30 Prill 2024

Latifaj e Morina letër publike Qemajl Mustafës, marrëzia e një komploti

Shkruar nga Xhavit Latifaj dhe Selver Morina

- Ne tani mund t’ju shkruajmë të lehtësuar dhe të qetë pas satisfaksionit të fituar nga drejtësia, fytyrëbardhë ashtu siç ishim, para, gjatë dhe në përfundim të akuzave, për të cilat ju treguat se jeni mjeshtër të intrigës dhe krijimit të situatave mashtruese, pasi që gjithçka keni bërë nuk ka të bëjë asgjë me demokracinë, përkatësisht humanizmin - shpirtin e qytetërimit perëndimor.

I “nderuari” kryetar po mundohemi që me sa më pak fjalë t’ua përkujtojmë të bëmat tuaja të nisura pesë vjet më parë ndaj ish menaxhmentit të KRM “Higjiena” në Gjilan.

Sqarimeve po ia fillojmë me vitin e fundit të plotë të menaxhimit tonë, kjo për të argumentuar se pikërisht për vitin për të cilin po fillonin akuzat, kishte dhe ka argumente të pakundërshtueshme, se jo vetëm se nuk mund të bëhej fjalë për keqmenaxhim apo keqpërdorime, por vetëm për suksese dhe lëvdata, rritje të buxhetit dhe investimeve.

Ju nuk dëshironit ta dëgjonit të vërtetën, sepse ishit përcaktuar për insinuata dhe procese të planifikuara, të cilat nuk mund të realizoheshin pa viktimizimin tonë, vetëm e vetëm pse nuk do të bëheshim pjesë e lojërave të ndyta që kishin cak rrënimin dhe përfitimin material nga kompania KRM “Higjiena”.

Ne tani mund t’ju shkruajmë të lehtësuar dhe të qetë pas satisfaksionit të fituar nga drejtësia, fytyrëbardhë ashtu siç ishim, para, gjatë dhe në përfundim të akuzave, për të cilat ju treguat se jeni mjeshtër të intrigës dhe krijimit të situatave mashtruese, pasi që gjithçka keni bërë nuk ka të bëjë asgjë me demokracinë, përkatësisht humanizmin - shpirtin e qytetërimit perëndimor.

Pranimi i komplotit

Ndoshta nuk do të dukeshim bindës, për akuzat ndaj juve zoti Mustafa, e mbase do të mund të ndiheshim edhe vet se po ju hynim në hak me paragjykime, sikur mos të ju kishim takuar, të enjten që shkoi (22.08.2013, ora 17.00) në zyrën tuaj.

Ju gjatë bisedës me ne, e cila kishte për qëllim që ju t’ju njihnim drejtpërdrejt me faktin se tani ne përfundimisht ishim të pafajshëm, ashtu siç ishim që nga fillimi (dhe siç ju kishim njoftuar që në fillim të komplotit), dhe për të drejtat që na takojnë, na thatë se viktimizimi ynë ishte kryevepra juaj. “N’dashi me ditë, kjo është kryevepra ime që ju largova nga kompania”.

Tani e pranuat haptas se ju vet keni qenë strumbullari i intrigave dhe gjithë ato që ne kemi shkruar në këtë letër, ju i keni bërë pa fije turpi, nderi, karakteri, morali duke treguar ligësinë tuaj.

Ju na e thatë këtë pas injorimit tuaj, sipas zanatit të qeverisjes suaj duke u treguar se ju jeni mbi ligjin, mbi gjykatat, mbi humanizmin pasi ju nuk shprehët aspak keqardhje për vuajtjet tona për pesë vjet.

Ju sikur deshët të thoshit se kush janë gjykatat që vendosin për pafajësi, kur na u drejtuat: Cila gjykatë? Edhe pse edhe kur u shpallëm të pafajshëm nga Gjykata e Qarkut para më se 20 muajve, edhe kur u shpallëm tani nga Gjykata e Apelit, pothuajse të gjitha mediat lokale dhe nacionale kanë njoftuar për pafajësinë tonë.

