Konspiracionet ndaj atdheut

Shkruar nga Gani Qarri
Tash e 17 vite më parë, NATO dhe Amerika shpëtuan përjetësisht shqiptarët duke çliruar përfundimisht ata nga Serbia. Në anën tjetër, shpresat e popullit të shumëvuajtur u gjymtuan,që në momentin kur heronjtë e luftës, të vetëm, morën mbi vete primatin e çdo gjëje në Kosovën e sapo dalë nga lufta shkatërrimtare.
Që atëherë, konspiracionet që mbajnë popullin e Kosovës në gjumë, vazhdojnë.
Nga ajo kohë dhe që nga pas lufta, kasta e kriminalizuar politike,siç kemi rastin të shohim e dëgjojmë çdo ditë, përvetësuan jo vetëm pushtetin por edhe të gjitha pasuritë dhe resurset kryesore të vendit tonë.
Ata bën zap çdo përparim të vendit dhe bllokuan të gjitha rrugët e ecjes përpara, duke shfrytëzuar e keqpërdorur të gjitha mjetet dhe mundësit që u dhuroi ardhja e tyre në pushtet.
Të njëjtit përdorën pa asnjë turp të gjitha konspiracionet më perfide, për pasurim vetanak dhe mbetjen e tyre të përhershme në pushtet.
Së fundi, caktuan Murat Mehën, si pasardhës i një familje të njohur kombëtare,kryetar të Komisionit për demarkacion, i cili pa hezitim turpëroi bëmat e njohura atdhetare të paraardhësve të tij, duke shit lirë ,pjesë të shtrenjta të atdheut.
Sjelljet aktuale Mehës, provojnë dyshimet e arsyeshme se ai vërtetë subvencionohet mirë nga pushtetar të fortë në vend, ndaj dhe pa kurrfar brenge, organizon tjetërsimin \"gjentëlmenë\" të tokave më të vlershme kufitare të Kosovës.
Siç thekson edhe dr. Shpejtim Bulliqi, Komisioni Shtetëror i Kosovës, në vend se të shërbehej me hartat e njohura autentike që gjenden me bollëk kudo dhe bazohej në kriteret që zbaton çdo vend kudo në botë, për përcaktimin e vijave kufitare me shtetet fqinje, ai u mjaftua me Projektrregullore dhe udhëzime të punës, hartuar dhe përgatitur nga Komisioni shtetëror malazez.
Madje, fatkeqësisht siç duket,jo aq nga projekt-rregulloret sa nga ekzaltimi dhe mbetja pa mend me shpërblimet marramendëse që mund tu jenë ofruar, nga malazezët, Murat Mehës bashkë me (s)ekspertë e bashkëpunëtorë, u ra \"mundi\" dhe u rrokullisën pavetëdijshëm nga lartësitë shekullore të Çakorrit dhe Kullës,duke rënë aq larg nga pikat autentike kufitare që ndajnë dy shtetet tona.
Njeriu normal, nuk di se si ta shpjegojë fenomenin e humbjes totale të orientimit të këtij far të ashtuquajturi Komision Shtetëror me në krye Murat Mehën, pa ftuar në ndihmë edhe BURDUSHIN, për të vërtetuar se mos vallë komisioni komplet, mund të ketë rënë nën ndikimin e magjisë së zezë.
Magji e thurur me para shumë, lidhur fort në ndonjë cep shamije si bakshish eklatant, për theqafje fatale të Komisionit, me rrëshqitje të dyshimtë rreth 12 kilometërshe, brenda territorit të Kosovës.
Murat Meha me shokë, vetëm në këtë mënyrë mund të jenë stërkequr dhe marrë mbi qafë mexhët kufitare, që nga Qakorri e Kulla, për ta sjellë Malin e Zi tanimë, drejt e në para-lagjet e Pejës.
Ndryshe nuk mund të kuptohet se si Murat Meha me shokë, pa fije frike as ngarkese emocionale të falë pjesë kaq të mëdha të atdheut dhe bëjë tjetërsime kaq shokuese të tokave të Kosovës.
Vetëm me këtë formë mafioze të tregëtimit,i ashtuquajturiKomision qeveritar,me në krye Murat Mehën, mundi të tjetërsoi mbi 8230 hektar tokë të vendit tonë dhe sa qel e mbyllë sytë,nga pronësia e Kosovës, ato, kaluan nën sundimin e Malit të Zi.
