06 Maj 2025

Parku i kryeministrave

Shkruar  nga Gani Qarri

Para jo edhe aq shumë kohësh,(sa që të mos mbahet mend), kryeministri i viteve 1962-1968, dhe Kryetari i Francës së viteve 1969-1974, Georges Pompidou(1911-1974)i njohur si funksionari më aktiv i vendit për punën e dinjitetshme ndaj popullit dhe shtetit të tij, thuhet se ndërroi jetë në orën 21, të mbrëmjes së 2 prillit të vitit 1974, në vend-punim.

Georges Pompidou, vdiq në rezidencën e Presidentit të Francës, post që e ushtronte ndershmërisht dhe me vetëmohim të madh,i cili nga përvoja e tij me udhëheqës të ndryshëm vendor dhe ndërkombëtar,ata do ti klasifikonte në dy kategori:

1. Burrështetas dhe

2. Politik-bërës, për të cilët kishte dhënë këtë definicion;

Burrë-shteti është ai udhëheqës i cili para së gjithash vë veten në shërbim të kombit, ndërsa politik-bërësi është një sundues që e vë kombin në shërbim të tij.

Mjerisht,bazuar në argumentet e Pompidou-t, shqiptarët i takojnë një kombi të mbytur pamëshirshëm nga politik-bërës gjysmë-analfabet, pa profil bindës dhe pa aftësi të mirëfillta shtet-formuese,për bëmat e të cilëve më së miri flasin të dhënat trishtuese,të kohëve të fundit nga policia e Kosovës,të cilat thonë se vetëm brenda tremujorit të parë të këtij viti janë kryer mbi 13 vetëvrasje, mosha e të cilëve të shumtën e rasteve është nga18 deri në 40 vjeç. 

Politikbërës të tillë, kanë krijuar një pushtet as mish as peshk që bën, një hap para - dy prapa, nga pushtetarë që kanë mbyllur sy e vesh dhe humb kontaktin me realitetin, të cilët heshtin edhe para invadimi të llojit më të ri serb, në teren...

Për çudi,pas aktit më të fundit antishqiptar, edhe kryeministri ka vendosur të hesht,kurse  Edita Tahiri ndoshta ende kujdeset me përkushtim për qëndisjen sa më mirë të fusnotës në formë lule-therre, që ti shpoj anë e përtej zemrat e shqiptarëve kudo, e cila kushedi për të satën herë deri më tani mund ta ketë qepur atë(fusnotën) me aq dashuri në \"tentenet\" e orendive shtëpiake,si kujtim nga “arritjet e jashtëzakonshme” të qeverisë dhe sukseset e saj të \"mëdha\" në bisedime me Serbinë.

Është shumë interesant se Edita-qysh atëherë kishte shumë frikë se lulja e saj \"fusnota\" do të shkrihej shpejt si fluskë bore apo sapuni,pa të cilën, ajo nuk do të kishte me çfarë ti lante duart para fillimit të raundeve të reja të bisedimeve me Serbinë, kuptohet gjithherë \"të suksesshme\" për të.

Por,ja që më në fund, nën kujdesin e posaçëm të shtetit serb dhe të ashtuquajturit shef i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë,Marko Gjuriq,kryetarit nga lista srpska, në Mitrovicën Veriore,Goran Rakiq etj,falë zemër-gjerësisë së tyre ,ata shkuan aq larg me projektet denigruese, sa që në shenjë \"respekti\"ndaj qeverisë së Kosovës dhe udhëheqësve të bisedimeve me Serbinë,gjetën edhe vendin më të çuditshëm në glob,duke uzurpuar Urën e Mitrovicës mbi të cilën ndërtuan për ta një \"Bahçe të tërë\" lulesh,tanimë krejt tjetër lloj.

Ndaj,për vendin e veçantë të \"mbirjes\" dhe emrin tërësisht paqësor,të shkruar edhe në shqip, \"kopsht i paqes\" ky akt mund të hyj shumë lehtë në librin e ginisit si sensacion i rrallë dhe deri tani i pa njohur dhe i pa dëgjuar askund në botë.

Kjo është edhe një dëshmi shtesë e sukseseve verbuese të delegacionit kosovar në bisedime, dhe dhuratë e ekskluzive për rezultatet \"sublime\" të kryeministrit të Kosovës në marrëveshjet e arritura me Serbinë.

Madje, ngjarje tragjikomike e ditëve të fundit, bëhet edhe më tmerruese kur dihet se bllokada mbi urën e lumit Ibër, për tri vjet me radhë qëndroi vetëm në cepin verior të saj, kurse tani falë ndihmës së përfaqësuesit të Serbisë me seli në Prishtinë Marko Gjuriq,dhe \"Syqeltësisë\" së lartë të policisë së Kosovës, kopshti zoologjik-pardon- politik serb, pushtoi mbi gjysmën e urës sonë.

