10 Maj 2024

Nobeli për Paqe në Kosovë

Kujtim Sh. DEMIRI

Ky shkrim i kushtohet nominimit të “Kosovës” apo rastit të Kosovës për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2014. Nominim ky që më bën ta ngreh dilemën se kush është meritori për këtë çmim në rastin e Kosovës.
Sipas rregullave të Nobelit, Çmimi i Paqes i jepet personit apo personave që “kanë bërë më shumë ose punën më të mirë për miqësi mes kombeve, për heqjen ose zvogëlimin e ushtrive në këmbë dhe për mbajtjen dhe promovimin e kongreseve paqësore”.

Duke iu referuar këtij rregulli, nominimi i kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, dhe i shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, si kandidatë për Çmimin Nobel të Paqes për vitin 2014, nga ana e kongresistëve amerikanë është kombinim i panatyrshëm.

Tre të nominuarit dallojnë jashtëzakonisht shumë në qëndrime dhe qëllimet e tyre përjashtojnë njëra-tjetrën. I pari kërkon të drejtën fondamentale të një populli për organizim në shtet të pavarur, i dyti kërkon që këtij populli t’i mohohet gjithçka dhe të ushtrojë sundim mbi këtë popull dhe e treta kërkon që të parin dhe të dytin t’i pajtojë pa marrë parasysh çka mendojnë ata që përfaqësohen nga këta të dy.
Raste të njëjta kemi pasur shpesh në historinë e ndarjes së këtij çmimi. Unë do t’i përmendi dy raste më karakteristike, atë të vitit 1994 dhe tjetrën të vitit 1973.

Në vitin 1994 Yasser Arafat, Shimon Peres dhe Yitzhak Rabin fituan Çmimin Nobel për Paqe për përpjekjet e tyre për të krijuar paqe në Lindjen e Mesme. Se a kanë krijuar paqe atje, e shohim edhe sot!
Rast tjetër i ngjashëm ka qenë në vitin 1973, ku Çmimin Nobel për Paqe e fituan Henry Kissinger dhe Le Duc Tho pasi kishin negociuar marrëveshjet e paqes për Vietnamin që u mbajtën në Paris në vitin 1972. Por ky rast dallon pasi negociatori vietnamez Le Duc Tho refuzoi çmimin derisa paqja të jetë krijuar vërtet. Ka edhe shumë raste të tjera që do të kishin me qenë mësim për kryeministrin tonë.

Konsideroj se kryeministri Thaçi nuk duhet ta përcjellë shembullin e vietnamezit Le Duc Tho, i cili për ato rrethana ishte shumë i arsyeshëm, por duhet të përcjellë shembull tjetër që këtë çmim ta meritojë. Kur them ta meritoj, dua të them se kryeministri Thaçi si i vetëm mund të jetë meritor për paqen në Kosovë, por jo edhe bashkë me kryeministrin Daciq, pasi ai është meritor jo për arsye të negociatave në Bruksel, por për shkak të vetëmohimit të tij për paqe në Kosovë.

Në këtë rast konsideroj se kryeministri Thaçi ta marrë shembull Martin Luther King, i cili në vitin 1964 kishte fituar këtë çmim si aktivist shembullor për të drejtat civile, me theks të veçantë të drejtat e afro-amerikanëve, i cili në ceremoninë e pranimit të këtij çmimi ka theksuar: “Unë e pranoj Çmimin Nobel për Paqe atëherë kur t’i ndalojnë padrejtësitë racore ndaj 22 milionë zezakëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Luther King këtë çmim ua dedikoi zezakëve të vet, ia dedikoi lëvizjes për të drejtat e afro-amerikanëve dhe në këtë moment konsideroj se Martin Luther King fitoi madhështinë e tij, pasi këtë çmim e përcjelli aty ku është dashtë.

Edhe kryeministri Thaçi duhet që këtë çmim t’ua dedikojë gjeneratave të tëra që kontribuuan për çlirim dhe për paqe në Kosovë, duke filluar nga luftërat ballkanike të vitit 1908 dhe 1912, Lufta e Parë Botërore 1914-1918, Lufta e Dytë Botërore 1939-1945, lufta e fundit në Kosovë 1999. Dhe gjatë kësaj periudhe nuk duhen harruar përpjekjet e shqiptarëve për çlirim nga dhuna dhe terrori sllav, nuk duhen harruar demonstratat e 1968, 1981, 1989, 1997, nuk duhen harruar grevat e minatorëve të “Trepçë”-s 1989, nuk duhen harruar burgosjet, dhunimet, vrasjet, etj... të gjitha këto më së miri përkufizohen në emrin e komandantit legjendar Adem Jashari, i cili është sinonim i gjitha përpjekjeve shqiptare për liri.
Kështu që, kryeministri Thaçi për të qenë meritor i këtij çmimi dhe për ta përcjellë këtë çmim aty ku duhet, duhet t’ia dedikojë komandantit legjendar Adem Jashari.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)