Kosova ime kreshnike, ende me ty po luhet

Shkruar nga Avni Tafili
Një shekull të okupuar, të shtypur e të persekutuar. Pafundësisht të paragjykuar e të luftuar. Jetuam dhe pranuam të bashkëjetojmë me popuj tjerë.
Edhe të poshtrit në konak i toleruam. Edhe pse e dinim se kush ishin. Edhe pse prisnim tradhtinë prej tyre. Edhe pse pabesitë e tyre botërisht njiheshin.
Megjithatë, nuk tradhtuam fqinjin. Nuk e vodhëm e as nuk ua dogjëm shtëpitë.
Respektuam rende e ligje, konventa e nene. Vendëse e ndërkombëtare. Edhe pse dëshmuam se meritojmë të jetojmë të lirë, meritojmë të kemi kulmin tonë, e të kemi pavarësinë tonë, vazhdoi loja kundër nesh.
Djenë e largët duke na eksperimentuar, na akuzuan se jemi ata që bashkë me turkun pushtuam Europën. Djenë e afërt, na etiketuan me separatistë e irredentistë.
Njerëz që duan të jetojnë të ndarë, të vetëm e të izoluar. Na etiketuan e na thirrën ashtu si dëshiruan.
Të tjerët bëhen bashkë, dhe askush nuk i lufton! Ne bëhemi me veten, as këtë nuk na e lejojnë.
Na vranë, na dëbuan. U derdh gjaku ynë. E paguam lirinë tone me shumë gjak, me shumë lot. Me shumë dhembje e trishtim.
Por ende na eksperimentojnë.
Pse kanë frikë nga ne? Pse vallë i druhen Kosovës? Është një vend që do lirinë. Një vend që ka vdekur me dhjetëra herë për të pasur udhëheqjen e saj. Njerëzit e ndershëm e të drejtë.
Dje na vranë. Ndërsa sot, persekutojnë njerëzit që luftuan për të ndaluar vrasjen tonë.
Dje më shtypën, ndërsa sot akuzohem pse ngre kokën lart, si çdo njeri me nder e dinjitet!
Pse luhet me ne! Pse luajnë me ne!
Luhet e luajnë, sepse duan një luftë të re. Nuk duan një Kosovë të lulëzuar. Por të rrënuar. Të mbytur nga zjarri e tymi. Nuk e duan atë të zhvilluar e të integruar. Por të mbytur e të mbyllur nën rrënoja.
Edhe sa fëmijë duhet të mbesin jetimë. Edhe sa gra duhet të mbesin pa burra. Edhe sa sy prindërish duhet të mbajnë lot në sy për bijtë e tyre të mbytur e të përmbytur!
Kosova ime, po luajnë ende me ty. Provuan durimin tënd, nuk u dorëzove. Provuan trimërinë tënde, nuk u sprapse. Provuan besën tënde, nuk tradhtove. Provuan dinjitetin tënd, për të luftove. Provuan e çka nuk provuan!
Ende po luhet me ne.
Fundin ia dimë. Ia dinë edhe ata që luajnë. Qofshin ata vendës a të huaj. Por jam i sigurt se fundi i keq u takon atyre që po luajnë. E jo atyre që duruan kur u sprovuan, mbijetuan kur u rrënuan dhe luftuan kur u cenuan.