06 Maj 2025

Një kujtim për Astritin

Shkruar nga Gani Qarri

Ngushëllimi, në raste të tilla pikëlluese, natyrisht se është dhe mbetet ndër shprehjet e para dhe më të gjetura, për të lehtësuar sadopak dhembjet e mëdha të bashkëfamiljarëve dhe të të afërmeve, të viktimës.

Sado që fakti i humbjes së bashkëfamiljarit, vërtetë është shumë i vështirë dhe, përjetohet tejet rëndë, edhe më tepër mundon fakti se vrasësit në këtë vend, ende kanë aq shumë fuqi, sa që të të ndajnë përdhunshëm dhe pa asnjë shkas, nga një njeri kaq të dashur dhe të pafaj si ti.

Dhembshuria e madhe që është e natyrshme, për humbjen e fëmijës, në këso rastesh edhe si ndjenjë është pothuajse e padurueshme.

Një përjetim i veçantë dhe shumë trishtues për secilin. 

Ndaj, tragjedi të tilla janë më tepër se  shokuese, Dhembje si këto shpërfaqen aq rëndë,sa që nuk mund të fshihen as injorohen nga askush.

Ndjesi të cilat njeriu nuk ka dëshirë as t’i çojë në mendje 

Vetëm shpresa imagjinare prindërore, qoftë edhe si mendim utopik se herëdokurë, Zoti ata do ti bashkojë në qiell me njeriun e zemrës dhe atje do të mbeten përgjithmonë bashkë e të pa ndarë, ngushëllon sadopak shpirtrat e tyre.

Por me gjithë dëshirën ,kush në realitet mundi ta dëshmojë deri më tani se vërtetë të vdekurit mund të ri-sillen në jetë dhe bashkëjetojnë me të gjallët përsëri.

Vetëm Jezu Krishti atëbotë, sipas Biblës kishte deklaruar se do vije ora kur të vdekurit, do të dëgjojnë zërin e tij dhe dalin nga varret (Gjoni 5:21,28.29) gjë që deri më tani nuk ka ndodhur kurrë.

Madje ai kishte shtuar se miliona të vdekur do të jetojnë si në parajsë paqësisht, përgjithmonë mbi tokë, bashkë me të gjallët (Luka 23:43, Gjoni 3:16, ; 17:3), se a do të përjetësohet edhe kjo ndonjëherë, nuk mund ta thotë ende asnjë njeri.

Sidoqoftë, dëshira e vetme e prindërve të Astritit, ishte që ai të lirohej për gjallje të tij, nga vuajtja e padrejtë e burgosjes, gjë që po të kishte ndodhur, do ta kishte shpëtuar atë nga rreziqet që paskan qenë gjatë gjithë kohës duke i qëndruar mbi kokë, nga të cilat, pa vonuar atij i erdhi edhe vdekja.

Kështu ,mjerisht kërkesa për drejtësi dhe shpresa për lirim, papritmas u kthyen në vuajtje e dhembjeje të pafund dhe përkujtim të përjetshëm për shuarjen e parakohshme të jetës së Astrit Deharit.

E si do të mund ta marrë ndonjëherë ndjesën e të gjithë viktimave; të vdekurve, të vrarëve dhe të mbyturve, ky shtet i çmendur që sa vite, vret bijtë e vet.

Edhe pse hipotetikisht thuhet se çdo mëkatar me rastin e vdekjes, vendoset para Zotit ku nuk mund ta fshehë të vërtetën e prapësive të tij, vrastarët e këtij vendi, nuk e kanë fare atë preokupim,madje ata nuk frikohen nga zoti as ligji mbi të cilin qëndrojnë vet dhe vazhdojnë të sigurt zanatin e tyre me marrjen e jetëve të pafajshme siç i morën edhe Astritit, pa asnjë arsyetim.

Ngjarje si kjo, na përkujtojnë se të gjitha viktimat që kanë fatkeqësinë të bien në duart shpirt-marrëse të këtij shteti, ku komandantë e udhëheqës të paraburgosur nga disa herë, si në asnjë vend tjetër dhe pa pyetur askënd, rivendosen përsëri në vende-udhëheqës dhe poste komanduese sikur të mos kishte ndodhur asgjë,në vend se të lirohen, si të ngarkuar me mëkate të mëdha, viktimat edhe të pafaj nuk do të shpëtojnë nga duart e tyre pa kaluar mbi lëkurën e vet vuajtjet e flijimit të Krishtit në kryq

Por, athua a do të mjaftohen edhe kësaj here shqiptarët vetëm me ndezje qirinjsh para Teatrit Kombëtar, apo do të ngritën dhe kërkojnë përfundimisht me këmbëngulje zbardhjen e skenarëve ogurzezë të marrjes së jetës së Astrit Deharit!?  

Sidoqoftë, edhe pa e ditur ende krejt çfarë ndodhi brenda mureve misterioze të atij burgu të zi, i cili të solli vdekjen, asgjë dhe asnjëherë nuk mund të na ndaj nga kujtimi i mirë dhe i përjetshëm për Ty.

Për shpirtin tënd të shuar dhunshëm e para kohe, ndjenjat prindërore dhe dashuria e të afërmeve si dhe gjithë atyre që të patën në zemër, do të depërtojnë deri në jetën e përtejme, atje ku ndodhesh tani, në parajsën qiellore, duke pushuar në amshim, Astrit. Prindërve e bashkëfamiljarëve ngushëllim, veprës dhe jetës tënde- Lavdi!

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)