Si për tu lavdëruar, në krekosje e sipër ju treguat për dështimet. Na thatë se tani e ke rregulluar kompaninë shumë mirë. Po e keni dhënë me partneritet publiko-privat ku 51% për austriakun e për veti, ndërsa pakicën e aksioneve, 49 % e keni lënë publike.

Ju para se të na largonit dhunshëm nga puna, punëtoret i merrnin pagat me të tretin në çdo muaj, kurse tani pagat i marrin me një muaj vonesë.

Ne pagat i merrnim nga pagesat e shërbimeve direkte, ndërsa tani ju kryetar i paguani nga taksat e qytetarëve, pra në të hyrat prej kompensimit të kompanisë për mirëmbajtjen e sipërfaqeve publike e për pastërti po duke i trefishuar çmimet e tyre, ndërkohë që këto gjatë menaxhimit tonë ishin superfitim.

Ne jemi tash të qetë, sepse siç jeni në dijeni edhe ju personalisht edhe nga mediat, një pjesë të të cilave e përdorët për linçimin tonë, personal dhe familjar, pasi jemi shpallur plotësisht të pafajshëm edhe nga Gjykata e Apelit (Ish Gjykata Supreme), ku ju provuat në instancën e fundit gjyqësore të realizonit prapësinë tuaj, edhe pse për gati katër vjet e mbajtët peng gjyqësorin e Gjilanit, nëpërmjet “mekanizmave” të zvarritjes, ku më në fund askush nuk pranoi paturpësinë tuaj dhe të klikës suaj, pasi ajo na kishte shpallur të pafajshëm.

Gjykata e Apelit e dha verdiktin e saj, duke vërtetuar kategorikisht pafajësinë tonë, dhe dëshmoi komplotin tuaj (sqarim për korrektësi, termi komplot është atribut i yni për ju dhe jo i gjykatës), lajthitjen e qëllimshme të hetimeve dhe të prokurorisë, sipas së cilës ne i kishim shlyer borxhet e qytetarëve në shumën prej 515.755 euro duke i përvetësuar ato, por ato figuronin në të dhënat e kompanisë si shlyerje, sepse kështu kishte urdhëruar AKM-ja (në varësi të plotë të të cilit institucion ishim si kompani publike), ndërsa akuza tjetër ishte se ne kishim keqpërdorur edhe TVSH-në (15 për qindëshin e asaj shume të pretenduar 515.755 euro) e borxhit të konsumatorëve, nga paratë e pa inkasuara.

Pra, ju dhe prokuroria pretendonit se i kishim vjedhur paratë, që nuk i kishin paguar qytetarët, paratë që shumë prej qytetarëve mund edhe të mos i kishin dhe madje mund të mos i kenë as tani, në xhepat, dhe as në shtëpitë e tyre, nga varfëria dhe mjerimi në të cilin i keni katandisur. Dhe për të ndodhë marrëzia e marrëzive, ju na i kërkonit TVSH-në e parave që nuk ekzistonin!!! A nuk është shuma edhe e miliona hiqeve (zerove) hiq (zero)!?

Cili prokuror, hetues pra nuk do ta kuptonte se nuk kishte rast as për tu hetuar? Kuptohet veç atyre që dinë dhe duan të komplotojnë!!!

Sikur të ekzistonte drejtësia, ju zoti Mustafa me prokurorët tuaj dhe hetuesit tuaj, tashmë do të duhej të ishit në bankën e të akuzuarve, për shkaktimin e qëllimshëm të vuajtjeve, madje duke çuar edhe në vdekjen e njërit prej të akuzuarve.

Të gjitha ato (që mund t`i gjeni një e nga një të radhitura më poshtë) mund ti përmbledhim në tri qëllime tuajat, ta merrnit nën kontroll buxheti qindramijëra eurosh të firmës tejet fitimprurëse, dhe ta gllabëronit ashtu siç dini ju dhe klika juaj; Me këtë ta zhvlerësoni kompaninë; dhe pasi kjo të ndodhte (gjë që ndodhi), ta jepnit me koncesion, (thuaja gratis); dhe mundësisht të arrini tek idealja, që brenda kompanisë koncesionare të fusni njerëzit tuaj, aksionet tuaja (edhe kjo e fundit do të argumentohet një ditë).

