30 Prill 2024

Ligji i punës apo ligji për shërbyesit civilë

Shkruar nga Burim Haliti

Korniza ligjore në Republikën e Kosovës, çdo ditë e më shumë po merr formë të mirë në aspektin kuantitativ dhe kjo është mirë për një shtet bashkëkohor, mirëpo kjo e mirë nuk duhet të pasojë me kolizione të ligjeve, zbrazëtira ligjore, dominim të akteve nënligjore mbi aktet ligjore, etj, etj.

Ligji i punës është një ligj gjeneral që i përgjithësohet të gjithë qytetarëve të punësuar në Republikën e Kosovës dhe obligon të gjitha institucionet publike dhe private ta respektojnë çdo dispozitë që del nga ky ligj lidhur me të drejtat e punëdhënësit përballë punëmarrësit dhe anasjelltas.

Ligjvënësi tek ne, është i lirë të vendosë vullnetin e tij ligjor në aspektin e rregullimit të një çështje të caktuar me ligj, por kjo nuk e përjashton këtë institucion nga përgjegjësia që nuk mundet të miratojë një ligj me dispozita kundërthënëse me ligjin tjetër, sepse duhet harmonizuar ligjet e veçanta me ligjet e karakterit të përgjithshëm.

Duke u nis nga ai parimi juridik se më mirë një ligj i dobët sesa fare pa ligj, atëherë gjejmë një justifikim në këtë drejtim dhe mund të solidarizohemi pa masë në këtë çështje, por a është kjo profesionalisht në rregull, sigurisht se jo dhe ekspertët e kësaj fushë duhet reaguar me shpejtësi për ti sanuar këto probleme ligjore.

Ligji i punës nuk është i aplikueshëm vetëm për disa institucione të karakterit ndërkombëtar të cilat janë prezent tek ne: misionet ndërkombëtare, misionet diplomatike dhe konsullore të shteteve të huaja, pranisë ushtarake ndërkombëtare të vendosur në Republikën e Kosovës dhe organizatat ndërkombëtare qeveritare, (shih nenin 2, paragrafin 4 të ligjit të punës), me vetë faktin që i përjashton këto mekanizma atëherë nënkuptohet se ky ligj vlen për të gjitha institucionet tjera publike dhe private (shih nenin 2, paragrafi 1 të ligjit të punës).

Ligji për shërbyesit civilë është një ligj i veçantë sepse rregullon statusin e nëpunësve civilë dhe marrëdhënien e tyre të punës, vetëm të disa punëtorëve të punësuar në sektorin publik në Republikën e Kosovës dhe nuk prodhon efekte juridike për kategoritë e tjera që nuk janë të parapara me këtë ligj si kategori ligjore të ligjit për shërbyesit civilë. Ky ligj vlen për këto kategori ku përfshin të gjitha institucionet e administratës qendrore dhe lokale: administratën e kuvendit, administratën e presidencës, zyrën e kryeministrit dhe ministritë, agjencitë ekzekutive, agjencitë e pavarura dhe ato rregullatore dhe administatën komunale (Shih nenin 1, paragrafi 2, të ligjit për shërbimin civilë nr. 03L-149).

Ligji i punës për të punësuarit në Republikën e Kosovës në sektorin publik dhe privat është ligj primar dhe çdo e drejtë e tyre e punësimit është e rregulluar me këtë ligj dhe nuk mundet të rregullohet në mënyrë diskriminuese me një ligj tjetër, siç është rasti me ligjin për shërbyesit civilë ku për të punësuarit në shërbimin civilë parasheh 18 ditë pushim vjetor (shih nenin 39, paragrafi 2, të ligjit për shërbyesit civilë –nr 03L-149), e cila dispozitë ligjore është në kundërshtim të plotë me ligjin e punës ku për të gjithë të punësuarit në Republikën e Kosovës parasheh se secili që është i punësuar ka mundësi në bazë të ligjit të punës të marrë pushim vjetor katër javë që në ditë nënkuptohet se janë 20 ditë (shih nenin 32, paragrafi 1, të ligjit të punës – nr. 03\\L-212) dhe kjo dispozitë është jo në harmoni ligjore me ligjin për shërbimin civilë gjegjësisht dispozitën ligjore nenin 39, paragrafi 2 të ligjit për shërbimin civilë.

Dilema ligjore qëndron në atë se të punësuarit në Republikën e Kosovës të cilët janë të kategorizuar si shërbyes civilë a duhet të marrin katër javë pushim vjetor sipas ligjit të punës, apo duhet të respektojnë ligjin për shërbimin civilë që për ta në këtë rast parasheh vetëm 18 ditë pushim vjetor që është diskriminues sepse parasheh ditë më pak sesa që është e paraparë me ligjin gjeneral për të punësuarit në Republikën e Kosovës me ligjin e punës.

Përveç këtij joharmonizimi të ligjit të punës me ligjin për shërbimin civilë ekziston edhe një dispozitë tjetër ligjore që është dizajnuar për të mos u përshtatur me dispozitat ligjore të ligjit të punës, sepse në ligjin e punës në Republikën e Kosovës parashihet se çdo të punësuarit përveç se i takon pushimi i rregullt vjetor ai ka të drejtë në bazë të përvojës së tij të marrë në çdo 5 vite një ditë më tepër pushim vjetor (shih nenin 32, paragrafi 2, të ligjit të punës – nr. 03\\L-212) e kjo është në të mirën e punëtorit sepse ai shpërblehet për përvojën e tij që ka kaluar si i punësuar në një institucion apo kompani qofshin në sektorin publik apo privat.

Mirëpo kjo me ligjin për shërbimin civilë është paksa më ndryshe sepse në këtë ligj çdo i punësuar në Republikën e Kosovës, që kategorizohet si shërbyes civilë ka të drejtë në 18 ditë pushim vjetor, dhe për çdo dy vite si i punësuar i takon 1 ditë më shumë në pushimin vjetor (shih nenin 39, paragrafi 3, të ligjit për shërbyesit civilë –nr 03L-149) që nënkupton se poashtu edhe në këtë dispozitë ligjore a duhet respektuar ligji i punës apo ligji për shërbimin civilë, e që në këtë rast nuk është diskriminues për të punësuar si shërbyes civilë por është në favor tyre.

Përfundim - realisht të tilla lëshime profesionale-juridike mund të ndodhin kudo jo vetëm tek ne, por duhet të marrim masa që sa më shpejtë të jetë e mundur ti sanojmë këto gabime të karakterit profesional sepse nuk i kontribuojnë profesionalizmit dhe të dinjitetshmes, andaj çdo zgjidhje në këtë drejtim do të jetë në favor të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kjo temë duhet debatuar në nivelin lokal dhe qendror nga ekspertë të jurisprudencës, filozofisë ligjore dhe ekspertë të shoqërisë në mënyrë që të shteren të gjitha mundësitë për ti evituar anomalitë e tilla ligjore që mund të ndodhin në kornizën ligjore të një vendi.
 

/Ma.Sc. Burim Haliti Master i shkencave juridiko-financiare/ 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)