e dinë fare mirë se Kryetari Krasniqi po e procedonte vijimin e seancës në përputhje me Rregulloren, ndaj pamundësimi fizik që i bën atij për ta kryer detyrën (duke ia marrë dhunshëm mikrofonin nga dora) i tejkaloi caqet e veprimeve që mund të priteshin, madje edhe nga një subjekt si Vetëvendosja.

Ky akt, sigurisht, ka lënë shije të hidhur te secili që e ka parë transemtimin televiziv atë ditë. Ka njëfarë rendi që duhet të respektohet! Edhe në Kuvendin e Kosovës!

Lëvizja Vetëvendosje doli (edhe) përtej metodave/kufijve të saj sidomos kur njëfarë deputeteje u ul në karrigen e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke na e krijuar përshtypjen se kjo parti po synonte të bënte puç politik, e jo ta pengonte miratimin e Marrëveshjes (aq më tepër kur krejt Kosova tashmë po e dinte se ajo “marrëveshje” do të miratohej!).

II.
E thamë, faji kryesor bie mbi ata që shkaktojnë rrëmujën. Edhe këtë herë rrëmujën e shkaktoi Vetëvendosja, e cila, ndër gafet e shumta të asaj dite, posaçërisht duhej ta shmangte pengimin e ambasadores amerikane. Për një mijë e një arsye që i dimë të gjithë!

Më shumë sesa Vetëvendosja, fajtore është Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila nuk arriti t’i krijojë siguri as ambasadores së ShBA-ve, as ambasdorëve të tjerë. Sa për deputetët, më mirë të mos flasim hiç!

Se Qeveria e Kosovës dështoi totalisht atë ditë, dëshmoi edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili reagoi kundër pengimit të ambasadores Tracey Ann Jacobson dhe paaftësisë sonë (të shtetit tonë) për t’i ofruar asaj sigurinë e nevojshme.

Madje, Departamenti Amerikan i Shtetit e thirri për “sqarime” ambasadorin e Kosovës në ShBA, Akan Ismajli, të cilit i shfaqi mospajtimin për dështimin e shtetit të Kosovës që t’i ofrojë sigurinë e nevojshme ambasadores Jacobson.

Sigurisht, po të donin, këtë mund ta bënin edhe vendet e tjera, sepse në atë rrëmujë totale, askujt nuk iu siguran kushtet e dinjitetshme për të hyrë në Kuvend. Dhe, fajtorë për këtë s’është (vetëm) Vetëvendosje, por, para së gjithash Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila ka qenë e paralajmëruar që moti se do të ketë protesta të tilla.

Vetëvendosja disa herë ka njoftuar se do të protestojë, se do të përpiqet ta pengojë mbajtjen e asaj seance, prandaj Qeveria nuk mund të shfaqjësohet, edhe nëse ndonjëri anëtar/ministër  i saj e fton Vetëvendosjen t’u kërkojë falje ShBA-ve.

Nëse ndokush duhet të kërkojë falje, këtë duhet ta bëjë e para Qeveria e dështuar e Republikës së Kosovës!

III.
Teksa ne në Kosovë do të vazhdojmë të zihemi kush pati faj, e kush jo, për një gjë duhet të jemi të sigurt (e të vetëdijshëm) që të gjithë: pamjet e shëmtuara si ato të së enjtës nuk i bëjnë dëm as vetëm Vetëvendosjes, as vetëm Qeverisë, por të gjithë vendit.

Sa kohë që ne i dërgojmë botës imazhe dhune e anarkie, imazhe kaosi në rrugë e në institucione, zor që dikush do ta na marrë seriozisht!

Kështu, me gjasë, do te jetë edhe shumë kohë! Fajin mund ta bëjë secili, por njollat do të na mbeten të gjithëve, ngaqë, u pëlqyem mes vete apo jo, të gjithë jemi - Kosovë! Të tillë siç (nuk duhet të) jemi...

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)