28 Prill 2024

Letër e hapur ministrit të shëndetësisë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ferid Agani

I nderuar,

E di që jeni në rrjedha të fenomenit të etheve hemorragjike në Komunën e Malishevës. Javën e kaluar, me vdekjen e një foshnje, virusi e shtoi në gjashtë numrin e personave që kanë vdekur këtë vit.
Mënyra vendore e luftimit të kësaj dukurie, e kam fjalën për përpjekjest e Komunës së Malishevës dhe të Ministrisë së Shëndetësisë, nuk po e ndryshon gjendjen në terren.

Dhjetëra qytetarë tjerë gjenden në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë në trajtim. Më shumë se sa 2700 raste të pickimeve nga rriqrat janë regjistruar këtë vit. Sot isha në qendrën e Malishevës dhe disa herë rrugëve të qytetit dëgjohej alarmi i Ambulancës, duke u ngutur për të dërguar në trajtim të prekurit. “Është për rriqërat”, i dëgjoja duke thënë njerëzit. 


Mendoj që duhet të shkohet përtej mënyrave, të cilat janë përdorur deri më tash, në luftimin e këtij fenomeni që po merrë jetë njerëzish. Mendoj që duhet kaluar kufijtë e kapaciteteve shtetërore për të parë se çfarë është puna në atë zonë. 


Deri më tash unë nuk kam dëgjuar që është provuar që të kërkohet mbështetje nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, si dhe nuk kam dëgjuar që është trokitur në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, përkatësisht kreut të saj, Samuel Zbogar.

Këta organizma sigurisht do të mund të sillnin në Kosovë skuadra ekspertësh për të kryer në terren punën e tyre dhe për të nxjerrë një konstatim për shkakun pse njerëzit po vdesin pas takimit me atë krijesë, cila është mënyra që duhet eleminuar atë, apo nuk ekziston asnjë mënyrë. Në këta organizma, më shumë se sa: "nuk mund t'u ndihmojmë", nuk besoj që mund të thonë.

Nuk kam dëgjuar që është praktikë që dikush ta rrahë dikë pse i kërkon ndihmë. Gjithsesi kërkoj falje nëse janë kontaktuar këta organizma dhe është ngritur një çështje e tillë, kurse unë në anën tjetër nuk e di për këtë punë. 


Ministër, secili e di që dukurinë e etheve hemorragjike në Komunën e Malishevës nuk e keni mbjellur ju, mirëpo të gjithë e dimë që në pozicionin që jeni, u takon që të angazhoheni më shumë për çrrënjosjen e saj. Mendoj se duhet që ta shfrytëzoni autoritetin tuaj më shumë në këtë drejtim.

Nëse nuk mundeni vetë, atëherë është mirë që të kërkoni mbështetjen e kryeministrit, që edhe ai të futë në funksion autoritetin e tij në raport me organizmat ndërkombëtarë. 


Ne po e shohim luftëra në televizor dhe po na bijnë në sy njerëzit duke vrarë njerëzit, por rrezja e përplasjes nuk po kalon kufijtë e atyre vendeve për ta goditur Malishevën.

Njerëzit na Malishevë po i dërgojnë në varre rriqërat. Është absurde të vdesin njerëzit në këtë kohë, në shekullin e njëzet e një, nga insektet. Nuk jemi duke jetuar në kohën e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, ta hajë dreqi. Pra çështja është se do të duhej që të ndjenit më shumë përgjegjësi për luftimin e kësaj dukurie, sepse jeni ministër i Shëndetësisë.

Pra kur praohet një post i tillë, mendoj se duhet qenë në gjendje t’i dilet në krye. Nuk mund të pritet që këtë problem qytetarëve të Malishevës t’ua heqin qafesh kryetarët e klubeve letrare a sportive. Prej juve po. 


Uran Krasniqi,
Qytetar i Komunës së Malishevës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)