06 Maj 2025

Meditime urbane 2015

Shkruar nga  arch. Ylber Vokshi - Ylli

Para katër-dhjetë (40) vite, isha student i arkitekturës,  kur kreu i regjimit komunist Jugosllav Tito,  morri guximin t’i iu jep instruksione (urdhra) projektantëve arkitektonik dhe atyre urban se si duhet me projektuar një objekt banimi, caktimin e lartësisë (etazhitetin) së tij apo organizimin e një bashkësie lokale, si pjesë integrale e një qyteti – vendbanimi.

Të gjithë pjesëmarrësit e mirëfilltë në proceset e ndërtimit ishin të shokuar,  me një qasje të tillë “urdhëruese” ndaj zejes së tyre, projektimit urban.

Është e pa mundur me iu nënshtruar diktateve të tilla. kur ndërhyhet në punët e profesionistëve bëhen nga faktorët politik,  duke “harruar” përgjegjësinë që do të duhej të iu takonte të gjithë pjesëmarrëseve tjerë në procesin e ndërtimit.
 
E përmenda ketë ndodhi e cila më asocion-ngjan në deklaratën e Kryetarit të Komunës së Prishtinës z.Shpend Ahmeti i cili këto ditë u prononcua në opinion me një deklaratë interesante për opinion; “Ne po bëjmë përpjekje që t’i zgjerojmë hapësirat publike,  duke iu dhënë investitorëve mundësi që në vend të 6 kateve të ndërtesës t’i bëjnë 8,  kështu që të lirojnë më shumë hapësirë poshtë”. 

I nderuari kryetar, nuk është çështje e juaja me e definuar lartësinë (etazhitetin) e ndërtesave për të zgjeruar hapësirat publike , ajo është punë parësore e projektantëve urban,  që duke i respektuar kërkesat që lindin nga dokumentet hapësinore në fuqi, nga detyrat projektuese apo programet e juaja urbane,  të bëjnë projektimin e një zone të caktuat të Prishtinës, duke iu përmbajtur normave dhe standardeve urbane, të cilave duhet me ia përshtatur kushteve specifike që i ka kryeqyteti i Kosovës, asgjë ma pak ose ma shumë. Si mundet të interpretohet kjo “këshillë” që vjen nga stafi politik në shekullin e ri ?

Jemi dëshmitar të gjashtëmbëdhjetë (16) viteve të pas luftës ku rroli i profesionistëve është margjinalizuar në ekstrem, gati në të gjitha fushat e jetës në Kosovë.

 Do të ndalem në fushën e projektimit hapësinor, urban dhe arkitektonik,  gjegjësisht në ndërtimet që ndodhën në shekullin e ri XXI në Kosovë, e posaçërisht në Prishtinë.

Si rezultat i një politike urbane tërësisht të gabuar në këto vite,  arritëm të kemi një degradim shqetësues të tërë hapësirë tonë urbane. I përsëritëm gabimet e shoqërive të civilizuara të shekullit të kaluar, duke e anashkaluar zhvillimin urban POLICENTRIK të territorit tonë.

Në të gjitha dokumentet hapësinore të nivelit lokal dhe qendror e kemi proklamuar këtë proces formalisht, realiteti është tërësisht ndryshe në Prishtinë dhe në qytetet tjera në Kosovë.

Në kohën e fundit nga ana e zyrtarëve komunal përmendën disa çështje urbane teknike dhe ligjore për të cilat vlen të diskutohet,  me të vetmin qellim për të avancuar funksionimin sa ma të mirë të tyre.

Ka disa çështje puro teknike që kontestohen nga zyrtarët komunal të urbanizmit në Prishtinë, potencohen si shkaktar të pa mundësisë së zbatimit të dokumenteve hapësinore të cilat janë në fuqi.

Duhet gjithsesi me i zbatuar ashtu kërkojnë ligjet aktuale të urbanistikës,  edhe se nuk përputhën me kërkesat apo trendet aktuale të urbanizmit në shoqëritë e civilizuara, si koeficienti i ndërtimit,  trajtimi jo adekuat i hapësirave publike,  gjelbërimit etj.

Mos harroni se sot kemi të bëjmë me Planifikim STRATEGJIK hapësinor i cili e ka karakteristikën e fleksibilitetit, e që nga aspekti profesional janë legjitime,  pranohen dhe ligjësohen ndryshimet e argumentuara profesionale. Këto kërkesa për mua janë legjitime, gjithsesi duhet trajtuar me profesionalizëm, urgjent duhet zgjidhur, në mënyrë që të mos ketë ngecje në funksionimin e sektorit të urbanizmit në Komunën e Prishtinës si dhe në qytetet tjera në Kosovë.

Imagjinoni edhe sa kohë i duhen Ministrisë (MMPH) për të përpiluar aktet nënligjore për dokumentet hapësinore komunale,  e posaçërisht për HARTËN ZONALE e cila do të hapte rrugën për përpilimin e ri të dokumenteve hapësinore komunale.

Dy vite shkuan, të shohim edhe sa të tjera ? Vlen për të theksuar  rastin kur komuna e Prishtinës pas shumë vite pritje, aprovoi një rregullore për trajtimin e ndërtimeve pa leje, reagimi i Ministrisë ishte se ai veprim i komunës ishte anti ligjor. Kjo tregon se si janë keqpërdorur autorizimet shtetërore, pasi atë ligj Kuvendi i Kosovës e aprovoi pas katërmbëdhjetë (14 ) vite dhe ende nuk është aktiv tërësisht. 

