Korrupsioni kancer i shoqërisë, si ta eliminojmë

Korrupsioni është një ndër pengesat më të mëdha të zhvillimit ekonomik të Kosovës, pasi që dekurajon investimet e huaja direkte dhe rrit koston e të bërit biznes.
Në shoqëritë demokratike korrupsioni trajtohet si abuzim i parasë përmes letrave, që në fakt është vjedhje e parasë publike, keqpërdorim dhe vepër penale. Korrupsioni është kancer i shoqërisë, andaj shtrohet pyetja: si ta eliminojmë?
Viteve të fundit i është dhënë shumë rëndësi eliminimit të korrupsionit nga institucione, agjenci, shoqata dhe komisione të ndryshme, si vendore, po ashtu dhe ato ndërkombëtare që janë në Kosovë. Sipas disa ekspertëve të ekonomisë, korrupsioni është abuzimi i pushtetit të dhënë për përfitime private.
Sipas anketave që kanë zhvilluar disa shoqata që merren me hulumtimin e korrupsionit, shumica e të anketuarëve mendojnë se në Kosovë ka korrupsion.
Kodi Penal i Kosovës parasheh korrupsionin si abuzim dhe si vepër penale që dënohet, madje me burgosje.
Në identifikimin dhe luftimin e korrupsionit vazhdimisht angazhohet Agjencia Kundër Korrupsionit, por për ta luftuar korrupsionin është e interesuar edhe shoqëria civile dhe shumë asociacione të tjera.
Korrupsion pos që ka në Kosovë, ka edhe gati pothuaj në të gjitha vendet e rajonit, madje edhe në vende evropiane. Sipas disa burimeve mediale, në Slloveni korrupsion ka 6 për qind, kurse në Kroaci 4 për qind, derisa në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, Mal të Zi, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni ka shumë më tepër korrupsion.
Transparenca eliminon korrupsionin
Transparenca është e rëndësishme për luftimin e korrupsionit. Mos deklarimi i pasurisë tregon për korrupsionin, kurse për mosdeklarim të pasurisë pason dënimi prej 3 deri në 5 vjet burgosje.
Gjithashtu, edhe prokurimi publik është një sfidë, sa i përket korrupsionit. Prandaj, është më se e domosdoshme që të çrrënjosjet korrupsioni, i cili ka kapluar dhe dëmton ekonominë, por edhe shoqërinë në përgjithësi.
Prania e korrupsionit dekurajon të rinjtë me potencial ndërmarrësie që të demonstrojnë aftësitë e tyre në sektorin privat. Po ashtu korrupsioni ndikon edhe në shpenzimin jo efikas dhe jo efektiv të parave të tatimpaguesve, duke mos u ofruar atyre vlerën më të mirë për paratë e tyre.
Duhet të organizohen tryeza, konferenca dhe seminare ku do të zhvilloheshin debate mbi ndikimin e korrupsionit në zhvillimin ekonomik. Sipas disa të dhënave, ka nivel të lartë të korrupsionit, por ka edhe mungesë për të ndërmarrë hapa konkret drejt çrrënjosjes së këtij fenomeni tejet të dëmshëm për shoqërinë dhe ekonominë e vendit.
Është barrë e rëndë që prania e korrupsionit u shkakton bizneseve, të cilat promovojnë vlera të shëndosha të afarizmit, duke pamundësuar kështu fuqizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe tërheqjen e investitorëve të huaj serioz.
Të gjeturat e hulumtimit rreth hapave të ndërmarrë për parandalimin e korrupsionit, tregojnë se ka korrupsion.
Në hulumtimin e korrupsionit janë analizuar veprimet e ndërmarra në rastet e Kroacisë, Sllovenisë dhe Estonisë, ndërsa ka rezultuar se prokurimi publik elektronik është një mekanizëm që hap dyert drejt rritjes së transparencës dhe krijimit të mundësive për një konkurrencë të drejtë.
Masat tjera të zbatuara nga këto tri shtete që mund të konsiderohen si kampione në luftimin e korrupsionit, viteve të fundit përfshijnë mundësinë e paraqitjes së rasteve të korrupsionit dhe parregullsive, pa pasur frikë për hakmarrje.
Duhet të ekzistojë mbrojtja ligjore për ata që lajmërojnë korrupsionin, ndërsa ligji kundër korrupsionit nevojitet të zbatohet në praktikë, të bëhet transparenca, deklarimi i pasurive, implementimi i dispozitave për konfliktin e interesit si dhe kërkesat për transparencë financiare.
Shumë e rëndësishme për shoqërinë është marrja me parandalimin dhe çrrënjosjen e korrupsionit. Korrupsioni është një ndër pengesat më të mëdha të zhvillimit ekonomik të Kosovës, pasi që dekurajon investimet e huaja direkte dhe rrit koston e të bërit biznes.
Hapat dhe veprimet konkrete janë thelbësore në përpjekjet drejt uljes së nivelit të korrupsionit dhe drejt çrrënjosjes totale të korrupsionit në vend, pasi që një dukuri e tillë prek të gjitha shtresat e shoqërisë dhe ndikon direkt në kualitetin e jetës së qytetarëve.
