30 Prill 2024

OSBE mëson vajzat në Kosovë se si të mbrohen nga dhuna

Shkruar nga Mirjana Ugrenoviq & Nikola Gaon

Ndërgjegjësimi rreth pranisë në shkallë të gjerë të dhunës me bazë gjinore dhe përballja me të janë hapi i parë në luftën kundër këtij lloj krimi që në të shumtën e rasteve ndodh prapa dyerve të mbyllura.

Një trajnim i OSBE-së me temë dhunën me bazë gjinore ka qenë një zbulim i vërtetë për Mirjetën, një vajzë 16 vjeçare nga Istogu, Kosova.

“Do t’u them miqve të mi se një gjë e tillë është e papranueshme, dhe se secili prej nesh duhet të ngre zërin dhe të luftojë dhunën,” tha Mirjeta.

Ajo tha se do ta përhapte këtë mesazh edhe në komunitetin e saj, duke shpjeguar se të qenit viktimë nuk është as faj e as turp, dhe se dhuna është një krim që duhet të ndalet.

Tani, në fillim të muajit qershor 2013, ajo dhe 40 vajza të tjera të shkollave të mesme nga pjesa perëndimore e Kosovës dinë se si të identifikojnë dhunën me bazë gjinore dhe çfarë të bëjnë në lidhje me të. Ato kanë marrë pjesë në një seri prej pesë punëtorish të organizuara nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, që përfshinin biseda me punëtorë social dhe zyrtarë për zbatim të ligjit se si të ndihmohet në parandalimin e krimit, dhe si të raportohen këto raste.

Çfarë është dhuna me bazë gjinore?

Dhuna me bazë gjinore përkufizohet si dhunë e drejtuar ndaj një personi në bazë të gjinisë. Në të shumtën e rasteve kjo dhunë ushtrohet  nga burrat mbi gra dhe vajza. Format e saj mund të jenë të ndryshme, duke përfshirë dhunën në familje, ngacmimin seksual, trafikimin me qenie njerëzore, dhe në raste ekstreme, prostitucion të detyruar.

Për Mirjetën posaçërisht shqetësuese është dhuna brenda familjes: “Nganjëherë fëmijët janë viktima kryesore të dhunës e në raste tjera nënat durojnë sjelljen abuzive të burrave të tyre nga frika se do të humbin fëmijët nëse kërkojnë ndarje.”

Numri i rasteve të  dhunës me bazë gjinore të raportuara në polici në rajonin e Pejës në vit arrin pothuajse 200, edhe pse janë ngritur shqetësime se numri i rasteve të këtilla është shumë më i lartë. Sipas Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës - organizatë joqeveritare që merret me të drejtat e grave - mbi 40 për qind të rasteve nuk raportohen kurrë.

Fokusi në parandalim

“Ne kemi vënë re se më shumë vëmendje i kushtohet shërimit të plagëve dhe trajtimit të  pasojave të dhunës me bazë gjinore sesa parandalimit,” tha Manuela Vender nga Misioni i OSBE-së në Kosovë. “Për këtë arsye, ne vendosëm që të veprojmë në mënyrë preventive dhe t’i ndihmojmë vajzat që të mbrojnë veten në rast të përballjes me dhunë.”

Manuela tha se punëtoritë janë fokusuar në identifikimin e abuzimit dhe shenjave paralajmëruese të dhunës, si dhe njoftimin me kohë të punëtorëve social, policisë dhe përgjegjësve të strehimoreve, institucione të cilat mund t’iu ofrojnë mbështetje grave dhe vajzave. “Ne kemi dashur t’ua bëjmë me dije vajzave se ato nuk duhet të durojnë dhunën dhe se ka njerëz të cilët mund t’iu dalin në ndihmë në qoftë se gjenden në një situatë të tillë.”

Planet e ardhshme

Manuela shpreson se institucionet vendore do të zbatojnë rekomandimet e dala nga punëtoritë, rekomandime që janë prezantuar në një seminar publik më 27 maj 2013, dhe që kane të bëjnë me mënyrat parandalimit të abuzimit bashkëshortor, abuzimit të fëmijëve dhe diskriminimit në bazë të përkatësisë etnike, moshës, pamjes apo gjinisë.

“Mbështetja e edukatorëve, qendrave për  mirëqenie sociale, strehimoreve dhe policisë ka rëndësi vendimtare në luftën kundër dhunës me bazë gjinore,” tha ajo.

OSBE planifikon që në të ardhmen të organizojë trajnime të ngjashme për nxënësit e gjinisë mashkullore, ku trajnere do të jenë vajzat.

“Është e rëndësishme që të mos ndalemi këtu, të ecim përpara me këtë nismë dhe të përshijmë më shumë shkolla. Ne duhet të flasim për problemin dhe  këtë gjë duhet ta bëjmë në mënyrë të hapur,” tha Manuela.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)