28 Prill 2024

Ndaj tezave të Schmitt të heshtim zgjidhja më e mirë

Shkruar nga Besnik Rama

Prej kohësh historiani zviceran Oliver Schmitt, i cili është marrë gjatë me studimin e historisë së vendeve të Ballkanit, rëndom hedh teza antishqiptare, të cilat mund të verifikohen, madje një pjesë janë verifikuar, qartë nga historianët shqiptarë dhe të huaj, porse së fundmi, përpos librit të tij për udhëheqësin e Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeun, ai ka hedhur në \"treg\" dyshimet e tij lidhur me popullin shqiptar si pasardhës të ilirëve. Pra, më shkoqur, ai dyshon në lidhjet e shqiptarëve të sotëm me ilirët e vjetër.

Në fakt, analiza e një historiani rrjedh edhe nga biografia e tij, e cila në rastin tonë, lidhet kryesisht me një dashakeqësi ndaj shqiptarëve.

Me këto dashakeqësi e armiqësi shqiptarët janë mësuar historikisht, jo vetëm qysh prej formimit të shtetit të tyre, por mjaft herët, që në kohën e pellazgëve, ilirëve, arbërve e deri në ditët e sotme.

Sigurisht, historiani në fjalë, si shumë të tjerë që e konsiderojnë historinë një \"plaçkë përfituese\", mall për shitje, duke e ditur që shashka të tilla nxehin dhe rrisin konfliktualitetin në Ballkan, rrjedhimisht edhe tezat e tij do të shiten, - teza të cilat kalojnë nga Beogradi e Athina zyrtare.

Nëse herëve të tjera media shqiptare në shumësi ia vuri veshin tezave të këtij palo historiani, kësaj here u tregua më e matur, pasi një pjesë e rëndësishme nuk honepsën dot të mbushnin mediat me lajthitje të këtij lloji, krejt antishqiptare dhe të ulëta. Ndaj, përgjigjja ishte mëse e duhur dhe e merituar.

Teza të tilla duhen anashkaluar me indiferentizëm të thellë. Kundra shpifjeve reagimi më i mirë është heshtja.

Ose, nëse vendosim të reagojmë, me patjetër duhet të vëmë në punë elitën tonë intelektuale, atë historiane, për t\'i ndihur dhe shtyrë në kërkimin e botimin e veprave që verifikojnë të kundërtën e Schmitt-it, prejardhjen ilire të shqiptarëve, që deri më sot askush, përpos Greqisë dhe Serbisë, madje deridiku, i kanë vënë në dyshim.

Të gjithë të tjerët lidhjen iliro-shqiptarë e kanë pranuar plotësisht, pasi historia e ka faktuar qysh herët një gjë të tillë.

Një tezë tjetër e trajtuar në esenë e fundit të tij \"Shqipëria\", na thotë se armiqtë e Skënderbeut ishin shqiptarë, që ishin konvertuar në Islam.

Ai, me dashje, tregohet dashakeqës, pasi përgjithëson shqiptarët e besimit mysliman në tërësi, të cilët kanë luftuar kundra Skënderbeut.

Kjo largmendsh nuk mund të pranohet, pasi përqindja më e madhe e shqiptarëve, në ato vite të kohës skënderbegiane, ishin të besimit Islam.

Rrjedhimisht prijësi ynë Skënderbeu nga do ta gjente forcën dhe mbështetjen nëse pjesa më e madhe e shqiptarëve ishin kundër tij?

Fakte krejt të tjera na dëshmojnë se Skënderbeu arriti të bashkonte gjithë shqiptarët në një, muhamedanë e kristianë, kudo nëpër Shqipëri.

Historiani Schmitt harron se \"pyllë pa derra s\'ka\". Kësisoj, ai me dashje e tepron duke përgjithësuar tradhëtitë e shqiptarëve në dëm të një religjioni fetar.

Me ritmin e tezave të tilla do të na dalë prej penës së hidhur të tij që edhe i nipi i heroit tonë kombëtar ishte i besimit Islam. Këtë le ta pranojë vetëm Schmitt-i, në qetësinë e tij dhe të përfitimeve që rrjedhin nga teza të tilla antishqiptare!

Skënderbeu luftoi ashpërsisht ndaj Perandorisë Otomane. Bashkoi mjaft shqiptarë rreth vetes, duke ngritur qysh asokohe idenë e vëllazërimit e bashkimit në një të shqiptarëve, pa dallim feje, krahine e ideje.

Po ashtu Schmitt tregohet i pakursyer në sulmin e radhës që u bën shqiptarëve, teksa dyshon në tolerancën e tye fetare, - një gjë e cila deri më sot është marrë shembull nga Kanadaja e ShBA-të, Evropa dhe deri në Azinë e largët, por që sipas historianit është dyshuese.

Konkluzioni është që bota e tërë e ka gabim dhe Schmitt ka të drejtë, ose e anasjellta. Gjithsesi, si përfundim, teza të tilla duhen marrë lehtë-lehtë, pa sforcime të llojeve të ndryshme, pasi janë thellësisht dashakeqe ndaj kombit shqiptar në tanësi.

Nëse vendoset të reagohet, këtë duhet ta bëjnë elita e historianëve të vendit tonë, duke botuar fakte të qarta se jo palo historiani po gabon rëndë, porse shqiptarët janë pasardhës jo vetëm të ilirëve, por pellazgëve; që shqiptarët janë populli më tolerant i botës, sa i përket besimit fetar, ku myslimanët, katolikët, ortodoksët dhe bektashinjtë jetojnë në paqe të plotë; vendi ku hebrenjtë gjetën strehën e vetme përkundrejt tmerrit hitlerian dhe vendi i cili luftoi më ashpër nga të gjitha vendet e tjera europiane ndaj Perandorisë Otomane, duke u çliruar nga ajo plotësisht, apo që në krye të këtij vendi kreshnikësh qëlloi të ishte për vite me radhë një prijës, “atleti i Krishtërimit”, “mbrojtësi i Evropës”, strategu e komandanti i madh, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.


/Autori është botues & kryeredaktor i gazetës “Nacional Albania/
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)