Mungesa e strategjisë për zhvillim ekonomik

Shkruar nga Fiknete Bejta
Përparësitë komparative që disponon shteti i Kosovës, në mungesë të politikave të mirëfillta ekonomike dhe në mungesë të investimeve të mjaftueshme, nuk ka arritur ti materializojë me trend solid të zhvillimit. Kosova ka mungesë të kapitalit financiar për investime të reja për ngjalljen e aktivitetit ekonomik.
Kjo mungesë parash për investime rrjedhë nga deficiti i lartë i pagesave i ekonomisë kosovare, sepse Kosova është e detyruar të eksportojë para për të blerë mallra në tregun ndërkombëtar. Në Kosovë veprojnë shumë banka të jashtme, por ata nuk disponojnë kapitale të mëdha dhe në Kosovë aplikojnë politika kreditore jo të favorshme për ekonominë.
Kjo politikë e pafavorshme kreditore mund të shihet në kamatat e larta që përfitojnë ato nga kreditë e tyre dhënë biznesit kosovar, krahasiuar me kamatat që aplikojnë në vendet, prej ato vijnë. Kjo është logjikë e ekonomisë së tregut, që ka përqafuar Kosova, logjikë e ofertës e kërkesës për mjete monetare, si kudo në botë.
Bankat në Kosovë shumica janë me kapital themelues të jashtëm, por ato operojnë me depozitat e shumëta të qytetarëve të Kosvës, duke paguar kamata të ulëta për depozita dhe duke inkasuar të hyra të majme nga kamatat në kredidhënje.
Deri më tani ka munguar intervenimi i Bankës qendrore për të zbritur normën e lartë të kamatës, për bankat komerciale në mënyrë që ato të kenë levërdi të kreditojnë bizneset kosovare me norma më të arsyeshme dhe më të përballueshme për bizneset.
Paradoks të veqantë i tregut financiar kosovar është edhe fakti se rreth një miliardë të shtetit të Kosovës janë të deponuar në tregun ndërkombëtar të kapitalit, për kthimin e të cilit në Kosovë deri më tani nuk ka pasur ndonjë vullnet politikë. Investimi i këtij kapitali domethënës në tregun bankar të Kosovës me kamata të ulëta, do të kishte efekte multidisiplinare në zhvillimin ekonomik të Kosovës, mundësi kjo që nuk u shfrytëzua nga asnjë qeveri deri më sot.
Mungesa e kapitalit financiar të mjaftueshëm, qoftë nga burimet e vendit qoftë nga burimet e jashtme për investime në ekonomi dhe krijimin e vendeve të reja të punës, imponon nevojën e hartimit të strategjisë së zhvillimit ekonomik e cila strategji do të mbështetej në prioritete zhvillimore të qëndrueshme.
Në mungesëë të kapitalit financiar, shteti i Kosovës orientim strategjik duhet ta ketë zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, ku krijimi i një vendi pune ka kosto më të ulët.
Në këtë drejtim përparësi do të duhej dhënë zhvillimit të përparuar të bujqësisë e blegtorisë dhe përpunimit industrial të prodhimeve buqësore e blegtorale.
Me këtë shteti i Kosovës do të mund të realizonte disa caqe strategjike njëkohësisht: Do të mund të të zvogëlonte shkallën e papunësisë së kontigjentit të aftë për punë; do të mund të rriste bazën e taksapaguesve dhe të të hyrave të veta; do të mund të bënte zëvendësimin e importeve me prodhime vendore dhe me këtë edhe mbetjen e qindra miliona eurove në tregun vendor, që do të mund të shërbente për projekte tjera zhvillimore, si dhe do të mundëte të rrisë eksportet në tregjet rajonale e ndërkombëtare dhe me këtë edhe zbutjen e debalancit tregtar e të pagesave.
Gjithmonë ekzistojnë segmente të caktuara ku shteti duhet të intervenojë me politika ekonomike e fiskale për të ndihmuar biznesin e ekonomine ne pergjithesi.
Disa hapa të reformës kryesisht fiskale qeveria e tanishme është duke i ndërmarrë gjë që tregon për seriozitet në këtë aspekt dhe qe duhet ketë përkrahjen e gjithesecilit nga ne .