28 Mars 2024

Komuniteti Rom në Kosovë: Së bashku mund të bëjmë ndryshimin

Shkruar nga Tomáš Szunyog

Sot, më 8 prill, në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, shfrytëzoj rastin të reflektoj për statusin e komunitetit rom në Kosovë dhe të flas për sfidat me të cilat vazhdon të përballet ky komunitet, duke përfshirë përjashtimin, paragjykimin dhe diskriminimin.

Më vjen mirë që në qershor të vitit 2019, pas nënshkrimit të Deklaratës së Partnerëve të Ballkanit Perëndimor për Integrimin e Romëve në kuadër të Procesit të Zgjerimit të BE-së, e njohur si Deklarata e Poznanit, Qeveria e Kosovës mori përsipër një zotim më të madh për trajtimin e këtyre çështjeve.

Shenjë e atij zotimi është edhe themelimi i Grupit Teknik për Mbrojtjen nga Diskriminimi të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, grup ky i cili tani punon në trajtimin e shumë çështjeve që ndikojnë negativisht në këto komunitete të margjinalizuara.

Bashkimi Evropian, nga ana e tij, është gjithashtu duke mbështetur në mënyrë aktive përfshirjen e komunitetit rom dhe po punon drejt avancimit të të drejtave të tyre dhe përmirësimit të pozitës së tyre në shoqëri.

Më herët përmes Ndihmës Komunitare për Rindërtim, Zhvillim dhe Stabilizim (CARDS), ndërsa tani përmes programeve tona të Instrumentit për Asistencë Para-Anëtarësimit (IPA), BE-ja ka financuar veprime nga të cilat kanë përfituar drejtpërdrejt komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Gjatë vizitës sime të fundit në Komunën e Pejës takova një grua të re rome, Arlinda Muqën, e sapodiplomuar në Juridik, ndërmarrëse dhe kampione boksi. Me ndihmën e BE-së, ajo ka hapur klubin e saj të boksit dhe fitnesit “Fighter”.

Kjo e re e jashtëzakonshme, e cila është mishërim i një luftëtareje botërore, po i thyen stereotipet. Ajo është frymëzim dhe model për të gjitha vajzat rome dhe dëshmi se përfshirja është e mundur.

Megjithatë, shembujt e tillë janë të rrallë!

Pavarësisht veprimeve të ndërmarra nga Qeveria për të avancuar përfshirjen e romëve në të gjitha sferat e jetës publike në Kosovë si dhe mbështetjes së BE-së, është e dhimbshme të shohësh se shumë fëmijë romë po rriten në vendbanime johigjienike, të ekspozuar ndaj sëmundjeve, pa mundësi për të vijuar shkollimin, dhe duke punuar në rrugë në kushte shumë të vështira.

Këto dhe shumë sfida të tjera me të cilat vazhdon të ballafaqohet komuniteti rom burojnë kryesisht nga niveli i pakënaqshëm i zbatimit të legjislacionit përkatës të Kosovës dhe strategjive sektoriale dhe atyre specifike për komunitetin.

Si pasojë e kësaj, sfidat vazhdojnë edhe sa i përket qasjes në arsim, në punësim, në shërbime të kujdesit shëndetësor dhe strehim si dhe shumë anëtarë të komunitetit rom vazhdojnë të jenë të përjashtuar nga shoqëria, të jetojnë nën kufirin e varfërisë dhe të përballen me stigmatizim dhe diskriminim në jetën e tyre të përditshme.

U gëzova kur pashë se ka pasur disa përmirësime në fushën e arsimit. Qendrat mësimore të mbështetura nga BE-ja dhe të udhëhequra nga OJQ-të po ndihmojnë në sigurimin e vijueshmërisë së mësimit në shkollat fillore dhe të mesme, ndërsa Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës, përmes ofrimit të bursave, po luan një rol shumë të rëndësishëm në arsimin e lartë të romëve.

Megjithatë, mosregjistrimi i lartë i fëmijëve romë në arsimin parafillor, fillor dhe të mesëm është shumë shqetësues, ashtu siç janë edhe rezultatet e përgjithshme të dobëta shkollore të nxënësve romë në krahasim me nxënësit e komuniteteve tjera. Është veçanërisht shqetësues niveli i lartë i braktisjes së shkollës.

Si pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së arsimit, për romët mundësitë e punësimit mbeten të vogla, më shumë sesa për komunitetet tjera, dhe ata zakonisht përfundojnë duke punuar si punëtorë të pakualifikuar që kryejnë punë krahu në sferën e ekonomisë joformale.

Dëshmi për këtë është shkalla e papunësisë prej më shumë se 60 për qind te romët ose dyfishi i shkallës së papunësisë së popullatës së përgjithshme në Kosovë. 

Komuniteti rom ka gjithashtu qasje të kufizuar në shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe vazhdon të vuajë nga shëndeti i dobët.

Për një gjendje të tillë ka shumë arsye të ndërthurura, duke përfshirë varfërinë, pamundësinë për të përballuar trajtimet dhe transportin deri në qendrat mjekësore, si dhe mungesën e vetëdijesimit për sëmundjet.

Pandemia Covid-19 vetëm sa e ka zgjeruar këtë hendek dhe e ka bërë më të vështirë për komunitetin rom që të ketë kujdes shëndetësor të duhur.

Në fund, por jo për nga rëndësia, strehimi është gjithashtu një sfidë e madhe. Megjithëse disa komuna kanë ndarë tokë për vendbanime të komunitetit rom, ose kanë ofruar banesa sociale, disa ende përballen me kushte të vështira të jetesës.

Nga kjo që u tha më sipër, është evidente se pjesëtarët e komunitetit rom në Kosovë mbeten ndër komunitetet më të margjinalizuara në Kosovë, të penguar nga niveli i ulët i arsimimit, shkalla e lartë e papunësisë, mungesa e qasjes në kujdesin shëndetësor dhe strehim, si dhe varfëria ekstreme.

Në të gjitha këto fusha nevojitet veprim urgjent dhe të gjithë ne e kemi për rol dhe detyrë që të punojmë në përmirësimin e jetës së pjesëtarëve të komunitetit rom në Kosovë.

Pikënisje mund të jetë miratimi i shpejtë dhe, më e rëndësishmja, zbatimi nga Qeveria e Kosovës i Strategjisë dhe Planit të Veprimit 2022-2026 për përfshirjen e komuniteteve rom dhe ashkali në shoqërinë kosovare, si dhe zbatimi i plotë i legjislacionit nga të gjitha nivelet e qeverisjes.  

Në emër të BE-së, dëshiroj të ritheksoj përkushtimin tonë për të mbështetur Qeverinë në zbatimin e Strategjisë dhe legjislacionit përkatës, duke ofruar këshilla dhe ekspertizë si dhe financimin e nevojshëm për trajtimin e sfidave në fushat prioritare.

Së bashku mund të bëjmë ndryshimin!

(Autori është Shef i Zyrës së BE-së/Përfaqësues i Posaçëm i BE-së në Kosovë)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)