03 Maj 2024

Kosova po e zgjatë rrugën e integrimeve

Shkruar nga nga PSHDK

Çdo vit, qeveria e Kosovës, e proklamon si vit të integrimeve, si vit të anëtarësimit të vendit në familjen e madhe perëndimore. Këtë orientim politik, bashkë me qeverinë e bën edhe shumica e spektrit të gjërë politik në vend.

Mirëpo, ne shohim se si Bashkimi Europian, në çdo raport që bën për Kosovën, i jep qeverisë një dush të ftohtë, ndërkohë që na thuhet se procesi i negociatave për anëtarësim vazhdon.

Prandaj, PSHDK-ja është e bindur, se, Kosova nuk e ka luksin më të pret vetëm përshëndetje nga Bashkimi Europian.

Ajo duhet urgjentisht t’i kryej detyrat e veta, duke i dinamizuar politikat e integrimeve perëndimore, në mënyrë që retorika e përditshme të kthehet në angazhime konkrete dhe praktike, duke dëshmuar aktivisht se qytetërimi perëndimor, është pjesë e jetës sonë.

Prandaj, Kosova dhe institucionet e Kosovës, duhet të punojnë intenzivisht që të plotësojnë standardet e kërkuara perëndimore, jo për Bashkimin Europian, por për përmirësimin e jetës sonë të brendshme.

PSHDK-ja, kërkon nga institucionet e vendit dhe spektri i gjërë politik, që integrimet europiane mos të mbesin vetëm një dëshirë e retorikë, mirëpo integrimet të shihen si qëllimi ynë i përbashkët për një të ardhme më të mirë.

Qeveria e Kosovës, por edhe spektri i gjërë politik në vend, gjer më tani s’kanë demonstruar angazhime të sinqerta dhe konkrete në rrugën e integrimeve. Vendit tonë i kanë munguar forcat pozitive, që do ta përafronin vendin me Bashkimin Europian, sidomos në principe të shëndosha që e përbëjnë thelbin e kësaj organizate.

Prandaj, PSHDK –ja, duke dinamizuar aktivitetin e vet, pas konsolidimit të organeve të saja, është duke promovuar idenë e sendërtimit dhe jetësimit të aspiratave për integrim, në përkim me realitetin që përbën BE-ja dhe themelet mbi të cilat është formuar ky Union.


Zhvillimet e fundit në vend, brishtësia e institucioneve të Kosovës, janë sinjale të fuqishme se Kosova shpejt mund të kanoset nga një krizë institucionale.

PSHDK-ja vlerëson se zgjedhjet e parakohshme, apo zgjedhjet e parapara, duhet të mbahen sipas të gjitha standardeve demokratike.

 Ne kërkojmë që partitë e zotuara për hartimin e reformës zgjedhore, të tejkalojnë interesat e ngushta dhe të veprojnë në interes të së mirës së përgjithshme, në funksion të demokracisë dhe ta miratojnë sa më parë pakon e reformës zgjedhore, në mënyrë që vendi në zgjedhjet e ardhshme të shkojë me reformë të kompletuar.

Kjo ndihmon demokracinë, kjo ndihmon edhe aspiratën tonë për integrime të shpejta në perëndim, por kjo sforcon bërthamën e shtetit të Kosovës, dhe krijon institucione stabile dhe legjitime.

Kriza e legjitimitetit të institucioneve të Kosovës, nuk mund të tejkalohet pa një proces zgjedhor të mirëfilltë dhe thelbësisht demokratik. Në këtë aspekt, duhet të kontribuojnë të gjitha institucionet përgjegjëse, por edhe partitë politike, që janë bartëse të demokracisë në një shoqëri.

Është momenti i fundit, që të vetëdijësohemi dhe të ecim me vetëdije drejt integrimeve perëndimore.
 
(Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës - PSHDK)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)