29 Prill 2024

Kantonizmi në rajonet shqiptare

Shkruar nga Albin Kurti

Të thuash që dialogu politik Kosovë-Serbi është i pashmangshëm dhe Thaçi si kryeministër i Kosovës është i pashmangshëm, paraqet të njëjtën gjë. Në çastin që Thaçi s\'është më kryeministër, dialogu me Serbinë s\'është më i pashmangshëm.

 Dhe, gjersa Thaçi është kryeministër, dialogu me Serbinë është njëmend i pashmangshëm. Thaçi s\'mbahet dot si kryeministër pa këtë dialog me Serbinë.

Ky dialog s\'bëhet dot pa kryeministër Thaçin. Dy padrejtësi janë bërë komplementare dhe të ndërvarura nga njëra-tjetra. Padrejtësia e avansimit të Serbisë drejt BE-së përkundër faktit se në Beograd bashkëqeverisin kriminelët e luftës.

Dhe, padrejtësia e sundimit të Thaçit në Kosovë përkundër korrupsionit skandaloz të qeverisë së tij. Për pasojë, përparimi i Kosovës drejt integrimeve evropiane edhe nuk po ndodh edhe është lidhur ngushtë me dialogun me Serbinë.

Kosova duket keq, angazhohet pak dhe trajtohet mbrapshtë, që të mund të ecë drejt Brukselit. Paralelisht me këtë, jo demokracia, zhvillimi e drejtësia në Kosovë, por dialogu me Serbinë, na janë shndërruar në mënyrën për integrim evropian.

Ky dialog i cili, në fakt, është obligim për Serbinë nëse ajo do rrugëtim drejt Brukselit, brenda disa muajsh u transformua në obligim për Kosovën - tani është Kosova ajo që ia paska borxh Brukselit këtë dialog.

Kjo ka kuptim vetëm në variantin pervers: Kosova po integrohet bashkë me Serbinë! Dihet që pa marrëveshjen me Serbinë për përfaqësimin rajonal të Kosovës (me ç\'rast na u shtua fusnota në emërtim duke na e kontestuar shtetësinë dhe na u hoq fjala \'Republikë\' nga emërtimi i shtetit), Serbia e Tadiqit kurrsesi s\'do ta fitonte vitin e kaluar statusin e vendit kandidat për BE.

Njësoj, dihet që pa marrëveshjen me Serbinë për veriun dhe strukturat kriminale shtetërore të saj në Kosovë, Serbia e Daçiqit s\'do të mund ta fitojë këtë vit datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE. Ndërkohë, neve na thuhet që me këtë dialogun me Serbinë Kosova po lëviz në integrimet evropiane megjithëse sërish as vetëm liberalizimin e vizave s\'do ta fitojmë në këtë vit!

Rezultati i dialogut, porsi vetë dialogu, gjithsesi varet nga shkaku i dialogut, nga ajo që e bëri vetë dialogun rezultat. Te korniza e këtij dialogu që u etablua në vjeshtën e vitit 2010, gjendet arsyeja pse marrëveshjet e deritanishme Kosovë-Serbi jo vetëm që nuk vijnë asnjëherë për ratifikim në Kuvendin e Kosovës por zakonisht as që publikohen.

Mungesa e theksuar e transparencës përgjatë procesit të dialogut (si atij teknik po ashtu edhe këtij politik) tregon që ose nuk duan të dihet përmbajtja e atyre marrëveshjeve ose forma e tyre.

Pra, ose ka diçka shumë të dëmshme në elementet përbërëse të marrëveshjeve ose forma e tyre nuk është ajo e marrëveshjeve ndërkombëtare midis dy shteteve andaj nuk duan t\'i shfaqin fare ato (përveçse preferohet nga negociatorët kosovarë që ato të quhen konkluzione të dakorduara).

Ose, si zakonisht, të dyja këto - marrëveshjet janë edhe të dëmshme në substancën e tyre dhe segmentet e saj, edhe të padrejta në formën që vulos asimetrinë e marrëdhënieve Kosovë-Serbi që thuhet se po normalizohen (sic.).

Është absurde të besosh që nëse e bën një koncesion shumë të madh (si puna e Planit të Ahtisaarit) kjo do t\'i përfundojë koncesionet si të tilla. Askush nuk është kundër dialogut në parim, mirëpo, dialogu pa kushte për Serbinë e për çështje të brendshme të Kosovës, patjetër që paraqet dialog pa parime. E, në një këso dialogu, koncesionet përherë do të interpretohen si dobësi e palës që bëri koncesione dhe inkurajim për të kërkuar koncesione të tjera shtesë.

Në këtë dialogun politik në Bruksel, Serbia shfaqet si dëshirë e pashuar për më shumë, ndërkaq Kosova si kënaqësi që e ndërpren përkohësisht atë dëshirë. Nuk është e thënë që statusi special, autonomia, Ahtisaari +, kantonizimi, federalizimi etj. të jenë tema në dialogun politik në Bruksel në mënyrë që ato të realizohen.

Thjesht, ato do të mund të jenë pasoja pa qenë tema, duke iu falënderuar motivit, karakterit dhe kornizës së dialogut politik me Serbinë. Pa kushte për Serbinë dhe për çështjen e brendshme të Kosovës paraqet qasjen më se të mjaftueshme për t\'i përjetuar Kosova dëmet dhe humbjet gjymtuese pa folur për to në mënyrë eksplicite. Kantonizimi i Kosovës që nis me autonominë e veriut e përfundon me federalizimin e brendshëm të Kosovës po zbatohet prej së poshtmi.

Autonomi financiare, kufitare etj. ashtu që emërtimi në fund të jetë çështje formale dhe disi tashmë e përfunduar. Autonomia e veriut po ndërtohet pak e nga pak për t\'u shndërruar më pastaj në një fakt të kryer.

Ndërkohë, secilin koncesion ndaj Serbisë, Thaçi dhe Tahiri do të na e interpretojnë si edhe një njohje që Serbia ia bëri Kosovës! Kësisoj, Serbia tanimë na ka njohur në aspektin e vulave doganore, diplomave universitare, dokumentacionit kadastral, regjistrave civilë, përfaqësimit rajonal, pikave kaluese në kufi etj., dhe kanë mbetur edhe vetëm dhjetëra (ndoshta qindra!) aspekte të tjera për të na njohur Serbia.

Numri i njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga shtetet e ndryshme të botës po i lëshon vend numrit të aspekteve të njohjes që po na i bën Serbia! Nuk është vetëm bota e zbërthyeshme në shtete që (s\')na njohin por edhe njohja qenka e zbërthyeshme në aspekte që (s\')na i njeh Serbia.

Mirëpo, sa më shumë aspekte të njohjes së Serbisë për shtetin e Kosovës aq më pak aspekte të vetë shtetit të Kosovës. Edhe pak më shumë njohje të Serbisë do të thotë edhe ca më pak shtetësi për Kosovën. Me këtë logjikë, në fund, Serbia do të na e njohë plotësisht shtetin e pavarur mu atëherë kur do ta kemi humbur atë tërësisht.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)