Po vijojmë me argumentimin e situatës dhe ndodhive.

Rezultatet dhe korrektësia në menaxhim

Auditimin e jashtëm të pasqyrave financiare të Kompanisë KRM “Higjiena” Gjilan e bënte kompania me renome “Grant Thornton”. Në raportin për vitin 2007 dhe në raportet për 3 vitet e mëhershme shihet qartë se kemi qenë një kompani shumë serioze dhe nëse jo gjithherë më e mira, kemi qenë në kreun e më të mirave në Kosovë, në lëmin e shërbimeve që ofron edhe sot kjo kompani, pastrimin dhe higjienën;

Auditimet e përvitshme të bëra nga AKM-ja tregojnë se ne kemi qenë kompania më korrekte në nivel të Kosovës.

Raportet e përvitshme, gjashtë mujore, tre mujore dhe të përmuajshme kanë qenë të rregullta dhe gjithmonë janë dorëzuar me kohë, dhe nga autoritetet mbikëqyrëse gjithmonë jemi vlerësuar për korrektësi.

Prej fillimit të punës pas luftës në Kosovë kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me faktorin vendor e ndërkombëtar. Nga faktori vendor dhe ai ndërkombëtar kemi marr shumë mirënjohje e lëvdata. Jemi shpallur qyteti më i pastër në Kosovë dhe mirënjohjen e fundit e kemi marr pak orë pa na e mbyllur derën e kompanisë ju o “i gjithëfuqishmi” kryetar!, nga ZRRUM (Zyra e Rregullatorit për Ujëra dhe Mbeturina).

Më 30.06.2008 AKM-ja e përfundoi misionin e vetë dhe neve si kompani publike na kthyen nën administrim të komunës. Prej këtij momenti ju si kryetar komune i lëshuat bashkëpunëtorët tuaj si hiena në kompani vetëm e vetëm që fillimisht ta mbikëqyrni politikisht kompaninë dhe të punësoni e shkatërroni gjithçka në kompani;

Ne kishim arritur në nivelin e vetëfinancimit të kompanisë, dhe me punën tonë hartuam projektin e ndërtimit të objektit qendror të kompanisë, dhe po ashtu arritëm ti siguronim 220.000 euro grant qeveritar për ndërtimin e objektit të kompanisë, që sigurisht edhe ky investim do të ketë qenë synim për pre e klanit tuaj prej matrapazësh, andaj edhe vendosët të shkatërronit gjithçka, të verbuar nga djallëzia për para.

Ne arritëm ta sigurojmë ndërtimin e objektit, pas 60 viteve të operimit në objektin e vjetër në qendër të qytetit, dhe e nxorëm në periferi, atje ku ndodhen administratat e veprimtarive të tilla, në të gjitha vendet e civilizuara.

Në të gjitha anketat e zhvilluara nga institucionet e huaja në tri vitet e fundit në nivel të Kosovës, për vlerësimin e pastërtisë dhe kryerjen e shërbimeve të mirëmbajtjes, gjithmonë ka prirë kompania KRM Higjiena, me kënaqësinë e respodentëve deri në 95 për qind.

Qeveria e Kosovës pat shpërblyer Kuvendin Komunal të Gjilanit për mirëmbajtjen e gjelbërimit në parkun e qytetit, shërbim i kryer gjatë menaxhimit të kompanisë nga ne.

Me dhjetëra mirënjohje kemi marrë nga institucione dhe shoqata të ndryshme për kryerje të punëve dhe për bashkëpunim, si KFOR-i, ZRRUM, Komuna etj.

