28 Prill 2024

Papërgjegjësia strategjike

Shkruar nga Arieta Rexhepi

Aty, ku punët varen nga vullneti  - nuk punohet, e aty, ku punët varen nga buxheti – ankohet;  përshkruan më së miri zbatimin e strategjive të nxjerra nga institucionet tona, të cilat viteve të fundit kanë miratuar strategji të ndryshme, me zbatimin e të cilave, sigurisht që do të arrinim suksese. 

Mirëpo, zbatimi në praktikë i këtyre strategjive, lë aq shumë për të dëshiruar, sa edhe vetë vullneti i institucioneve për t’i zbatuar ato.

Policimi në bashkësi, metoda e re e punës së Policisë së Kosovës, dalë nga Strategjia për Policimin në Bashkësi dhe Plani i Veprimit 2012-2016, është vetëm një nga shumë strategjitë e miratuara nga Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Punëve të Brendshme. T

hënë drejtë, kjo strategji në letër është nga më të mirat, mirëpo ngecë në zbatim dhe arritjen e objektivave të vëna.

Nuk mund të jetë ndryshe, kur strategjisë në fjalë nuk i është bashkëngjitë buxheti, e pa buxhet, zbatimi sigurisht që do të jetë i vështirë dhe i mangët.

Këtu edhe mund të përfundoj debati mbi suksesin e kësaj strategjie, mirëpo, disa nga objektivat e vëna edhe mund të arrihen me buxhetin e përgjithshëm të punës së policisë.

Problemet me të cilat ballafaqohet Policia e Kosovës, për të zbatuar këtë strategji të punës, janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga mungesa e logjistikës, trainimet e pamjaftueshme që u janë bërë zyrtarëve policorë, mungesa e buxhetit të caktuar për zbatim të saj e deri te mungesa e vullnetit dhe motivimit të vet zyrtarëve policorë.

Ndërrimet e shpeshta nëpër pozita që u bëhen zyrtarëve të caktuar për zbatim të kësaj strategjie, pa dyshim që përbën problem qenësor.

FIQ, në shtator të vitit të kaluar ka nxjerrë një analizë lidhur me zbatimin e kësaj strategjie, për nevoja të së cilës jemi takuar me përfaqësues lagjesh dhe fshatrash të pesë komunave të ndryshme të Kosovës. Nga këto takime, kemi parë nevojën e një fushate dhe organizimit të takimeve mes përfaqësuesve të fshatrave e lagjeve dhe Policisë së Kosovës.

 Nga diskutimet e qytetarëve, një nga problemet kryesore del të jetë mungesa e besimit të qytetarëve për të raportuar rastet, apo për të dëshmuar, si dhe  ndërhyrja e ngadaltë dhe shpesh e vonuar e policisë, sidomos në rastet, kur ka mundësi të kapen kryesit në vepër.

Një problem i diskutuar pothuajse në të gjitha takimet me përfaqësues fshatrash, ishte ndërrimi i shpeshtë që u bëhet zyrtarëve policor të sektorit.

Zgjidhja për këtë problem, nëse duhet detyrimisht të ndërrohet zyrtari i sektorit, mund të jetë vendosja e një numëri të caktuar telefoni, i cili  të vazhdojë t’i shërbejë sektorit edhe nëse do të ketë ndërrim të zyrtarit të sektorit, ose të ngarkohen  zyrtarët e rinj të sektorit që të lajmërojnë të gjithë përfaqësuesit e fshatrave dhe lagjeve të zonës së caktuar për ndërrimet, që deri tani është lënë në vullnetin e vet zyrtarit.

Njëkohësisht, disa përfaqësues fshatrash kërkuan që patrullimet e policëve nëpër vendbanime të jenë më të shpeshta dhe të realizohen në këmbë, jo me makinë, ngase prania e policëve në këtë formë do të ndikonte më shumë tek njerëzit. Një masë e tillë padyshim që nuk kërkon mjete buxhetore për t’u realizuar.

Një element që është vërejtur poashtu tek një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve policorë, është fakti se, ata me vështirësi e pranojnë detyrimin që të jenë në dispozicion të qytetarëve gjatë 24 orëve dhe se i druhen afërsisë së madhe me qytetarë dhe ndarjes së kontakteve personale me ta, sepse kjo do të mund të pengonte jetën e tyre private jashtë orarit të punës. Ndërkaq, metoda e re e punës së policisë, nuk do të mund të zbatohet pa këtë element.

Edhe pse nënkuptohet që rritja e besimit, e kulturës qytetare dhe vet zbatimi i kësaj strategjie kërkon më shumë kohë, nga ajo njerëzit po e perceptojnë dhe ashtu siç reflektojnë zyrtarët, kjo nuk mund të shihet ndryshe pos si një “papërgjegjësi strategjike”. 

(Autorja është Zyrtare e Programit për Siguri, Forumi për Iniciativa Qytetare FIQ)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)