Krahasuar me vitet e kaluara, bazuar në Raportin e Progresit dhe Transparency International, duket se është bërë një progres në aspektin e legjislacionit dhe të masave parandaluese ndaj korrupsionit, të cilat janë të krahasueshme edhe me shtetet e tjera të rajonit dhe më gjerë.
Ndërsa, si pengesë gjatë këtyre proceseve, vërehet mungesa e shifrave të sakta, numri i vogël i aktakuzave, e sidomos i gjykimeve, numri i rasteve të raportuara në vitet e fundit, për të cilat nuk ka asnjë të dhënë publike, sa i përket emrave dhe detajeve të tjera.
Nuk bëhet fjalë vetëm për korrupsion, por edhe për krim të organizuar dhe krijim të monopolit, sidomos në sektorin e prokurimit publik, gjë që është dëshmuar shpeshherë me rezultate të dobëta dhe çmime të larta.
Një rol me rëndësi për luftimin e korrupsionit e kanë edhe mediat, si linjë e parë në hulumtimin e rasteve të korrupsionit. Sundimi i ligjit nuk është vetëm përgjegjësi e gjyqësorit, por edhe institucioneve të tjera, si prokuroria, Agjencia Kundër Korrupsionit, policia, njësiti i krimeve ekonomike, korrupsionit dhe krimeve të rënda ekonomike dhe institucioneve të tjera relevante.
Shqetësues është fakti nga rezultatet mbi perceptimin e korrupsionit në tri vitet e fundit ngaqë janë të njëjta me vitin 2015.
Kjo mungesë e progresit ka rezultuar nga ikja ndaj përgjegjësisë e organeve përkatëse, mungesa e iniciativës për forcimin e mekanizmave dhe ndryshimin e ligjit, që pa dyshim reflekton negativisht edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.
Krijimi dhe implementimi i një kornize adekuate ligjore, sundimi i ligjit përmes forcimit të mekanizmave ligjor, bashkëpunimi i ndërsjellë në mes të organizatave dhe institucioneve, si dhe qytetarëve, agjenda e veprimeve konkrete në këtë drejtim, rritja e transparencës dhe efikasiteti i prokurimit publik dhe eliminimi i monopolit, konsiderohen si disa ndër mënyrat kryesore që ndikojnë në çrrënjosjen e korrupsionit.
Prandaj, është më se e domosdoshme, pa humbur kohë, të ndërmerren masa adekuate dhe konkrete për çrrënjosjen e korrupsionit.
Pa eliminimin e korrupsionit nuk ka liberalizim të vizave
Edhe organizmat ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë janë të interesuara thellësisht dhe seriozisht që të luftohet korrupsioni në Kosovë.
Krijimi dhe implementimi i një kornize adekuate ligjore, sundimi i ligjit përmes forcimit të mekanizmave ligjor, bashkëpunimi i ndërsjellë në mes të organizatave dhe institucioneve si dhe qytetarëve, agjenda e veprimeve konkrete në këtë drejtim, rritja e transparencës, efikasiteti i prokurimit publik dhe eliminimi i monopolit, konsiderohen si disa ndër mënyrat kryesore që ndikojnë në uljen dhe çrrënjosjen e korrupsionit.
Për rritjen e përpjekjeve për luftimin e korrupsionit në rezultate dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, ka nevojë për një angazhim politik.
Perceptimi dhe mungesa e rezultateve në luftimin e korrupsionit ka bërë që shumë biznese të huaja të largohen nga Kosova, por edhe për shkak të krijimit të imazhit të keq që vjen pikërisht nga korrupsoni.
Zbatimi i vullnetit politik mbetet fjala kryesore për luftimin e korrupsionit në Kosovë. Për Qeverinë e Kosovës luftimi i korrupsionit mbetet gjithnjë përparësi.
Kosova ka nevojë të madhe që në botë të dërgojë mesazhe se është përcaktuar vendosmërisht për luftimin e korrupsionit, ndërsa kjo do të ndikojë në tërheqjen e investimeve të jashtme.
Nevojitet të verifikohet prejardhja e pasurisë, për të cilën dyshohet se është fituar përmes korrupsionit, duke eliminuar dyshimet se nga ka ardhur ajo pasuri.
Pa pasur këtë detyrim, atëherë edhe Policia, edhe Prokuroria, edhe institucionet tjera të Kosovës, që merren me luftimin e korrupsionit, do ta kenë shumë të vështirë për të verifikuar prejardhjen e pasurisë së atyre personave që janë të dyshimtë, aq më tepër si obligim qytetar që zyrtarët e lartë duhet që këtë pasuri ta dëshmojnë si kanë ardhur deri te pasuria e madhe me vlerë qindra mijëra eurosh brenda një kohe të shkurtër.
Zyrtarët e lartë evropianë kanë thënë se luftimi i korrupsionit në Kosovë është më se i domosdoshëm dhe pa evitimin e kësaj dukurie Kosova nuk mund të ec përpara drejt rrugës së saj evropiane dhe madje ata kanë thënë se korrupsioni do të jetë pengesë për të fituar liberalizimin e vizave.