Në bashkëpunim me njerëz profiter dhe lakmues për pozita siç ishte Ibrahim Morina etj., e organizuat një grup gjoja të pa kënaqurish dhe filluat komplotin për largimin tonë nga kompania;

Me angazhimin tuaj i këshilluat dhe i premtuat pozita këtyre njerëzve dhe auditorit të brendshëm Hajrush Beqirit, të cilit i kërkuat që të bënte një auditim sipas qejfit tuaj, prej nga do të shiheshin gjoja shumë keqpërdorime, dhe në këtë mënyrë të mund të ngjallnit pakënaqësi te punëtorët;

Auditori Hajrush Beqiri e bëri punën sipas porosisë edhe atë kurrë pa ardhur në zyrën time (Selver Morina) si menaxher financiar e as në zyrën e kontabilitetit. Ky njeri raportin e auditorit të jashtëm e quajti jo profesional duke mos e parë vetën se në çfarë niveli mediokër ishte. Ky auditor kishte vetëm pak muaj (në qershor të vitit 2008) që e kishte filluar punën në kompaninë tonë dhe aq shpejt ju ia hapet derën për avancim dhe komplotim.

Me mësimet tuaja ky grup ka thirrur edhe takim me gazetar dhe janë bërë akuzat më të poshtra të mundshme duke dhënë dezinformata të prezantuara nga grupi dhe demagogu i shkolluar për demagogji Ibrahim Morina – Drejtor i kësaj kompanie në kohën e ish-Jugosllavisë;

Duke i parë organizimet që po bëheshin për të na linçuar neve, dhe duke besuar gabimisht se ju mund të ishit korrekt, ju drejtuam juve me shkrim, si kryetar i “nderuar” që të na organizoni një auditim nga njerëz profesional. Ju as që u angazhuat për këtë, natyrisht juve ju ngutej ta përshpejtonit intrigën dhe jo ta kuptonit të vërtetën;

Kemi kërkuar ndihmë për të bërë auditimin edhe nga “Zyra qendrore për harmonizimin e auditimit të brendshëm” në Prishtinë (diku në muajin shtator të vitit 2008). Por, kjo zyre nuk ishte në gjendje të ofronte ndihmë profesionale për kompani, por kjo është edhe një dëshmi se nuk ndaleshim së kërkuari drejtësi, vetëm e vetëm që të sqarohej e vërteta.

Me datën 04.11.2008 me angazhimin tënd ky grup punëtorësh na e mbyllën derën në mëngjes në hyrje të kompanisë; Skenari juaj faqezi po realizohej tashmë.

Të njëjtën datë në mbrëmje na ftuat ne, drejtorin ekzekutiv të KRM-së Xhavit Latifajn dhe Selver Morinën menaxher financiar i KRM-së. Në atë takim e hartove një marrëveshje të mirëbesimit me të cilën ju ia ndaluat Selver Morinës hyrjen në kompani. Derisa ne ishim në zyrën tënde t`i bëje marrëveshje me dhëndrin e Ibrahim Morinës përmes telefonit për caktimin e Ibrahimit drejtor të kompanisë, gjë të cilën edhe e realizove pas paraburgosjes tonë;

Brenda ditës ky grup e theu derën e zyrës së drejtorit financiar, Selver Morinës, dhe e morët krejt çka ishte me rëndësi aty. Për këtë ju ofrojmë edhe procesverbalin nga ky veprim. Me datën 02.12.2008 formohet një komision për hapjen e zyrës sime (Selver Morinës), kurse dera ishte thyer katër javë më parë, me 04.11.2008. Absurde kryetar turp të qoftë se çfarë punë të pista ke bërë;

Për 20 ditë qëndrova në shtëpi (unë Selver Morina) sepse vetë më urdhëruat në marrëveshje mes teje dhe grupit puçist dhe drejtorit se përkohësisht duhet të sillem e të qëndroj larg kompanisë;

Masakrimi i dokumentacionit

Brenda këtyre ditëve të gjitha shënimet, proceset, vendimet etj., të shkruara e të mbajtura në kompjuter ky grup i asgjësoi. Kompjuterin me qëllim të caktuar e prishën dhe deklaruan se gjoja hardisku është djegur.