Por,ajo që duhet theksuar me këtë rast, është fakti i dhembshëm se i gjithë ky spektakël i pushtimit të heshtur, ndodhi para mbikëqyrjes agile dhe shumë \"vigjilente\" të policisë së pamposhtur të Bajram Rexhepit e Shpend Manxunit, e cila u kujdes me rigorozitet të papërshkueshëm, për burgosjen e të vetmit shqiptar që guxoi tu afrohej kopshtarëve serb, gjatë përjetësimit  të projektit të tyre më të ri zoologjik,për uzurpimin me \"lule\" të urës dhe bllokimin e saj me vazot disa tonëshe të betonit“Made in Serbia\".

Ndaj me të drejtë lind pyetja urgjente se kush në të vërtetë, formon dhe udhëheq grupe të tilla të posaçme  policore enkas për dorëzim territoresh kriminelëve serb dhe lëshimin pjesë, pjesë të atdheut deri në futjen e tërësishme të Kosovës nën protektoratin e Serbisë?!

Apo ishte edhe kjo, një nga pjesët e  marrëveshjes së fshehtë në mes të dy delegacioneve,Kosovë-Serbi,e cila duhej të aplikohej nën vëzhgimin e rreptë të grupeve të veçanta policore të vendit,për mbytjen e çdo lëvizje të mundshme reaktive të shqiptarëve,duke dorëzuar edhe gjysmën e Urës së Mitrovicës sonë, pa asnjë kundërshtim kriminelëve serb.

Ndaj për të tingëlluar sa më mirë dhe bërë sa më i pranueshëm për të dy palët akti i \"parkut\" të sapo ndërtuar mbi Urën e Lumit Ibër,nga grupe të tilla ndoshta do të zgjerohet edhe në anën jugore dhe nominohet nga ta sipas emrave të kryeministrit të Kosovës dhe atij Serbisë, Thaqi-Daçiq,për tu kthyer jo vetëm në \"park-paqeje\" siç e gjetën ta quajnë serbët për fillim, por edhe në një oazë frikësuese- për vazhdimin e bisedimeve (aspak) \"historike\" ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ,të cilat së shpejti mund të rifillojnë nën hijet \"freskuese\" të këtyre bimëve më të reja helmatuese të Serbisë, të kthyera në ferr për shqiptarët dhe zgjatje të pafund të utopisë për (mos)bashkimin e Mitrovicës.

Kësaj pune e ka bukur të vështirë ti bije në fije edhe krye-mbrojtësi i qeverisë dhe gjithë veprimeve të saj,përndryshe në letra i deklaruar si kryetar i komitetit (komunist) për (sh)mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut,me të cilat ai nuk pati kohë të merret asnjëherë denjësisht,duke anashkaluar edhe hallet e mëdha të mijëra  shqiptarëve të dëbuar nga veriu.

Ndaj, me këtë rast medoemos duhet të rikujtojmë edhe një herë definicionin e Georges Pompidou-t, i cili vërtetë kishte të drejtë në konstatimet e tij,kur thoshte se politikbërësit vejnë kombin në shërbim të interesave të veta, gjë që po dëshmohet katërçipërisht edhe me mosreagimet e duhura të politikanëve shqiptar, as kundër akteve të fundit të kriminelëve, të cilat për momentin janë atentatet më të rënda që në këto kohë i bëhen vendit dhe popullit shqiptar.

Ajo që frikëson më së shumti, tani e tutje shqiptarët, padyshim mbetet vet marrëveshja e arritur në mes të dy kryeministrave,e cila pas kësaj,ndoshta parasheh që edhe Serbia, njëjtë si Greqia në jug të Shqipërisë,nga \"Parku i paqes\" të kalojë në ndërtim varrezash \"paqësore\" ,pardon-monumentale për policë, ushtarë dhe oficerë të rënë serb, nga bombardimet e NATO-s, në Kosovë, me fillim në Graqanicë, Fushë Kosovë, Shterpc e Prizren.

Ndaj, siç është e njohur për të gjithë, ky ndoshta paska qenë edhe shkaku kryesor që \"zoti i vogël\" i Kushtetutës së Ahtisar-Kosovës dhe \"tata-mata\" i interpretimit të ligjeve në vend,Enver Hasani, të kujdeset që me kohë për demolimin e epitetit që kishte Prizreni duke i hequr me vrazhdësi-të patolerueshme, mbishkrimin e Emblemës së Lidhjes Shqiptare, dhe lënë vetëm vitin 1878, të cilin pas depërtimit të heshtur e \"paqësor\"serbët,mund ta zëvendësojnë me vitin e Naçertanjes së Garashaninit dhe fillim pastrimit të shqiptarëve nga trojet e tyre.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)