Mirë e theksonte dikur një urbanist i njohur Shqiptar “nuk ka ligj në bot që do të më detyron apo obligon që të punoi kundër ligjeve të natyrës dhe rregullave teknike, normave dhe standardeve ndërkombëtare të urbanistikës”.

Në favor të qëndrimit tim, më duhet të ju tregoi një ndodhi të para 13 vite,  që më ka ndodhur në Roterdam të Holandës. Si pjesë e një ekspedite studimore, ishim në një institucion të njohur ndërkombëtar të fushës së Planifikimit Hapësinor dhe Urban (IHS).

Isha shumë kureshtar të marrë një përgjigje profesionale në një pyetje, si do të vepronin Holandezët, nëse do të kishin një investitor të gatshëm me investuar mjete milionëshe,  në një lokacion i cili nuk ishte i paraparë me dokumente hapësinore dhe  urbane, pengonte në atë zonë.

Pas shumë hamendjesh eksperti i njohur ndërkombëtar z.Forbes Davidson ma në fund mu përgjigj se do të bënin revidimin e duhur të dokumenteve hapësinore dhe kurrsesi nuk do të lejonin të humbën ato mjete të mëdha financiare për qytetin dhe shtetin e tyre. Mu kjo ishte karakteristika kryesore e Planifikimit Strategjik Hapësinor, që mua më mundonte,  i edukuar të punoi me planifikim klasik konvencional.

Ishte kjo një qasje e re e aplikimit të principeve bashkëkohore të urbanizmit,  e cila mundej të  na ndihmonte shumë neve në Kosovë,  të mësuar me planifikimin e vjetër KONVENCIONAL, i cili ishte i dirigjuar politikisht, me shumë kushtëzime abuzive dhe korruptive dhe aspak fleksibile si e kërkon shekulli i ri.

Për fat të keq ne si shoqëri ende jemi duke veprua në këtë formë klasike të planifikimit hapësinor dhe urban që karakterizohen me kushtëzime të ndryshme jo parimore,  e të ngarkuar me “tyrlefare” teori idioteske ballkanike.

Është fakt i pa mohueshëm se funksionimi i mirë urban i qytetit është detyra parësore e vendimmarrësve komunal, krahas problemeve tjera të rëndësishme që i dikton jeta në qytet.

Për fat të keq ish kryetarët e komunave në Kosovë këtë e kanë”kuptuar”pasi e kanë përmbyllur mandatin qeverisës.

Nuk duhet harrua faktin se ata kanë vepruar në rrethana tjera post-konfliktuoze, por ajo se çka i kanë bërë hapësirës së Prishtinë dhe Kosovës,  kurrsesi nuk duhet harruar, pasi ato veprime shihen, preken dhe direkt, dhe sot po ndikojnë negativisht në jetën urbane posaçërisht në kryeqytet.

Urbanistika nuk është lami që duhet mistifikuar, ajo është jeta ynë e përditshme të cilës nëse i qasemi në mënyrë realiste dhe pragmatike, nuk duhej të ishte ndonjë tabu temë ashtu si dëshirojnë ta bëjnë disa, me të vetmin qellim për të abuzuar dhe për të pasur përfitime të mëdha materiale.

Mos të harrojmë se ne jemi shoqëri e çuditshme e cila është në gjendje edhe me e VRA Arkitektin, e me ketë tregojmë një fatalitet i cili na është hakmarrë me shekuj.

Sa jo serioz po eksponohen asamblistët komunal të pozitës dhe opozitës në Komunën e Prishtinës.

Diskutohet dhe polemizohet për dokumentet hapësinore komunale , në thelb dominon politizimi i skajshëm i të gjitha çështjeve urbane, jetike për funksionimin normal të kryeqytetit.

Ka kërkesa qesharake që në thelb tregojnë se sa janë larg realitetit dhe kualitetit shumë të ulët të jetës urbane.

Të gjithë “dijnë” dhe “shesin mend”,  i përmendin disa vizione apo strategji, e në thelb as që janë të interesuar ndonjëherë për vendin ku jetojnë sot ata dhe pasardhësit e tyre.

Për çdo respekt ishte ndërprerja e ndërtimeve pa leje pas katërmbëdhjetë (14) viteve në kryeqytet, dhe fillimi i vendosjes së rendit dhe respektimit të ligjit në fushën e urbanistikës.

Natyrisht ka kundërshtime të mëdha nga ata që ishin të privilegjuar të vepronin kështu pa pengesa, në këto vite.

Nuk kërkohet nga ju që me “shkop magjik”të zgjidhni problemet e shumta urbane që janë krijuar këto vite, me rëndësi është qasja konstruktive ndaj kësaj problematike e cila domosdo duhet të filloi, për ketë kërkohet angazhim maksimal i të gjithë faktorëve vendimmarrës e posaçërisht respektimi i punës së profesionistëve e cila është nënçmuar deri me tani, me të vetmin qellim, që të kemi një jetë të dinjitetshme urbane ku do të dominoi rregulli dhe ligjshmëria. 

/Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)/



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)