Të gjitha këto veprime i bënë në bashkëpunim direkt me ju ose me të angazhuarit tuaj dhe policinë për krime ekonomike, me të famshmin Ramadan Ramadanin-Hoxha. Merreni me mend kur Selver Morina menaxher financiar u ftua nga ky ekspert në kompani me datën 21.11.2008 ai e merr çelësin e zyrës së Selver Morinës nga grupi puçist dhe në fund ia dorëzon përsëri këtij grupi;

Me interesimin tuaj direkt dhe me porosi është angazhuar polici “ekspert” për krime ekonomike Ramadan Ramadani-Hoxha për ta përgatitur aktakuzën ndaj nesh. Gjithçka që Selver Morina është munduar ti ofroj nga dokumentet ekzistuese, dhe çdo sqarim, ka qenë e kotë sepse sipas këtij “eksperti”, Selver Morina duhej të merrej me gjykatën, dhe se hetuesi nuk e pranonte autoritetin e AKM-së. “Ne nuk e pranojmë AKM-në, e cila na ka sjell vetëm dëme në Kosovë”, thoshte ky ‘misionar’ i juaji.

Me datën 24.11.2008 me kërkesën e këtij polici “ekspert” dhe sipas udhëzimeve tuaja jemi paraburgosur dhe kemi qëndruar deri më datën 01.12.2008;

Me datën 26.11.2008 jemi dërguar te gjykatësi i procedurës paraprake Fahredin Ymeri me ç’rast prokurori Afrim Shefkiu kërkoi paraburgimin tonë edhe pse as që e kishte lexuar dosjen në tërësi, por vepronte sipas porosisë suaj, që ia kishit dorëzuar pak më parë, dhe neve na përshkroi si të rrezikshëm. Në këtë seancë gjykatësi Fahredin Ymeri duke u krekosur se kush është, çfarë fuqie ka, na caktoi paraburgimin prej 30 ditësh.

Avokatët tanë shtruan ankesë dhe kolegji i përbërë prej Ymer Huruglicës-kryetar dhe Kadri Syla e Hasan Sadiku -anëtar, në vend se të na hiqnin krejt këtë masë e zëvendësuan me arrest shtëpiak që për ne ishte absurde edhe kjo sepse ishim plotësisht të pafajshëm;

Me vendimin e këtij kolegji, për 2 muaj kemi qëndruar në arrest shtëpiak, 1 muaj kemi pas për obligim që një herë në javë të paraqitemi në polici;

E refuzonit edhe ekspertin gjyqësor

Me kërkesë të prokurorit Afrim Shefkiu, gjykata e caktoi një ekspert gjyqësor financiar për ta bërë ekspertizën financiare. I trimëruar nga ju ushtruesi i detyrës së drejtorit, Ibrahim Morina nuk e pranoi as në kompani ekspertin financiar.

Eksperti financiar në bazë të dokumenteve që i kishte të ofruara nga vetë gjykata, përkatësisht të ashtuquajturat prova të prokurorisë, dhe ato të ofruara nga avokatët tanë, e bëri një ekspertizë dhe ajo qartësisht na nxori të pafajshëm, dhe nuk kishte si të dilte ndryshe një kompani publike që kishte arritur kulmin e zhvillimit dhe të ishte shembull i këtij lloji në Kosovë;

Dhe përkundër ekspertizës financiare prokurori i ndikuar nga ju dhe klika e juaj kërkoi të na ngritet aktakuza, gjë e cila edhe u bë.

Lënda e jonë u bllokua diku në gjykatë dhe neve na u deshtë të kërkonim zyrtarisht ndihmën e Prokurorisë së EULEX-it, dhe të Avokatit të Popullit, zyra në Gjilan;

Në seancë pas leximit të akuzës dhe dëgjimit të disa dëshmitarëve u kërkua nga ana e gjykatësit Rasim Rasimi që eksperti financiar të bëjë edhe një ekspertizë plotësuese nga eksperti gjyqësor financiar për ta dëshmuar edhe një herë të vërtetën.

Por, edhe kjo ekspertizë që u realizua në kompaninë “Higjiena”, për qejfin tuaj zotit Mustafa dhe të klikës suaj, vetëm se vërtetoi definitivisht pafajësinë tonë.

Me datën 05.01.2012 Gjykata e Qarkut në Gjilan me gjykatës Rasim Rasimin na shpalli të pa fajshëm, por prokurori që tani ishte Agron Uka, u nda i pa kënaqur ose e mori obligim nga ju dhe klani juaj, dhe bëri ankesë, mbase që të paktën ta zvarriste pafajësinë tonë.

