28 Prill 2024

Jugosllavizimi si modul diplomatik

Shkruar nga Albin Kurti

Dialogu teknik ia dhuroi Serbisë statusin e vendit kandidat. Dialogu politik po ia dhuron Serbisë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE.

Tash kur po shihet qartë që përmes dialogut politik Serbia ka përfituar edhe nga Kosova edhe nga BE-ja, tash kur po dihet që Kosova është pala e humbur e cila i dha Serbisë dhe s\'fitoi gjë as prej saj as prej BE-së, zyrtarë të ndryshëm ndërkombëtarë i kanë intensifikuar premtimet dhe deklarimet që Serbia nuk do të mund të bëhet anëtare e BE-së pa e pranuar dhe njohur Kosovën si shtet të pavarur.

Ndërkohë, Serbia do të zhvillohet e përparojë (edhe duke marrë fonde nga BE-ja), kurse Kosova do të ngelet e mbërthyer nga proceset bosnjëzuese. E, pas një dekade apo edhe më shumë, vjen ai çasti kur varësia e Serbisë ndaj Kosovës rishfaqet!

Deri atëherë, Kosova duhet të presë. Kështu, procesi i ‘normalizimit të marrëdhënieve’ Kosovë-Serbi bëhet normalizim i pabarazisë Kosovë-Serbi. Me këtë logjikë, Serbia do të bëhet anëtare e BE-së edhe me qëllimin që Kosova të mos mund të bëhet anëtare e BE-së pas saj. Pra, pabarazia do të rikthehet duke u ripërtëritur.

Në një tekst të tij për veprën e Ukshin Hotit, Glauk Konjufca e përmbledh mendimin filozofik dhe politik të Hotit në 26 teza.

Për këtë rast, gjithçka shpjegohet me Tezën 16, pas së cilës s\'mbetet më asnjë arsye që të vazhdojë ky shkrim: Teza16: Barazia dhe pavarësia-Politika synon barazinë. E barazia është strukturale në thelb.

Kjo është arsyeja pse Ukshin Hoti ishte për Republikë përbrenda ish-Jugosllavisë. Me kutin e naivitetit nacional-romantik apo etnocentrik kjo mund të duket një kërkesë antikombëtare.

Por, besoni, kjo është kërkesa më radikale e mundshme. Bile, unë do të rrezikoj të them se kjo kërkesë është më radikale dhe më kombëtare se bashkimi kombëtar.

Shtrohet pyetja përse? Mendoj kështu sepse vetë ish-Jugosllavia si e tillë ka mundur të ekzistonte vetëm si ngrehinë asimetrike në kurriz të shqiptarëve.

Themelet e saj të padrejta ishin të qëndrueshme për gjysmë shekulli vetëm sepse ngriheshin mbi pabarazinë e shqiptarëve, kombi i tretë me madhësi brenda kësaj krijese monstruoze.

Prandaj, ta kërkosh barazinë e shqiptarëve me serbët përbrenda kësaj ngrehine asimetrike, do të thotë t’ia sulmosh asaj themelet mbi të cilat ajo qëndronte.

Ky sindrom jugosllavist i Serbisë po vazhdon ende. P.sh. foosenota 1244. Serbia na pranon si palë. Ajo na pranon edhe si të pavarur. Por nuk na pranon si të barabartë.

Nuk na e njeh dinjitetin. Ky është manifestim i largët i politikës së Gjorgjeviqit për shqiptarët jonjerëz, për shqiptarët me status më të ulët ontologjik, për shqiptarët me bisht.

Hoti synonte mposhtjen e kësaj politike serbe me barazi brenda federatës. Dhe ishte i bindur që pa u thyer në këtë pikë politika serbe, nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në Ballkan.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)