Por, përkundër kësaj theqafje të këtij të ashtuquajtur komision, qeveria malazeze në hartat e saj,ende mban në fuqi kufirin e vjetër, sipas të cilit vërtetohet se Qakorri bashkë me Kullën dhe mbi 8230 hektarët e shitur nga \"patrioti\" Murat Meha,mbeten territor i Kosovës.
Kjo, më së miri, u pa edhe në një hartë që e ofroi dr. Shpejtim Bulliqi, ku shkruan e dëshmohet, por dhe ilustrohet qartë e bindshëm me pamje autentike, se Qakorri dhe Kulla, janë toka të Kosovës!
Ndaj, pavarësisht gjestikulimeve të improvizuara bajate me këmbë e duar të Murat Mehës bashkë me ndihmësit e tij, edhe më hileqar si ai vet, aspak serioz dhe tërësisht të padenjë për detyrën që u është besuar, pa meritë dhe asnjë të drejtë, ky fakt ishte shkas që ata nuk pranun asnjëherë ballafaqimin e hapur me ekspert të njohur e të paanshëm dhe profesionist të dalluar, si dy profesorët e nderuar të Universitetit të Prishtinës.
Kryetari i njëmendët dhe me ndërgjegje të pastër kombëtare i komisionit,kurrsesi nuk guxon të shërbehet me projektrregullore të vendeve fqinje, as lejohet të kërkojë udhëzime pune nga pala kundërshtare, për caktimin e kufijve të vendit të vet, sidomos kur kihen parasysh orekset e pangopura shekullore të vendeve sllave për përvetësimin e tokave shqiptare,ndër të cilët historikisht,më të zëshmit ishin pikërisht malazezët.
Ndaj, siç patëm rastin të shihnim edhe në emisionin e zhvilluar televiziv, më 14 nëntor 2015 në RTK, profesorët e nderuar dr. Shpejtim Bulliqi dhe dr. Florian Isufi, në paraqitjet e tyre televizive,ofruan aq shumë fakte dhe dokumente autentike, sa që vërtetuan katërcipërisht se i ashtuquajturi Komision Shtetëror me në krye Murat Mehën, anashkaloi qëllimshëm të gjitha argumentet ekzistuese.
Profesionistët e lartcekur, sidomos në pjesën e dytë të emisionit, nxorën në dritë të gjitha të palarat e konspiracionit të dënueshëm penalisht të të ashtuquajturit Komision (tragjikomik) Shtetëror për caktimin e demarkacionit me Malin e Zi, në dëm të Kosovës.
Ndaj për tradhëtin e kthyer në model pune të këtij Komisioni dhe shitjen e tjetërsimin e qëllimshëm të tokave të atdheut nga Murat Meha me shokë, herët a vonë,ballafaqimi i tyre me drejtësinë, mbetet i patejkalueshëm, për ç`gjë ata edhe duhet të dënohen më së rëndi me ligjet e shtetit!
Kurse vendimi i të ashtuquajturit Komision Shtetëror për caktimin e vijës kufitare me Malin e Zi,me pasoja të pa-parashikueshme dhe të përhershme për shqiptarët, duhet të shfuqizohet pa hezitim,shpejtë dhe menjëherë!
Edhe Opozita megjithëse faktikisht proteston dhe kundërshton demarkacionin, ajo vazhdimisht heziton të bëjë zbardhjen e arsyes për shitjen e mbi 8230 hektarëve tokë të Kosovës, Malit të Zi nga Murat Meha me bashkëpunëtor.
Ndaj të gjithë ata të cilët gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, ia bënë gjithë këto të këqija atdheut dhe me hile e tradhti e sollën në këtë gjendje poshtëruese popullin shqiptar,kthyen Kosovën në pozita kaq vasale karshi shteteve fqinje, bënë copëtimin e brendshëm të saj me zajednicën serbe, shitën në mënyrë konspirative tokat tona në zonat kufitare me FYROM-in, dhe Malin e Zi, për tradhëtitë dhe tmerret që tash e mbi 17 vite i shkaktojnë këtij vendi dhe populli të shumëvuajtur,patjetër dhe gjithësesi duhet të dënohen sa më rëndë.