Ky prokuror pasi e pranon lëndën tonë është parë shumë herë me njerëz nga grupi puçist i ngritur nga ju i “nderuari” kryetar. Në grupin puçist dhe dëshmitare kundër nesh ishte Isane Beçiri, e cila prokurorin Agron Uka e kishte djalë të hallës;

Kjo ankesë e këtij prokurori që punoi me porosi nga grupi i organizuar nga ju u rrëzua edhe nga Gjykata e Apelit e Kosovës në përbërje: Xhevdet Abazi-kryetar dhe Fillim Skoro e Abdullah Ahmeti-anëtar;

Prej shpalljes sonë të pafajshëm nga ish Gjykata e Qarkut në Gjilan, e deri tani në vendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës kishin kaluar edhe 20 muaj vuajtje, papunësi, varfëri dhe tronditje të shkaktuara nga ju.

TANI PAS AFËR 5 VITEVE JEMI TË LIRË NGA AKUZAT

Ju si kryetar komune që e keqpërdorët pozitën e kryetarit çka na sollët neve të akuzuarve si kriminel dhe çka vepruat brenda kësaj periudhe në kompani:

1. Na diskredituat para opinionit duke na shpallur kriminel. Na shkatërruat ne dhe familjet tona, na shkatërruat moralisht dhe financiarisht, na e shkatërruat edhe shëndetin tonë;

2. Nga presioni dhe stresi që na e sollët, i akuzuari i tretë, Baki Zymberi pësoi atak në zemër dhe pas dy viteve që na akuzuat ndërroi jetë! Si e ndieni veten i “nderuari” kryetar për një jetë të humbur nga akuzat e ndërtuara me shpifje të porositura nga ju dhe klani juaj;

3. Dy vite radhazi, unë Selver Morina konkurrova në shkollën ekonomike në Gjilan, aty ku kisha punuar 23 vite edhe në ditët e mira edhe në më të vështira, me pagë e pa pagë, por nuk u pranova me angazhimin tuaj direkt për të ma ndalur jetën;

4. Në kompani pas largimit tonë ke caktuar një bord komunal të aksionarëve në mënyrë jo ligjore (lexo ligjin mbi Ndërmarrjet Publike (NP)). Ky nuk është bord, por komision komunal i aksionarëve dhe 2 anëtar zgjidhen nga Kuvendi Komunal dhe një nga kryetari.

5. Kryetarin e këtij bordi e zëvendësuat me një tjetër, në mënyrë që ky njeri më vonë të zgjidhej kryetar i bordit të drejtorëve. Ky qëllim i juaji u realizua në mënyrë jo ligjore (lexo: ligjin mbi NP);

6. Organizatorin e puçit Muhedin Hazirin, me përgatitje të mesme shkollore e bëre menaxher financiar sipas marrëveshjes që kishit, sepse të gjitha detyrat që ia dhatë i kreu me besnikëri të plotë. Pastaj e krijove një pozitë të re, që po ashtu ishte në kundërshtim me biznes planin dhe rekomandimet nga kompania konsulente, zëvendës të drejtorit ekzekutiv.

Nga grupi puçist Fejzullah Abdylin e caktuat menaxher tregu, i cili ka pasur shumë vërejtje në punë. Më vonë është kapur nga policia për keqpërdorime dhe është paraburgosur për disa ditë e tani është nën hetime. Afrim Sylejmanin, të shpëtuar nga ndjekja nëpërmjet intervenimit të prokurorit Afrim Shefkiu, e keni zgjedhur shef të inkasantëve.

7. Ke pranuar mbi 30 militantë partie dhe të afërm të tjerë pa kurrfarë konkursi. Se kënd e keni pranuar në marrëdhënie pune, nuk po ua përmendi, por e dini se janë të partisë tënde, të afërmit e tu, të afërmit e bashkëpunëtorëve tu (hienave tuaja);

8. Në tregun e gjelbër ky grup që tani udhëhiqej nga Fejzullah Abdyli, ua ‘fshiu’ borxhet tregtarëve, që kapnin shumën mbi 100 000€ deri në shtatorin e vitit 2008. Dhe ky është rasti për hetime, për ju dhe prokurorin, borxhe janë shlyer pjesërisht dhe me marrëveshje janë ndarë me tregtarët, që punojnë në treg, krejt kjo në dëm të kompanisë e shtetit, por në dobi të interesit personal.

