01 Maj 2024

Patriotizëm është të bësh luftën, por edhe shtetin

Shkruar nga Zejdush Kastrati 
 
Në vitin 2004, isha pjesëmarrës i një projekti medial të sponzoruar nga faktori ndërkombëtar në Dubrovnik të Kroacisë. Ishte një rast dhe përvojë shumë e mirë, për të parë nga afër se në çfarë rrethanash funksiononin dhe vepronin televizionet regjionale nëpër disa shtete të dala nga lufta, dhe cili ishte dhe duhet te jetë roli dhe ndikimi i mediumit elektronik karshi audiencës, por edhe cila është fuqia e këtij mediumi në veçanti në momente të caktuara.

Më kujtohet se në televizionin regjional të këtij qyteti bregdetar, “Dubrovnik TV”, vetëm dy ditë u emetua një (kajron) storie pandërprerë, ku flitej për një abuzim me veturën zyrtare nga ana e bashkëshortes së një zyrtari të lartë nga hierarkia politike e këtij qyteti, (kishte dërguar fëmijët në çerdhe me veturën zyrtare të bashkëshortit) dhe ditën e tretë, u krijua një atmosferë e tillë në opinionin e këtij qyteti sa që urgjentisht u mbajt një takim i parlamentit lokal dhe bashkëshorti i kësaj zonje u shkarkua nga posti që mbante (me sa më kujtohet ishte kryetar kuvendi komunal).

Në hotelin “Neptun” Dubrovnik, ku ishim akomoduar, përjetuam momente që vështirë edhe mund të harrohen, jo vetëm sa i përket pastërtisë dhe shërbimeve, por ajo që për mua mbetet në kujtesë ishte se menaxheri kryesor i këtij hoteli, ishte një ulqinak me emrin Prenca, një turizmolog i diplomuar në vitet e 70-ta, në një universitet të Italisë dhe, mbi të gjitha, një personalitet me bagazh shumë të madh profesional, ekspert i përgatitjes së protokoleve për burreshtetas e mysafirë, si nga sfera e artit, kulturës e filmit, por edhe për vizitorë tjerë të shumtë, që kishin kaluar dhe vizituar Dubrovnikun, si perlë e turizmit jo vetëm në Kroaci, por edhe në rajon e më gjerë.

Kontaktet e Prencës, edhe me figura kyçe të politikës jugosllave, duke u bazuar në natyrën e punës që kishte bërë, sipas tij, më tepër se 30 vjet përvojë pune në hotelieri, kishin krijuar raporte komunikimi e miqësie, pothuaj nëpër gjithë territoret e ish-Jugosllavisë, dhe një ditë prej ditësh, Prenca më bëri një propozim që nëse kisha interesim ai do të më aranzhonte një takim, kuptohet edhe për të bërë një intervistë, me ish-kryetarin e RSFJ-së, përfaqësues i Kosovës, Sinan Hasanin.

E dija se Sinan Hasani prej shumë vitesh nuk ishte paraqitur në asnjë medium, në veçanti ato kosovare, andaj edhe pse kisha rezerva se mund të ndodhte që kjo ide të realizohej, pa kurrfarë hezitimi dhe me kënaqësi e pranova dhe kërkova që mundësisht ky takim të bëhej sa më parë dhe në çfardo rrethane qoftë.

Vetëm një ditë më vonë, Prenca më ftoi dhe më tha se çdo gjë është rregulluar dhe më informoi se pas dy ditësh unë duhet të udhëtoj për në qytetin e Budvës, në Mal të Zi, dhe në orën e caktuar mund të takohem me Sinan Hasanin, i cili banonte në kompleksin e villave të funksionerëve të lartë të ish-Jugosllavisë.

Siç u morëm vesh, ditën e caktuar dhe në kohën e caktuar unë, së bashku me kameramanin (A. Musmurati) dhe njërin nga bashkëproducentët e projektit (Sh. Zogijani) në kohën dhe në vendin e caktuar arritëm në këtë kompleks, i cili që në shikim të parë të fuste frikën, meqë edhe pse ishte kohë e pushimeve verore dhe turizmit (qershor), asgjë nuk lëvizte dhe ishte mjaft vështirë edhe të orientoheshe, se cili ishte objekti dhe vendi ku banonte personi që ne kërkonim.