9. Të gjithë ata që ju ndihmuan për të na shkatërruar neve, ua fshitë borxhet ndaj KRM Higjienës, dhe i larguat nga faturimi mujor. Në mesin e këtyre njerëzve ka edhe njerëz me ndikim shumë të fort në drejtësi, politik e biznes në Gjilan;

10. Në një seancë të Kuvendit Komunal të Gjilanit në vitin 2009, z. Mustafa i ke gënjyer dhe dezinformuar këshilltarët (asamblistët) duke na akuzuar neve se kinse si menaxhment ne e kishim caktuar tarifën e deponimit të mbeturinave në deponi, prej 6 € e disa cent për 1 ton, kurse sipas jush kompania nga Ferizaji e kishte çmimin prej 3 € e disa cent. Këtë rren tuajën e hëngrën këshilltarët! Ju njoftojmë edhe tani se tarifat në nivel të Kosovës, i cakton ZRRUM-i (Zyra e Rregullatorit për Ujë e Mbeturina me seli në Prishtinë). Çmimi është i njëjtë si për Gjilanin si për Ferizajn;

11. Ju e dini më mirë se ne, se grupi që e organizuat ju, u përça mes veti. Kjo përçarje sigurisht ishte nga interesi dhe kjo disa të bëma të tyre i nxori në sipërfaqe. Tani nga një deklaratë e njërit prej tyre, ish puçistëve, e dhënë me shkrim shihet se e kanë shitur edhe kamionin (skania) pa letra, aparatin e saldimit co2, kanë bërë fatura false etj. Ky person ka bërë kallxim edhe në prokurori e polici, por lëndën po e fshehin diku, këta hetuesit tuaj. Ju si kryetar shumë mirë e dini këtë rast, por e keni heshtur me qëllim sepse sigurisht jeni edhe ju aty hisedar.

KUSH QENKA KRIMINEL JU APO NE QË E KEMI MBROJTUR INTERESIN E KOMPANISË

NGA JU KËRKOJMË

1. Të kërkoni falje publike për të gjitha këto punë tuajat të pista.

2. Të na ftoni që të fillojmë me punë aty ku ju na e mbyllët derën dhe të na kompensoni të gjitha dëmet e shkaktuara.

Në takimin që patëm me kryetarin pos letrës së shkruar ia kemi bashkangjitur edhe këto dokumente:

1. Aktgjykimin nga Gjykata e Apelit e Kosovës.

2. Marrëveshjen e mirëbesimit.

3. Kërkesën për auditim drejtuar juve.

4. Procesverbalin mbi ndërrimin e cilindrit të derës së Selver Morinës.

5. Vendimin mbi hapjen e derës.

6. Procesverbalin mbi hapjen e derës me komision.

7. Njoftimin nga drejtori sipas marrëveshjes me ju.

8. Dëshminë e Abedin Berishës.

9. Kërkesën dorëzuar zyrës ligjore të UNMIK-ut.

10. Kërkesën dorëzuar prokurorisë dhe gjykatës së EULEX-it.

11. Kërkesë për azhurnim të lëndës në gjykatën e Qarkut në Gjilan.

12. Suspendimin e nënshkruar nga Fadil Osmani-Bordi i aksionarëve (Këtë vetëm për të treguar se çfarë lëvizjesh ke bërë për t`i realizuar qëllimet e tua).

Në fund i falënderojmë të gjithë ata që na qëndruan afër dhe nuk ranë nën ndikimin e këtij grupi të komplotit.

Posaçërisht e falënderojmë avokatin Shemsedin Pirraj i cili na këshillonte që mos të mbyllemi në shtëpi dhe na shpëtoi psiqikisht.

Me respekt nga Xhavit Latifaj - ish drejtor ekzekutiv dhe Selver Morina-ish menaxher financiar


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)