Takimi ynë i parë me një person të moshuar në njërën nga tarracat e katit të parë në banesat 4-5 katëshe të këtij kompleksi (i gjithë kompleksi kishte një strukturë dhe etazh të njëjtë banimi) ishte shumë i zymtë dhe ofendues, meqë përjetuam fyerje, (koj k…) por ndërkohë nga një zonjë, po ashtu e moshuar, e cila mbante një ombrellë, kur e pyetëm se a e di se ku banon Sinan Hasani, morëm vetëm një orientim të dhënë me gishtin tregues drejt një ndërtese në anën e majtë, ku qëndronim ne, pa lëshuar asnjë zë.

Në hyrje të kësaj banese fillimisht pikë orientuese ishte kutia postare e cila mbante mbiemrin dhe emrin e personit që kërkonim.

Dera e banesës u hap pas një pritje bukur të gjatë dhe më kujtohet kur Sinan Hasani pa lëshuar asnjë zë, por me një mimikë fytyre sikur kërkonte të dinte se çka kërkonim, dhe vetëm pas prezentimit e paralajmërimit se kush na kishte dërguar, fillimisht na përshëndeti ftohtë, por edhe na refuzoi për intervistë, me aryetim se ishte i sëmurë edhe ai, edhe e shoqja, dhe se e kishte kohën të merrte hapat, pasi që ishte nën terapi.

E luta që mundësisht të më mundësonte shumë shkurt për një intervistë, sepse është në interes të tij së pari, por edhe për hir të opinionit kosovar.

Pranoi me kusht që të mos e zgjas më shumë se 10 minuta dhe që të mos ia parashtroja 4 nga 10 pytjet që kisha planifikuar, gjë që pranova, meqë nuk kisha zgjidhje tjetër.

Ishim marrë veshë paraprakisht me kameramanin që të incizonte çdo detaj, por edhe ambientin ku jetonte ish-njeriu që kishte udhëhequr një vit ish-Jugosllavinë.

Një banesë afër 4- metra katrorë, në një dhomë në kanape gruaja e tij e shtrirë dhe e sëmurë rëndë, shumë shishe dhe bidona të mbushur me ujë që Sinan Hasani vetë deklaroi se i mbushte kur vinte uji, meqë kishte redukime ekstreme, pastaj një dhomë e fjetjes e stilit të vjetër dhe një tarracë me një tavolinë plastike, si dhe një çadër kundër diellit, ishte i gjithë salltanati i luksit, në të cilin jetonte Sinan Hasani.

E filluam intervistën në orën 12 të mesditës dhe e përfundova pas 45 minutash. Pyetja e nxirrte pyetjen dhe habitesha se si fliste e përgjigjej, në veçanti kur e pyesja se a e ka tradhtuar Kosovën, a është ai autor i librave që kishte shkruar, çka mendonte për Kosovën, dhe a duhet të shpallej Kosova e pavarur, por edhe Mali i Zi...

Deklarohej se kishte bërë për Kosovën atë çka ka menduar se është më e mira dhe çka kanë lejuar edhe rrethanat e kushtet e asaj kohe, dhe ndihej krenar për atë çka ka bërë, ndërsa i vinte keq që liderët e pasluftës nuk e kishin ftuar asnjëherë edhe pse ai kishte shprehur interesim.

E përfundova bisedën me amanetin që pas vdekjes të varroset në vendlindje, sepse, sipas tij, vetëm aty mund të prehej i qetë.

Pasi përfunduam intervistën, më tha se merrte një pension prej 390 euro, kuptohet në kundërvlerë dinari, kishte një banesë në Beograd dhe asgjë më tepër, sepse kurrë nuk kishte pranuar të keqpërdorte pozitën, por as shtetin, edhe pse kishte pasur mundësi. “Shteti nuk bën të vidhet kurrsesi”, më tha në ndarje dhe më porositi që një kopje të kësaj interviste t’ia dorëzoj një përsoni në RTK, porosi të cilën edhe e përmbusha, por RTK-ja kurrsesi nuk pranoi ta emetojë këtë intervistë, pos që ndërkohë u editua në një medium në Shqipëri.

Nga të afërmit e tij, më vonë, mësova se vetëm disa ditë pasi që bëra këtë intervistë, Sinan Hasanit në Budvë iu pamundësua qëndrimi, pasi që iu dogj banesa nga ekstremistë serbë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)